E Diel, 1 Nëntor 2026

Erjola: Jam habitur që më kanë quajtur llafazane

Erjola, e para banore e eliminuar nga shtëpia e "Big Brother 2", e ka lënë përfundimisht garën. Prej disa orësh i është rikthyer jetës së saj reale, edhe pse ajo nuk mund të jetë më si më parë. Tashmë, vajza nga Elbasani është e njohur për një publik të gjerë. Genti, bashkëshorti, ka qenë personi i parë që ka takuar, me të cilin kanë folur gjatë për ribashkimin e familjes. Ndërkohë që ka filluar të kuptojë përshtypjet që vetë ajo ka lënë te publiku gjatë dy javëve të qëndrimit në shtëpinë e "Big Brother". Në një intervistë në emisionin "E Diell" në "Top Channel", Erjola ka rrëfyer minutat e para të "lirisë", si i ka pritur komentet, zhgënjimet brenda, por edhe jashtë shtëpisë.

Erjola, ti je e eliminuara e parë e "Big Brother 2". E prisje daljen nga shtëpia?

Në fakt nuk e prisja.

Tashmë je bërë e njohur, të bezdisin komentet e njerëzve?

Nuk më bezdisin, sepse përderisa pranova të bëhem pjesë e këtij show e kisha të qartë që edhe jeta ime do të bëhej publike. Por më ka shqetësuar mënyra se si është komentuar jeta ime private. Pas daljes kam lexuar se çfarë është thënë për mua nëpër forume dhe u çudita nga fakti se që në fillim isha karakterizuar si femra llafazane. Ne të gjithë aty brenda treguam diçka për jetën tonë, deri në një kufi të caktuar, e më pas filluam edhe t‘i diskutonim. Ndoshta unë fola pak më herët, apo ndoshta ishte dhe një strategji...

Ti le jashtë një vajzë të vogël, e cila nuk kishte as edhe praninë e babait. Ndoshta për këtë je komentuar më shumë?

Historia është e komplikuar dhe ndonjëherë edhe publiku mund të mos ketë qenë i qartë. Ajo çka unë doja të transmetoja është se fëmija qëndron mbi gjithçka. Ndoshta ndonjëherë nënat janë më shumë pasive e nuk marrin iniciativa për shkak të fëmijëve, por kjo që unë bëra është një lloj sakrifice për familjen, një arsye për të menduar për të ardhmen.

Prindërit e tu nuk e pritën fort mirë vendimin tënd për t‘u rikthyer me bashkëshortin. Ke folur me ta?

Prindërit e mi kanë arsyet e tyre dhe duhet t‘i kuptoj. Nuk kam pasur mundësi të flas me ta, sepse i vetmi njeri me të cilin jam takuar dje ka qenë bashkëshorti im, me të cilin diskutuam gjatë. Ata nuk duan të më shikojnë mua të trishtuar, por në këtë rast është familja në mes. I kuptoj më së miri.

I ke parë banorët tani që ke dalë. Si të janë dukur?

Besoj se ata që janë nominuar këtë javë do të jenë më të qetë.

Kështu bëra edhe unë. Javën e nominimit doja të dëgjoja më shumë.

Prej cilit nga banorët je e zhgënjyer?

Nga Qetsori. Aty brenda, pjesën më të madhe të opinioneve i thoshim në mënyrë të drejtpërdrejtë. E folura e tij në dhomën e rrëfimit më është dukur paradoksale.

Me cilin nga banorët nuk do të vazhdosh të mbash marrëdhënie edhe pas daljes nga shtëpia?

Me Adelajdën dhe Republikën. Që në momentin e parë nuk patëm afrimitet. Në mënyra të ndryshme, ato ishin njësoj. Të dyja donin të flisnin, të reagonin. Zysha ishte mësuar me imponim të rregullores. Me këto dy vajza nuk arrija të kuptohesha.

Të flasim për Zhuljetën. E shihje si konkurrente të fortë?

Ishte e fortë jo në tërësi, por për faktin se tregoi një karakter më të përmbajtur dhe luajti rolin e një femre të ftohtë, që mund të përballojë çdo situatë.

Kush nga banorët mendon se po aktron?

Aktor për mua mbetet Qetsori. Ai arrin ta ndryshojë situatën. Por edhe Arjoni.

Cili duhet të dalë javën e ardhshme?

Është e vështirë, por them se duhet të largohet Arjoni, sepse ecën me teori dhe jo me praktikë. Ai mendon se aty brenda nuk jetohet realiteti dhe aq më tepër është shprehur se nuk i interesojnë banorët, por shuma.

Të nominuarit rrëfehen

Ndërsa spektakli i së shtunës ka zgjidhur enigmën se kush do të linte e para shtëpinë e "Big Brother", banorët e tjerë i janë kthyer pak a shumë normalitetit. Tashmë ethet e konkurrimit janë gjithnjë e më të forta. Ndërkohë që rivalitetet brenda shtëpisë më të madhe bëhen edhe më të dukshme. Pas daljes së Erjolës, kjo është dukur e qartë në nominime. Këtë javë në kandidim janë Adelajda, Aida, Agoni dhe Arjoni. A e prisnin ata nominimin?

Adelajda:

U mërzita që dola në kandidim, sepse kam frikë se mos dal> Megjithatë e prisja, sepse po të bësh debate në shtëpi, kjo ndodh.

Agoni:

Dy vota i kam ditur të sigurta.

Aida:

Nuk e prisja kandidimin.

Arjoni:

Më duhej thika në kurriz. Nuk u tregova aq inteligjent sa duhej. Unë nominova dy nga emrat për të cilët e dija se kishin më pak mundësi për të dalë në kandidim.

Zhuljeta

"Gjatë gjithë mbrëmjes kisha emocion dhe ndihesha në siklet e në ankth. U çlirova pasi dëgjova emrin e Erjolës".

Banorët kujdesen për lopët

Dita e parë pas spektaklit të së shtunës i ka gjetur banorët duke u kujdesur për lopët dhe duke diskutuar buxhetin e javës. Në fakt, gjatë gjithë natës, të ndarë në çifte, ata janë kujdesur për lopët, Sonjën dhe Tean. Secili çift ka qëndruar nga 2 orë me lopët. Çifti i parë ka qenë Adelajda dhe Bjordi. Sipas këshillave të veterinerit, banorët duhet që t‘i ushqenin, lanin dhe milnin. Të parëve që u ka takuar t‘i ushqenin kanë qenë Adi dhe Lirita, madje, kjo e fundit, ka rregulluar edhe rrethimin e tyre, kur njëra prej tyre tentoi të largohej. Dritani u ka dhënë për të pirë dhe i ka pastruar për t‘i bërë gati për mjelje. Ndërkohë Pavlini, Qetsori e po ashtu edhe Dritani janë marrë me mjeljen. Atyre u nxori pak probleme lopa e zezë, sepse nuk i linte që ta milnin. Më pas ajo u qetësua dhe çdo gjë shkoi ashtu siç duhej. Në mëngjes veterineri erdhi të shikonte lopët e të kontrollonte punën e banorëve dhe përpara se të largohej, nuk harroi t‘i këshillonte sërish. Një ngjarje tjetër e rëndësishme e ditës ishte diskutimi i buxhetit. Kjo javë i gjen banorët e shtëpisë së "Big Brother" me një buxhet të përgjysmuar, rezultat i moskalimit të provës. Ndaj atyre u duhej të organizoheshin më mirë e të hiqnin dorë nga një pjesë e blerjeve, ushqime ose jo, për ta përballuar javën me të ardhurat e reduktuara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›