Kriza ekonomike, qiratë në rënie çdo vit
Ndryshe nga çmimet e shitjes, çmimet e qirave të apartamenteve po njohin rënie. Vitin e kaluar, qiraja e banesave në Tiranë ishte mesatarisht 5-7 euro për metër katror në muaj. Sot ka zbritur në 3-5 euro për m2. Në zonat në periferi të Tiranës, apartamentet 1+1 apo 2+1 të ndërtuara rishtazi, ofrohen për qira mujore 25-30 mijë lekë. Në zonat e reja urbane si në Kinostudio apo Unazën e Re, çmimet kanë rënë nën 15 mijë lekë në muaj. “Njerëzit janë të etur për të gjetur qiramarrës sa më parë dhe çmimet janë në rënie”, - thotë një agjent pronash të paluajtshme në Tiranë. “Njerëzit që kërkojnë të marrin shtëpi me qira kërkojnë ofertat më të lira të mundshme dhe klientë që mund të paguajnë shtrenjtë është vështirë të gjesh”, - vijon ai. Në rritje janë edhe ofertat për ndarje qiraje për të njëjtën banesë, ose për dhënien me qira të vetëm një dhome. Bollëku i ofertave ndjehet në të gjithë Tiranën, nga qendra në periferi. Numri i njoftimeve për ambiente të destinuara për të huajt me qira të shtrenjtë është në rënie. Arsyeja tjetër e rënies së çmimeve lidhet edhe me pasigurinë ekonomike të qytetarëve. Për shkak të mungesës së sistemit të mbrojtjes shoqërore, një i papunë e ka të pamundur të paguajë qiranë.
Zonat më të shtrenjta për qira shtëpish
Zona Banesa Çmimi
“Komuna e Parisit” 1+1 150-200 euro
2+1 250-300 euro
Tirana e Re 1+1 250-300 euro
2+1 350-550 euro
Ish-Blloku 1+1 300-400 euro
2+1 450-700 euro
Rruga “Myslym Shyri” 1+1 300-400 euro
2+1 450-600 euro
Rruga e Elbasanit 1+1 200-300 euro
2+1 400-600 euro
Stacioni i trenit 1+1 200-350 euro
2+1 350-500 euro
Si variojnë çmimet e apartamenteve në qytetin e Tiranës
Çmimet e apartamenteve në qytetin e Tiranës vazhdojnë të rriten në mënyrë të konsiderueshme nga viti në vit. Ekspertët theksojnë se kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së kostos së materialeve të ndërtimeve, rritja e vlerës së truallit të ndërtimit si dhe të rritjes së kërkesës për strehim. Në shtator të vitit 2007 një metër katror në “Komunën e Parisit” varionte nga 700-800 euro, ndërsa këtë vit shkon në 900 euro metri katror. Për sa i përket zonës së Bllokut, edhe aty vihet re një luhatje, që varion nga 1500-1800 euro metri katror.
Burime nga agjenci imobiliare theksojmë se kjo shifër ndryshon në varësi të llojit të apartamentit, pozicionit, kushteve dhe hapësirës që kërkohet nga vetë blerësi. Të dhënat mbi këto çmime janë ofruar prej agjenci të ndryshme imobiliare. Gjithsesi, shqetësimi për mungesën e hipotekave ka prekur dhe vlerën e apartamenteve. Kjo si për shkak të garantimit të pronës, ashtu dhe për faktin se shumica e blerësve kërkojnë kredi, kusht ky që nuk mund të përfitohet pa kolateralin, pra hipotekimin. Ekspertët theksojnë se çmimi i një apartamenti të pahipotekuar është më i lirë në krahasim me një të hipotekuar. Një apartament i hipotekuar shkon në 100–200 euro për metër katror më shumë se një apartament i pahipotekuar. Përsa i përket ndryshimit ndërmjet një apartamenti ekzistues dhe një apartamenti të ri në po të njëjtën zonë është se shitja e një apartamenti ekzistues bëhet me lekë, ndërsa për shitjen e një apartamenti të ri bëhet konvertimi nga lekë në euro. Pas janarit të vitit 2008, me vendim të Këshillit të Ministrave, çdo zonë ka një çmim të përcaktuar nga vetë shteti, për shembull zona e Bllokut varion nga 1300-2800 euro për metër katrorë. Burimet theksojnë se për shumë qytetarë nuk ka rëndësi zona më e kërkuar ose zona më e mirë e Tiranës, por mjafton që atyre t’ju krijohet mundësia financiare për ta bërë të tyren atë apartament. Kjo gjë vjen si pasojë e mospërballimit të këtyre çmimeve nga masa më e gjerë e tyre.
Të dhënat e tregut për çmimet e apartamenteve për vitin 2008
Rruga Çmimi (euro/m2)
-Unaza, Materniteti i Ri 700-800
-Uzina e Autotraktorëve 500-600
-Blloku, Liceu, Rr. Elbasanit 1400-2000
-Rruga e Elbasanit 1200-1800
-Min. Jashtme, Q. Studenti 1100-1600
-Spitalet, Shkolla e Bashkuar 650-850
-Kinostudio 500-600
-Unazë, Shish-Tufinë 450-500
-Zona e Bllokut, Pallatet Agimi 1600-2000
-St.”Dinamo”, Garda 1800-2000
-Pishinat, rruga “Komuna e Parisit” 750-850
-Unaza e re, Kombinati ”Misto Mame” 400-580
-Ish-Ekspozita 1500-1800
-“Myslym Shyri” 900-1600
-“21 Dhjetori”, “Zogu i Zi”, Rr. e Ambasadave 1000-1500
-Rruga e Kavajës 1300-1800
-Rr. Durrësit 1300-1800
-Pazari i Ri 750-900
-Rruga Bardhyl 700-850
-Stacioni Trenit 900-1200
-Don Bosko 650-750
-Lapraka 550-700
Burimi: Agjencitë Imobiliare
8 Tetor 2008