E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çifti perfekt i ndan detyrat

Duhet vetëm një letër dhe një laps. Njëri do të përgatisë mëngjesin dhe do të veshë fëmijët, do t‘i çojë në shkollë, do të bëjë pazarin, do të fusë e do të nxjerrë rrobat nga lavatriçja dhe do të fshijë me fshesë korrenti. Tjetri do t‘u telefonojë bankave, do të kontrollojë të gjitha faturat, do të presë hidraulikun, do të fiksojë takimet me mekanikun e makinës. Emi dhe Danieli e quajnë thjesht "lista". Çdo ditë, ky çift amerikan nuk nxiton për të shkuar në punë, sepse i ka ndarë të gjitha detyrat. Janë disa çështje familjare (pastrimi i shtëpisë, gatimi etj.), por edhe punë të përditshme që duhen parapërgatitur: takimet me mësuesit, vizita te pediatri, blerja e dhuratës për datëlindjen e një shoku ose shoqeje... Një listë kaq e gjatë, sa vetëm po ta shohësh të fillon dhembja e kokës. Megjithatë, çifti amerikan është i bindur se po të ndahen të gjitha punët e përditshme të shtëpisë, qofshin të mëdha ose të vogla, jeta bëhet më e lehtë dhe më e bukur. Emi dhe Danieli janë në punë, kanë dy fëmijë dhe mendojnë se feminizmin duhet ta hedhin pas krahëve. Jeta bëhet më e thjeshtë dhe më e bukur po të zbatohen disa rregulla dhe lista. Mënyra e tyre e jetesës është bërë aq e famshme, sa ka përfunduar në faqen e parë të revistës "New York Times". Slogani i tyre, "Fifty/Fifty" ("Pesëdhjetë me Pesëdhjetë"), është shndërruar në një moto për çiftet e reja. Emi dhe Danieli kanë një sajt në internet ku japin këshilla, llogarisin ndarjen e punëve të ndryshme (një orë me fëmijët ka kosto më të madhe sesa të qërosh patatet; ose të zgjohesh natën për të kontrolluar fëmijët është bonus). Gjithashtu, në internet është publikuar edhe një blog me titull: Kur një fëmijë sëmuret, cili nga prindërit duhet të qëndrojë në shtëpi? Ka dhe disa rregulla sjelljeje: gruaja nuk duhet qortuar kurrë për atë që bën; nuk bëhesh hero duke përgatitur një rosto apo duke i hedhur një sy matematikës... Në gjithçka ndiqet parimi detyrues: 50 burri, 50 gruaja.

Riçard është një pensionist dhe e ka nisur prej kohësh atë që e quan "rruga e ndryshimit". "Kur lindi vajza jonë, gruaja ime më dha një ultimatum: ose do të më ndihmosh edhe ti, ose unë do t‘ju braktis". Të hekurosësh një këmishë, të blesh sallatë në supermarket nuk është më diçka e panjohur apo e pamundur. "Unë e bëj këtë jo vetëm se jam i bindur për dashurinë e vajzës sime, por edhe sepse kështu është e drejtë", shton ai. Punët e shtëpisë janë si çështjet politike. Riçard ka krijuar edhe një grup të vogël mbi "autokoshiencën" së bashku me disa shokë të tjerë. "E kam krijuar për burrat që nuk besojnë më te patriarkati", shpjegon ai. Tani grupi i tij është zgjeruar shumë. Para pak ditësh ai ka krijuar edhe një shoqatë, përmes së cilës bëri një apel kundër dhunimit të grave. "Dhuna lind sepse është në trurin e meshkujve. Të ndihmosh gruan në punët e shtëpisë, mendoj se është hapi i parë drejt paqes dhe barazisë gjinore".

"Pjesa më e madhe e burrave janë të papërgjegjshëm", thotë një docente ekonomie dhe autore e një libri që flet për barazinë gjinore. Te një çift, gruaja vendos 320 minuta në ditë për punët e shtëpisë, ndërsa burri 95 minuta. Meshkujt francezë vendosin të kujdesen për fëmijët dhe për punët e shtëpisë 144 minuta, anglezët 138 minuta, suedezët 149 minuta. "Femrat kanë një ditë pune mesatarisht më të gjatë se një orë e 40 minuta", shpjegon një sociologe.

"Burrat si puna ime, janë të guximshëm për të hedhur një hap të tillë, që të merren me punët e shtëpisë, apo të rrisin një fëmijë. Ky fakt u kushton shumë shtrenjtë. Për pjesën më të madhe të burrave është shumë e vështirë t‘i përkushtohen familjes, sepse u duhet të heqin dorë nga shumë dëshira të tjera", thotë Riçard.

Në fakt, formula e "ndarjes së detyrave" nuk garanton lumturinë. Një gazetare e "The Guardian" së bashku me të shoqin është përpjekur të ndjekë me përpikëri këshillat e çiftit amerikan, duke bërë për një javë listat dhe duke u kujdesur që t‘i respektojnë ato. Rezultati? Rritje e nervozizmit, zënka të vazhdueshme, fëmijë të çrregullt. "Shtëpia demokratike nuk bën për mua, ka përfunduar ajo. Preferoj të gjej një zgjidhje më efikase". Listën jo, por pyetjen po: Kush do t‘i çojë në shkollë fëmijët nesër?

Janë disa çështje familjare (pastrimi i shtëpisë, gatimi etj.), por edhe punë të përditshme që duhen parapërgatitur: takimet me mësuesit, vizita te pediatri, blerja e dhuratës për datëlindjen e një shoku ose shoqeje... Një listë kaq e gjatë, sa vetëm po ta shohësh të fillon dhembja e kokës. Megjithatë, çifti amerikan është i bindur se po të ndahen të gjitha punët e përditshme të shtëpisë, qofshin të mëdha ose të vogla, jeta bëhet më e lehtë dhe më e bukur

Formula e "ndarjes së detyrave" nuk garanton lumturinë. Një gazetare e "The Guardian" së bashku me të shoqin është përpjekur të ndjekë me përpikëri këshillat e çiftit amerikan, duke bërë për një javë listat dhe duke u kujdesur që t‘i respektojnë ato. Rezultati? Rritje e nervozizmit, zënka të vazhdueshme, fëmijë të çrregullt. "Shtëpia demokratike nuk bën për mua, ka përfunduar ajo. Preferoj të gjej një zgjidhje më efikase". Listën jo, por pyetjen po: Kush do t‘i çojë në shkollë fëmijët nesër?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›