Drejtues të lartë të Policisë dëshmojnë për zhdukjen e Remzi Hoxhës
Laureta Rryçi
Tiranë - Procesi për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, ka vijuar dje me pesë dëshmitarët e thirrur nga prokurori i çështjes. Katër dëshmitarë dëshmuan me dyer të hapura dhe i fundit pa praninë e mediave. Dëshmitë e tyre iu referuan më shumë masave që u morën menjëherë pasi u denoncua zhdukja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas. Procesi gjyqësor është ende në fazën e dëshmitarëve të thirrur nga përfaqësuesi e akuzës. Dosja për zhdukjen e biznesmenit ka nisur prej dy muajsh gjykimin në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Dëshmitë
Gjergji Jorgo, aktualisht nëndrejtor i Policisë së Tiranës dhe në kohën e ngjarjes shefi i Komisariatit Nr. 3 në kryeqytet, tha se menjëherë pas kësaj ka nisur veprimet dhe shpalljen në kërkim të të akuzuarve. Gëzim Jarani, përgjegjës i zyrës së ankesave në Presidencë në vitet 1992-1097, dëshmoi para trupit gjykues se ka depozituar në arkivat e Presidencës denoncimin që ka marrë nga familjarët e biznesmenit të zhdukur, Remzi Hoxha. Dëshmitari i tretë, Ilir Xheta, inspektor krimesh në vitin 1995, tha se ishte i pari që mori denoncimin për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Ai sqaroi se pas kësaj nisi menjëherë verifikimet për gjetjen e të zhdukurit. Dëshmia më interesante erdhi nga një tjetër hetues i çështjes në atë kohë, Alban Kumari. Ai tregoi se u nis menjëherë në drejtim të punishtes ku ishte rrëmbyer biznesmeni, nga ku mësoi se dy makina e morën Remzi Hoxhën. Por më pas Kumari tha se tani, pas kaq vitesh, ai nuk dinte gjë se çfarë u bë me dosjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas. Dëshmia e Beqir Tërshallës, oficer i SHIK-ut në Sarandë, u krye me dyer të mbyllura. Kjo erdhi pas kërkesës së prokurorit, që e vlerësoi se dëshmia e tij është e rëndësishme dhe që nuk mund të bëhet publike për arsye hetimore.
Dosja
Të pandehurit e këtij procesi janë, Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Ata akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit dhe Abdyl Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në muajt shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja e Hoxhës.
8 Tetor 2008