Prokurorët risjellin me fakte masakrën që ndodhi në Cërrik
Prokurorët e Krimeve të Rënda risollën dje masakrën e Cërrikut që kanë mundur ta ndërtojnë dhjetë vite pas ngjarjes. Në seancën e djeshme, procesi gjyqësor vijoi me kërkesën për gjykim ku përfaqësuesit e akuzës treguan jo vetëm ngjarjen, por edhe pozicionin e secilit prej të pandehurve. Pas dhjetë vitesh, me rihapjen e dosjes Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mundur të rindërtojë edhe një herë masakrën e Cërrikut. E gjitha kjo pikësëpari falë një prove të pakundërshtueshme. Bëhet fjalë për një kasetë, e ruajtur mirë për një dekadë, e cila është dorëzuar pak muaj më parë në Drejtorinë e Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme. E ndërsa do i bashkëngjiten dosjes edhe dëshmitë e gardistëve që u plagosën apo të tjerëve që ishin në vendngjarje, duket se Krimet e Rënda e kanë kopsitur mirë këtë dosje para se ta dërgonin për gjykim. Versioni i plotë i masakrës tashmë është përpiluar si një shkresë zyrtare dhe qëndron në krye të dosjes së Cërrikut. Në të jepen ndoshta për herë të parë se si zyrtarët e asokohe të qytetit të Cërrikut shfrytëzuan hasmërinë e bandave rivale për t’i kundërvënë kundër gardistëve. Përshkruhet pozicioni i gjithsecilit që ka pasur në vendngjarje dhe ç’ndodhi minutë pas minute nga hyrja në qendër të qytetit e makinave të blinduara të policisë, e deri tek ekzekutimi i gardistit të fundit teksa mundohej të shpëtonte.
8 Tetor 2008