E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zgjedhjet e parakohshme? Kushtetuta më mbron dhe 4 vite



Kreu i qeverisë , Sali Berisha është shprehur dje se Kushtetuta e vendit i siguron atij një mandat të sigurt 4 vjeçar, duke “shigjetuar” në këtë mënyrë strategjinë e shpallur të opozitës për zgjedhje të parakohshme. “Gradualisht do ta kuptojë që provokimi i zgjedhjeve të parakohshme është një pamundësi, në një mënyrë, ë rrafshin kushtetues, pasi që, siç dihet, Kushtetuta sigurisht që ka Parlamentin, institucionin më kryesor të vendit, por edhe kryeministrit i ka dhënë mbrojtjen e nevojshme që të mund të qeverisë. Në këtë kontekst, kjo mbetet një aspiratë për opozitën, por unë mbetem i hapur që të bashkëpunoj me opozitën. Pavarësisht nga kërkesa e saj për zgjedhje të parakohshme, unë e garantoj opozitën se do të bëj çdo përpjekje që të procedojmë së bashku për reforma të mëdha, që nevojiten për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Unë mund të them këtë, që Edi Rama nuk ishte i zoti të paraqesë as provën më të vogël për parregullsi që kanë ndikuar në rezultat. Le të marrin Beratin, që ai u ra burive”, - deklaroi Kryeministri. Më tej Berisha ka vlerësuar votimin e djeshëm 7-0 në KQZ për certifikimin e mandateve duke e konsideruar si votimin më aprovues dhe si një tregues për legjitimitetin e mandateve. “Unë, në radhë të parë, dua të shpreh vlerësimin që opozita u tërhoq nga bojkoti i Parlamentit, sepse ky do të ishte një veprim jashtëzakonisht absurd. Këto zgjedhje u zhvilluan në prani të numrit më të madh të vëzhguesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe nuk besoj të ketë një qytetar të këtij vendi që të mos pranojë se këto zgjedhje ishin më të mirat që vendi ka njohur ndonjëherë. Mund të them vetëm faktin e fundit, që çdo mandat i këtyre zgjedhjeve është votuar 7 me 0 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pra nga të gjithë komisionerët, pavarësisht nga propozimet partiake që ata janë në komision. Kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme është një kërkesë naive do të thosha, e natyrshme për opozitën. Çdo opozitë ka një dëshirë - që ditën e parë që instalohet në Parlament, mendon se si mund të realizojë zgjedhje të parakohshme”, deklaroi dje Berisha. Kreu i qeverisë akuzoi dje kryetarin e PS-së, Edi Rama se po keqpërdorte zhvillimet elektorale për të krijuar frymën e një manipulimi, që sipas Berishës nuk ekziston. “Edi Rama duhet të bëhet i sinqertë. I sinqertë në ç’kuptim? Ai ka marrë të gjithë filmin, filmimet e numërimit të votave në Berat, i ka kontrolluar me ditë të tëra dhe nuk ka gjetur as defektin më të vogël.
Do të thoni ju se nga i di unë këto? I di, sepse janë dokumente që i është dhënë filmi. Di, nga ana tjetër, se sikur problematika më e vogël të ekzistonte në numërim, Edi Rama do t’ia paraqiste ato filmime si provë materiale trupit gjykues, do t’ia paraqiste ato numërime defektuoze si provë materiale Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dhe në fakt, ai, ndonëse mbushi faqe të tëra me llafe boshe, prova materiale nuk paraqiti, as dhe një të vetme. Së fundi, pasi përfundoi gjykimi, për Beratin votuan 7 me 0, votuan të gjithë komisionerët socialistë për shpërndarjen e mandateve”, - theksoi Berisha.

3 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›