E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shijosh Londrën e çmimeve të lira

Do t‘ju pëlqente të shkonit në Hithrou të Londrës me "Rolls Royce" e me shoferin e veshur me kostumin tipik? Këtë tashmë mund ta bëjnë edhe ata që deri pak kohë më parë nuk e shihnin as në ëndërr. Apo të marrësh me qira një sallon për dhjetë vetë në "Stamford Brixh", stadiumin e Çelsit, me tarifën e një bilete të zakonshme në qytetet e tjera evropiane? Ǒmendoni nëse zbuloni se një kostum martese mund ta blini me çmimin e një kostumi nga më të thjeshtët, apo sikur një servis pjatash "Wedgwood" të mund ta blini sa një komplet qeramike të Ikea-s? Po nëse një palë këpucë "Church‘s" mund të blihen si të ishin markë nga më të zakonshmet?

Nëse e keni ëndërruar Londrën dhe megjithatë keni qenë të detyruar të pranoni se është e paprekshme për mundësitë tuaja financiare, mësoni se me rënien e stërlinës dhe me krizën që ka pllakosur qytetin, mund të shijoni me pak para të gjitha ato lukse të cilat deri pak kohë më parë ju dukeshin të paarritshme. Televizionet e gazetat janë të mbushura me njoftime për vila që shiten me çmime të pabesueshme, për pallate me çmime apartamentesh. Por me këto gjëra merren biznesmenët.

Hienat e vërteta që duan të spekulojnë sot me nënshtetasit e Madhërisë së saj, duhet të vënë në shënjestër pre të tjera: t‘i kërkojnë fitimet në botën tashmë të rrënuar të bankierëve të rinj të mbetur pa punë; të atyre tridhjetëvjeçarëve që deri dje konsideroheshin magjistarë të botës së marketingut e publicitetit; atyre qindra jetimëve të mirëqenies që sot kanë paketuar valixhet dhe u kanë besuar agjencive, fqinjëve e mbi të gjitha internetit, shitjen e pasurive personale.

Qarku i krijuar prej rinisë së praruar londineze qe vërtet një kozmos më vete, me lagjet e saj, stilet karakteristike të jetesës, objektet e veta të kultit. Të gjitha ato gjëra tejet të rafinuara e të kushtueshme, duke nisur nga sot janë hedhur në treg me çmime të lira. Vetëm se gjenden në kanalet sekondare dhe jo në rrugën kryesore të shitje-blerjeve.

Të huajve që gjenden aty dhe që kanë mundur të vënë ndonjë para mënjanë, u janë hapur sot skenarë deri dje të pamundur, pasi avantazhi është i dyfishtë: rënies kokëposhtë të vlerës së stërlinës (rreth 30 për qind), i shtohet rënia e vlerës së vetë objekteve, e cila në disa raste i zbret vlerës së dikurshme edhe 30 për qind të tjera. Në këtë pikë, shumica e këtyre objekteve të mrekullueshme mund të blihet për gjysmën e vlerës së dikurshme, duke nisur që nga shtëpitë e lagjeve të të rinjve të suksesshëm, siç është Klafami, Farringtoni dhe pjesa veriore e Noting Hillit. Në këto zona, deri në nëntor apartamentet e banimit shiteshin më shumë se 7 mijë euro për metër katror. Sot luhaten mes 3500-4000 eurove. Kush ka ndër mend të shpenzojë edhe më pak, duhet të shtyhet në disa zona periferike rreth gjysmë ore larg Londrës, si Tuikenhami, Putni, Islingtoni e Enxhëli, ku me 3 mijë euro metri katror blihen vila të mrekullueshme viktoriane, sot të kthyera në modë, pasi janë plazhi i fundit i dyzetvjeçarëve me karriera të ndërprera në mes. "Është një eksod, por eksod shumë elegant", thotë një i huaj që punon si menaxher projektesh në një shtëpi botuese londineze. "Po ndërtohet në periferi ajo atmosferë unike që gjendej vetëm në qendër".

Pas makinave vijnë shtëpitë. Luanët e rinj të bankave e shoqërive të investimeve parapëlqenin veturat e epokave të shkuara, ikona të Londrës së viteve gjashtëdhjetë, "Jaguar E", "Austin Healey 3000" dhe "Triumph TR3". Vlera e tyre sot është përgjysmuar: mjaftojnë 25 mijë euro për të blerë një "Jaguar" apo një "Healey" dhe vetëm 15 mijë për të shtënë në dorë një "Triumph". E njëjta gjë vlen edhe për motorët modernë, një tjetër ikonë e bankierëve të rinj. Kush është i dhënë pas taksive tipike londineze, mund ta blejë një në kushte të mira për vetëm 2500 euro.

Ndërkohë që në internet gjenden okazione edhe më të papritura, pikërisht ato që për pjesën më të madhe të të huajve janë mollë e ndaluar, si një abonim për të ndjekur skuadrën Çelsi për vetëm 150 euro, një biletë në tribunë për turneun e tenisit të Uimbëlldonit për 70 euro, një teserë nderi për kampionatin e regbisë për 50 euro, e kështu me radhë. Motivi? Qenë blerë shumë kohë përpara, kur kriza dukej ende veç fantazmë, dhe sot nevojiten për t‘ua shtuar parave që merren nga fondi për të papunët.

Dhe të shkojmë te veshjet, një tjetër ide fikse për të gjithë ata që luksin e Londrës e shihnin vetëm në cilësinë e spektatorit. Bankierët e rinj (pak a shumë si personazhi i luajtur nga Hju Grant te filmi "Katër martesa dhe një funeral"), vishnin smoking e frak si të ishte gjëja më e lehtë në botë. Sot dyqanet, deri dje të largët e të paprekshëm, janë mbushur me veshje ceremoniale, ku kostume të mrekullueshme mund të blihen për 500 euro. Kjo, pasi numri i festave është ulur shumë dhe akoma më tepër numri i festave superluksoze. Për të mos folur për ato ankande që konsiderohen të parëndësishme, ku mund të gjesh gjithçka të mundshme dhe ku sot shiten me çmime thuajse të pabesueshme mobilie, piktura, objekte me vlerë, ora muri e dore, valixhe e gjithçka tjetër që deri pak më parë shërbenin për të justifikuar statusin e pasanikut.

Dhe në rast se nuk ia keni ngenë nguljes për orë të tëra para kompjuterit, duke kërkuar në internet apo të shfletoni "Exchange & Markt" (biblën e shitjes me çmime të ulura), hidhuni vetë deri në tregun e Portobelos apo të Bersmondi Parkut, ku të njëjtat gjëra kushtojnë edhe më lirë dhe që në shtatë të mëngjesit zhduken nga tezgat. Dhe në fund, mos lini pas dore as markat e famshme e tepër të kushtueshme angleze, si "Church‘s e Crockett & Jones" për këpucët, "Cording‘s" për palltot, "Harvie & Hudson" për stofrat etj. Edhe këto i kanë ulur ndjeshëm çmimet e i kanë mbushur vitrinat me ftesa për të blerë lirë si kurrë më parë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›