Bashkiakët e PS-së vonojnë listat e zgjedhësve
Opozita ka ngritur shqetësimin e listave të zgjedhësve, por në terren, bashkiakët e saj janë të parët që thyejnë ligjin zgjedhor. Në Kodin Zgjedhor sanksionohet që krerët e çdo njësie lokale dërgojnë listën paraprake të zgjedhësve në KQZ dhe jo më vonë se 30 ditë nga data e zgjedhjeve dërgohet lista përfundimtare. Tek 30-ditëshi po afrohet, 34 ditë sot, krerët bashkiakë të bashkive kryesore në vend që drejtohen nga socialistët si Korça, Vlora dhe Elbasani, ende nuk kanë dërguar listën paraprake në KQZ, ndonëse ata kanë vetëm 4 ditë afat të dërgojnë më pas listën përfundimtare. Vonesa është e pashpjegueshme, ndërsa KQZ-ja ka paralajmëruar se ata do t’i dërgojnë për ndjekje penale në prokurori. Vetëm një javë më parë, mbi 77 kryetarë komunash u gjobitën nga KQZ-ja, me nga gjysmë milioni lekë, për shkak të vonesave të listës. Zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli, paralajmëroi krerët lokalë, duke u bërë thirrje të respektojnë afatet ligjore. “Është e papranueshme për të gjithë këta drejtues, me gjithë kohën e jashtëzakonshme që kanë në dispozicion, nisur nga fakti që tashmë ekziston një regjistër elektronik i shtetasve, për të sjellë këtë vonesë. Është një apel i menjëhershëm i KQZ-së. Po vënë në rrezik gjithë procesin”, - apeloi Olli, duke shtuar se jo më vonë se 30 ditë nga data e zgjedhjeve ata duhet të dorëzojnë listën përfundimtare. Nga ana tjetër, Olli tha se krerët lokalë, një pjesë e tyre, nuk kanë përcaktuar ende vendet përkatëse të numërimit të votave. “Është një element i papranueshëm, jo vetëm mossjellja e listave përfundimtare pranë KQZ-së, jo vetëm vonesat për sa i takon numërtimit dhe numrit të qendrave të votimit, por dhe një pjesë tjetër e njësive vendore dhe këtu kryesisht për fat të keq dhe bashki të mëdha të vendit, të cilat nuk kanë bërë ndarjen e qendrave të votimit ku figurojnë më shumë se një mijë votues”, - tha zëdhënësi i KQZ-së.