Prokuroria: Ka gjurmë të dyshimta në dokumentet e firmave të Fazlliçit
Habjon Hasani
Tiranë - Prokuroria ka vendosur të thellojë hetimet paraprake lidhur me aktivitetin e Damir Fazlliçit në Shqipëri. “Albania” është interesuar dje lidhur me ecurinë e vlerësimeve të prokurorëve, të cilët nisën verifikimet pas dokumenteve të botuara në media. Sikurse pritej, firma “Crown Acquisitions” ka sjellë dhe dyshimet e para për hetuesit, ndërsa në filtër kanë kaluar të gjitha firmat e tjera. “Albania” mësoi dje se zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme janë informuar që një javë para në mënyrë informale lidhur me ekzistencën e fakteve të rënda për biznesmenin Fazlliç. Por arrestimi i Fazlliçit solli me urgjencë dhe botimin e fakteve në gazetat kryesore të vendit, ndërsa në Prokurorinë e Përgjithshme u vendos të analizohej situata mbrëmjen e së shtunës. Por një pjesë e dokumenteve të firmave të Fazlliçit janë tërhequr që mbrëmjen e së enjtes së kaluar nga Prokuroria, fill pasi disa drejtues të saj u informuan lidhur me ekzistencën e problemeve të firmave të zotit Fazlliç. Ekspozimi në media solli dhe një veprim procedural për verifikimin zyrtar paraprak të të dhënave. Deri tani mësohet se faza e parë do të jetë ezaurimi dhe sqarimi i të gjithë procedurës së ndjekur nga firma “Croun Acquisitions”, e cila iu shit në mënyrë fiktive (në vlerën 1.7 milionë euro) firmës qipriote “Altaria Research Limited”, pas së cilës fshihet grupi i fuqishëm serb “Rudnap”.
Gërdeci
Në mënyrë tepër kofidenciale “Albania” është informuar dje nga një përfaqësues i organit të akuzës se gjatë hetimeve të dosjes “Gërdeci”, në verifikimet dhe bisedat e prokurorëve është përmendur dhe emri i ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. “Bëhet fjalë për disa tabulate telefonike nga numri i zyrës së ish-ministrit të Transporteve, të cilat korrespondojnë dhe përputhen në mënyrë shumë harmonike me disa veprime që janë marrë paralelisht nga aktorët kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Janë telefonata drejt një numri në Londër. Megjithatë, ne u mjaftuam vetëm me këtë të dhënë, pasi nuk kishte ndonjë material apo të dhënë lidhëse që mund të merrej si urë për të lidhur zhvillimet”, - i tha dje burimi “Albania”-s. Gjithsesi, jo më larg se dje, “Albania” ka botuar një material ku jo vetëm faktohej se pas firmës qipriote qëndronte grupi serb “RUDNAP”, por edhe vetë drejtori i bordit të “Rudnap”-it, Vojin Lazareviç, ka pohuar një takim mes tij, Tom Rixhit dhe Damir Fazlliçit në vitin 2007, ku u diskutua dhe për mundësinë e tregtimit të armatimeve në Bosnjë. Përpos këtij fakti, “Albania” botoi dje dhe prokurën që firma qipriote i lëshoi ortakes së Argita Malltezit për ta përfaqësuar, ndërsa në prokurë rezultonte dhe prezenca e firmës “Skysec Secretarial Limited”, e cila është e skeduar nga OKB-ja për trafikun e armëve.
Energjia
E njëjta firmë qipriote duket se zhvillon dy aktivitete të tjera, në Kroaci dhe në Vjenë, sërish si pjesë e grupit “Rudnap”. Duket se kjo pistë ka kuotuar dhe mundësinë e pastrimit të parave që përfitohen si pasojë e importimit të energjisë nga kompanitë serbe. Në regjistrin shtetëror të regjistrimit të firmave në Zagreb të Kroacisë rezulton se firma ”Altaria Research Limited” ka krijuar më 19 nëntor të vitit 2007 firmën ”Rudnap Energija d.o.o”. Gazeta ”Albania” disponon dokumente të marra në burime zyrtare kroate, të cilat saktësojnë se kompania e re, e krijuar në Kroaci (nga firma që dy muaj më parë kishte blerë gjoja kompaninë e Damir Fazlliçit në Shqipëri) është regjistruar në regjistrin tregtar kroat me Nipt: Tt-07/13527-2, me numër regjistri 080632088. Por lidhja vazhdon edhe në Vjenë, ku pikërisht i njëjti përfaqësues i firmës serbe ”Rudnap” bën dhe përfaqësuesin e kësaj firme për llogari të firmës ”ALTARIA RESEARCH LIMITED”. Më konkretisht, bëhet fjalë për zotin Aleksandër Lupsiç, i cili përfaqëson grupin “Rudnap” në Vjenë, por njëkohësisht ka regjistruar në entet e biznesit edhe origjinën e ”RudnaP”-it në Vjenë, duke përcaktuar si adresë themelore adresën: Nikozije, Cipar, Nikozija, Irakli, 2, Egkomi, P. C. 2413. Identike me adresën e firmës ”Altaria Research Limited”. Vetëm se zoti Lupsiç preferon ta quajë ”AltaviA Research Limited” firmën në shpalljet publike që bën në bursa apo në faqet elektronike.
8 Tetor 2008