E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erion Isufi, në prokurori e gjykatë për dosjen "Fazlliç"

Bashkëpunëtori i Damir Fazlliç në Shqipëri, Erion Isufi, ka dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës, ku ka dhënë shpjegime para grupit hetimor.

Për më shumë se 60  minuta, kunati i ministrit aktual të Jashtëm, Lulzim Basha, ka sqaruar organin e akuzës në lidhje me  veprimtarinë e përbashkët që ka pasur me shtetasin serbo-boshnjak në Shqipëri.

 Ai ka dëshmuar se ka qenë administrator në kompanitë e Fazllic, por ka dhënë dorëheqjen, pasi kompanitë e tij nuk kanë pasur licenca.

Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë akuzës qendrore, sipas të cilës, Isufi është pyetur nën cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Prokuroria thotë se Fazliç, gjatë kohës që ka pasur biznese së bashku me Isufin, dyshohet se ka kryer veprën penale të pastrimit
të parave.

Akuzat e ngritura kundër mikut, tashmë i deklaruar  publikisht të Kryeministrit, Damir Fazlliç, kanë detyruar prokurorinë që të verifikojë të gjitha transaksionet e kryera në emrin e tij, në bankat e nivelit të dytë në vend.

Sipas burimeve zyrtare pranë Prokurorisë së Tiranës, prokurorët e çështjes, Besnik Cani dhe Dritan Rreshka, u kanë kërkuar të gjitha filialeve të bankave në Shqipëri të verifikojnë në listën e klientëve të tyre emrin e Damir Fazlliç dhe punonjësve të tij, që nga viti 2005 e në vazhdim. "

Erion Isufi, nëpërmjet avokatit Ardian Leka, pretendoi në Gjykatën e Tiranës se Hipoteka ka bllokuar me "urdhër" të prokurorisë çdo transaksion bankar të tij.

Por ka reaguar përfaqësuesi i organit të akuzës, Dritan Rreshka, sipas të cilit shkresa që pretendon mbrojtja se janë bllokuar pasuritë e Erion Isufit, bën fjalë vetëm për verifikimin e të gjitha pasurive. Rreshka deklaroi se prokuroria nuk ka urdhëruar bllokimin e pasurisë së Erion Isufit, por vetëm verifikimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›