Ndërhyhet në fasadat e pazarit të vjetër
"Të paktën 30 ndërtesa të vjetra të pazarit karakteristik të Korçës do të restaurohen në fasadat e tyre". Kështu shprehet drejtori i Monumenteve të Kulturës në Korçë, Dhori Theodhori, sipas të cilit këtë vit, ndryshe nga një vit më parë, në vijim të restaurimit të fasadave të pazarit karakteristik të qytetit, do të dyfishohet numri i godinave, ku do të kryhet ndërhyrja. Sipas tij, procesi i restaurimit të fasadave edhe këtë vit në fazën e dytë të tij do të ruajë vlerat tradicionale të këtij pazari, duke rifreskuar pjesët e dëmtuara në vite dhe për t‘i dhënë këtij kompleksi një pamje të re. Procesi i restaurimit të fasadave ka marrë edhe akordimin e fondeve, ndërkohë që faza e dytë e punimeve do të nisë të zbatohet në muajin prill. Theodhori deklaron se për restaurimin e 30 ndërtesave që janë planifikuar për fazën e dytë të ndërhyrjes në fasada është akorduar një shumë prej 5 milionë lekësh nga buxheti i shtetit. "Faza e dytë e restaurimit parashikon të vijojë ndërhyrjet në fasadat e godinave të pazarit karakteristik, që për këtë vit kap një vlerë prej 5 milionë lekësh dhe do të sigurojë restaurimin në 30 ndërtesa, ose sa dyfishi i një viti më parë. Ndërhyrjet do të përqendrohen në rifreskimin e fasadave të dyqaneve dhe godinave të vjetra në pjesët ballore të tyre, për të siguruar një uniformitet dhe për t‘i dhënë këtij kompleksi një pamje të re, pasi në shumë nga godinat muret janë të vjetruara", ka thënë Dhori Theodhori, drejtor i degës së Monumenteve të Kulturës në Korçë. Projekti parashikon mirëmbajtjen e kompleksit të pazarit të vjetër karakteristik të qytetit, ndërkohë që sipas drejtorit bëhet fjalë që kjo pjesë e cila është monument kulture të kthehet në identitet si pjesë e rëndësishme historike. Në fillim të muajit mars pritet të kryhet procesi i tenderimit, ndërkohë që punimet janë parashikuar të nisin në muajin prill, me përmirësimin e kushteve të motit. Një vit më parë, ndërhyrja për fazën fillestare bëri të mundur restaurimin e 15 fasadave, ku u krye pastrimi dhe më pas lyerja e tyre, duke ruajtur pjesët karakteristike të ndërtesave dhe anën arkitekturore të tyre.