Urdhri i Alibeajt bllokon procesin, trupi gjykues mbetet pa sallë
Tiranë - Skandal në Gjykatën e Faktit të Tiranës. Urdhri i disa ditëve më parë i ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj e ka dhënë dje përplasjen e parë. Trupi gjykues që gjykon dosjen “Robin Arnold” dhe “Dino Cristondolu” nuk ka mundur dot ta zhvillojë procesin as në godinën e re ku janë shpërngulur prej pak ditësh dhe as në atë të vjetrën. Në godinën e vjetër nuk ka mundur pasi kancelari i Gjykatës së Shkallës së Parë mësohet t’i ketë njohur me urdhrin e ministrit se duhet të gjykohen te godina e re të gjitha dosjet penale. Teksa trupi gjykues është nisur drejt godinës së re, sërish procesi nuk ka mundur dot të zhvillohet. Shkak janë bërë sallat, të cilat ishin të papërshtatshme për të montuar aparaturat për video-konferencë. Trupi gjykues ka vendosur ta shtyjë procesin gjyqësor për në një datë tjetër, derisa të zgjidhet problemi në fjalë. Dy shtetasit e huaj u ekstraduan vetëm pak kohë më parë nga Anglia për llogari të Drejtësisë shqiptare. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur vetëm pak kohë më parë dhe seanca e djeshme ishte e para në fazën e dëshmitarëve. Që të dy shtetasit e huaj nuk i pranojnë akuzat. Ndërkohë procesi ndaj të akuzuarit të tretë, David Braun, ndodhet në një fazë tjetër, pasi ka mbaruar me dëshmitarët.
8 Tetor 2008