Erion Isufi: Administrova 3 kompani të Fazlliç, por nuk punuam asnjë ditë
Pas katër ditësh fakte dhe dokumente të botuara në medie, Erion Isufi, kunat i ministrit Lulzim Basha ka reaguar duke e konsideruar këtë si një përgjigje ndaj shpifjeve dhe spekulimeve të bëra ndaj tij në disa media. Më tej Isufi shprehet se nëpërmjet kësaj deklarate ai është i interesuar për të informuar opinionin publik në lidhje me atë që ai e quan si të vërtetën për atë që ka ndodhur mes tij dhe kompanive të Fazlliç. “Unë nuk kam ushtruar asnjë aktivitet ekonomik të përbashkët me z. Fazlliç, dhe nuk kam qenë asnjëherë partner, dhe ose ortak me z. Fazlliç. Kam qenë i punësuar si administrator pranë kompanisë SRF Developments, e cila nuk ka kryer asnjë aktivitet ekonomik gjatë kohës që unë kam ushtruar këtë detyrë. Dy kompanitë e tjera, Virtu Acquisitions dhe Crown Acquisitions nuk janë bërë asnjëherë aktive dhe nuk kanë kryer asnjë aktivitet ekonomik gjatë kohës që unë kam qenë administrator. Nga pozicioni i administratorit kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme përkatësisht në 30 dhjetor 2006 për Virtu Acquisitions dhe Crown Acquisitions, dhe në 20 mars të vitit 2007 për kompaninë SRF Developments. Të gjitha këto janë lehtësisht të vërtetueshme dhe verifikueshme nga organet përkatëse”, - ka deklaruar Isufi. Megjithatë pikërisht dokumentet e marra në organet përkatëse vërtetojnë se të paktën nga praktika që ekziston e protokolluar në institucionet shtetërore Isufi ka ndenjur për nj kohë të gjatë si administrator në këto kompani.“ Dua ta përfundoj, duke shprehur bindjen se besoj tek e vërteta më shumë se sa tek balta që hidhet mbi mua dhe kërkoj që mediat që kanë përhapur këtë gënjeshtër dhe shpifje ta përgënjeshtrojnë atë”, - shkruan Isufi në fund të reagimit të tij të artikuluar në formë informimi dhe përgënjeshtrimi.
8 Tetor 2008