E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku ndaj apologjisë së TEC-it me qymyr

Lavdosh Ferruni 

Apologët më të mëdhenj të ndërtimit të TEC-it me qymyr (apo edhe TEC-eve) në bregdetin e Durrësit janë korporata Enel dhe Sali Berisha. Këtë javë doli në skenë një apolog tjetër, z. Sazan Guri, person i njohur në Shqipëri falë një komunikimi mjaft intensiv të tij  me mediat. Në shkrimin e tij “TEC-et me qymyr, fobi, paragjykim apo tabu”, botuar në gazetën më të lexuar në vend,  “Panorama”, Sazan Guri gjatë gjithë shkrimit rreket të nxjerrë në pah vlerat e TECit me qymyr, mbi argumentin semplist të teknologjive të avancuara që ekzistojnë sot. Ai fare dukshëm konkludon se TEC-i me qymyr duhet të ndërtohet në bregdet të Durrësit, veçse më parë duhet diskutuar kapaciteti dhe teknologjia. “Dhe së fundi – përfundon Sazan Guri me një pyetje e një pohim të qartë në shkrimin e tij- a është vlerë TEC-i 1600 MW apo dëm. Mbase duhet 500-600 MW? Mbase duhet teknologji tipikisht gjermane”. E thënë shkurt, Sazan Guri i mëshon konfirmimit të ndërtimit të një TEC me qymyr 500-600 MW në Porto Romano me teknologji gjermane edhe pse vendos në fillim të pohimit fjalën “mbase”. Diku më sipër në shkrim ai merr përsipër që në vazhdim të informojë publikun për të mirat e TEC-i me qymyr. “E vërteta që do t’i themi hap pas hapi për informim dhe formim të qytetarëve, që ju kemi edukimin borxh ( borxh i madh që i ngarkon vetes Guri) është se sot në botë janë TEC-et me qymyr që punojnë dhe jo ata me naftë...”
Duke shmangur komentet mbi ekscentricitetin dukshëm të shprehur të autorit edhe në këtë shkrim nuk mund të mos komentohen argumentet e cunguara apo të munguara që zhvleftësojnë plotësisht apologjinë e TEC-it me qymyr bërë edhe prej z. Guri, pas një apologjie të fortë të Berishës disa ditë më parë.
Së pari. TEC-i me lëndë djegëse me bazë fosile (pra dhe me qymyr) sado superiore të jenë standardet e teknologjia e tij, klasifikohet në të gjitha manualet mbarëbotërore si vepër me shkallë të lartë rrezikshmërie (kategoria A) që kërkon Vlerësim të Ndikimit në Mjedis (VNM) për çdo të tillë me kapacitet mbi 50 MW, që do të thotë veç të tjerash dhe pjesëmarrje të komunitetit në vendimmarrje, deri në referendum. Dhe nëse ka dhe vepra të tjera me bazë fosile pranë tij, si në rastin e Porto Romanos kërkohet domosdoshmërisht, natyrisht edhe në legjislacionin shqiptar, një analizë ekonomiko-financiare, analizë mjedisore dhe sociale në një territor përtej rrezes së ndikimit të drejtpërdrejtë të efekteve të tij (zakonisht 50 km). E thënë në gjuhën tekniko-legjislative kërkohet një Vlerësim Strategjik Mjedisor (VSM). Guri edhe pse e ka pasur flamur VSM-në në gjithë prezantimet e tij publike e ka “harruar” atë në këtë apologji të tij të TEC-it me qymyr. Ai nuk përmend një sërë efektesh negative të TEC-it me qymyr, në lidhje me ndotjen në det, rritjen e temperaturës deri në +8 gradë C, superndotjen në tokë nga hiri që del nga djegia, ndotjen nga metalet e rënda, ndotjen e ajrit edhe pse të reduktuar nga filtrat që mund të vihen (por edhe të mos vihen apo të ndërrohen më kohën e duhur për shkak të kostos së lartë të tyre). Ai nuk përmend efektin minimal në punësim krahasuar me sektorë të tjerë të ekonomisë dhe efektet negative në sektorin e turizmit, të bujqësisë e peshkimit. Dokumenti detyrues i VNM kërkon veç të tjerash të analizohet në mënyrë të detyrueshme opsioni “TEC-i nuk ndërtohet”. Ky opsion mungon në VNM ekzistuese të TEC-it të ENEL, por ky opsion do duhet të analizohet në cilindo TEC tjetër që planifikohet të ndërtohet, pra dhe atë me teknologji gjermane. Pra, çfarë ndodh nëse TEC-i nuk ndërtohet brenda sektorit energjetik dhe në tërë ekonominë e vendit? Për këtë kërkohet të analizohet varianti, që ndërtohen hidrocentrale apo vepra të tjera gjeneruese energjie të rinovueshme diku në Shqipëri, kërkohet të analizohet import eksporti i energjisë dhe rrugët e interkonjeksionit, kërkohet të analizohet se ç’ndodh nëse në vend të TEC-it ndërtohet një vepër tjetër, etj., dhe nëse nga analiza të tillë rezulton që opsioni “TEC-i nuk ndërtohet” është opsioni më i mirë, atëherë duhet pranuar ky opsion si më i mirë.
Së dyti. Beteja e përbotshme sot është zbutja e efekteve të ngrohjes globale. Shkenca provon se tashmë ngrohja globale po ndodh dhe se shkak i ngrohjes globale është veprimtaria e njeriut. Ajo përcakton gjithashtu, se rritja e temperaturës së Tokës me 2 gradë C krahasuar me periudhën para industriale, që do të thotë rritje me 1.2 gradë C krahasuar me kohën e sotme, përbën kufij rreziku që nuk duhet të kalohet. Pragu kritik bëhet shumë i ndjeshëm po të kemi parasysh që studimet serioze tregojnë se rritja 1 gradë C e temperaturës së tokës është tashmë e pashmangshme si rrjedhojë e gazrave tashmë të akumuluar në atmosferë. Kontribuuesi më i madh në ngrohjen globale të planetit është dioksidi i karbonit (CO2) i çliruar kryesish nga TEC-et me qymyr. Pa dyshim që front kryesor i luftës është pikërisht edhe pakësimi i CO2 të emetuar nga TEC-et me qymyr. Duke qenë se shkenca deri më sot (pavarësisht nga përpjekjet serioze që po bëhen) nuk ka arritur ndonjë teknologji që të kapë CO2 që emetohet në atmosferë e ta konservojë atë, rruga që mbetet është të pakësohen TEC-et me qymyr, duke u zëvendësuar në masë të konsiderueshme me burime të energjive të rinovueshme. Çështja e madhe e ngrohjes globale dhe CO2 të TEC-eve me qymyr është “harresa” e madhe në shkrimin e z. Sazan Guri.
Sot po ravijëzohet me shpejtësi një konsensus i përbotshëm i pandodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit, konsensusi për të zbutuar efektet e ndryshimeve klimatike dhe të ngrohjes globale. Në dhjetor pritet që në konferencën e Kombeve të Bashkuara në Kopenhagën të 170 vendet pjesëmarrëse, ku bën pjesë dhe delegacioni shqiptar të arrijnë një marrëveshje të madhe që do t’i hapë rrugën protokollit post-Kioto në 2013. Kjo marrëveshje konsiderohet si shansi i fundit, që do të vendoste emesionet globale në një trajektore që do ta mbante botën jashtë zonës së rrezikshme. Brukseli shkon në Kopenhagën me një platformë të qartë: reduktim të emetimeve të gazrave serrë nga vendet e BE-së me 20% deri në vitin 2020 krahasuar me vitin 1990, ku vendet e zhvilluara (natyrisht përfshi Gjermaninë e sjellë së fundi në publikun shqiptar si pararojë në ndërtimin e TEC-eve me qymyr)  do të reduktojnë emesionet nga 25 deri 45%. Por Brukseli nuk e sheh absolutisht si opsion reduktimin e emesioneve vetëm nga vendete zhvilluara. Brukseli pranon një rritje të CO2 në vendet në zhvillim, por ai kërkon të garantohet një reduktim me 15-30% në vitin 2020 kundrejt niveleve të zakonshme të emetimet nga biznesi, pra nëse CO2 rritet çdo vit me 4 % në këto vende, deri në 2020 duhet të rritet vetëm 3%. Natyrisht edhe këto vende do të kenë një prag dhe se nëse zgjedhin opsionin e aplikimit të energjive të rinovueshme do të përfitojnë nga tregu i krediteteve të karbonit.  Po si do të shkoj Shqipëria në Kopenhagën? TEC-i i Porto Romanos i miratuar tashmë nga shumë instanca shtetërore me 9 milionë tonë CO2 që do emetojë e rritë me mbi 100% nivelin e CO2 të raportuar aktualisht. Tetë fabrikat e çimentos të projektuara e çojnë shtimin e CO2 në 200%. A mund të shkojë ministri i Mjedisit i Qeverisë së re Shqiptare dhe të deklarojë shtimin 200% të CO2 deri në 2020, duke i bërë një karshillëk më shumë se fyes vendeve të BE-së që udhëheqin procesin botëror kundra ngrohjes globale me vendosmërinë për reduktimin prej 20% të CO2 në 2020? Nxitimi i miratimit dhe ligjërimit të ndërtimit të TEC-eve me bazë fosile dhe fabrikave të çimentos apo dhe veprave të tjera kontribuuese të mëdha të CO2 në vend para konferencës së Kopenhagës në dhjetor nuk bëjnë gjë tjetër veçse e vendosin vendin në pozicionin e djalit të keq (bad guy). Por politika Shqiptare duhet ta ketë të qartë se heqja e veshit është shumë pak në këtë rast. Është e vërtetë se nuk është Shqipëria as që do e shpëtoj e as që do ta rrezikoj planetin nga ngrohja globale, por globalistët e politikës shqiptare (sidomos ata që anatemojnë for antiglobalistët) duhet të ndjejnë një përgjegjësi globale, edhe pse e shohin larg ditën kur populli që ata drejtojnë do të vuajë drejtpërsëdrejti pasojat nga anti-globalizmi i tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›