E Diel, 1 Nëntor 2026

Erion Veliaj në Bunavi: Shteti që aspiron NATO-n nuk rrëmben fëmijë!

Vlorë, 2 Shkurt, 15:00, NOA - Erion Veliaj i shoqëruar nga aktivistë të tjerë të G99 nga dega e Vlorës vizituan sot Brigadën e Stërvitjes Bazë të Bunavisë ku së fundmi janë dërguar shumë rekrutë të rinj të ushtrisë, raste e të cilëve janë raportuar në media si abuzive.

Veliaj u takua në hyrje të bazës me dhjetëra familjarë nga të gjitha zonat e Shqipërisë që kishin ardhur aty të shqetësuar për të marrë lajme mbi gjendjen e fëmijëve të tyre të marrë rekrutë forcërisht. Pasi ka negociuar me disa nga oficerët e lartë të bazës si dhe me komandantin e saj, Veliaj ka bërë të mundur që disa përfaqësues të familjarëve të takohen me fëmijët e tyre.

Veliaj është interesuar dhe për kushtet e kësaj baze dhe kapacitetin e saj për të mbajtur rekrutët. Vetëm në katër ditët e fundit mbi 700 rekrutë të rinj kanë ardhur në këtë bazë.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se, “fëmijët nuk mund të rrëmbehen nga shteti pa sqaruar familjarët e tyre që përjetojnë një shqetësim të madh kur nuk dinë fatin e fëmijës. Këto nuk janë standardet e një shteti që aspiron për tu futur në NATO.”

Veliaj shtoi se qeveritarët shqiptarë nuk i çojnë fëmijët e tyre në shkolla publike, as në spitale publike dhe asnjë prej tyre nuk e çon fëmijën ushtar. “Në ushtri po përpiqen të mbushin kuotat për rekrutë duke rrëmbyer gjimnazistë dhe studentë në rrugë.

Në një vend si Shqipëria ky është një hall i tepërt për prindërit që i nisin fëmijët në shkollë dhe nuk dinë se çdo t’ju ndodhë. Ligji për rekrutimin është mjaft i qartë dhe parashikon njoftimin me shkrim të familjes si dhe verifikimin e dokumenteve që provojnë moshën dhe shkollimin e një fëmije përpara rekrutimit forcërisht që është hapi i fundit.

Por shteti ynë i nis së mbrapshti duke rrëmbyer një herë dhe duke verifikuar më vonë. Dhe siç është e zakonshme në Shqipëri gjëra të tilla ju ndodhin qytetarëve më të pambrojtur, më të varfër dhe pa lidhje politike që nuk kanë ku përplasen për këtë hall.”

a.h/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›