E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erkand Qerimaj i bën sfidë Olimpiadës

Nga Aida TUCI
Erkand Qerimaj, edhe pse ka pasur një karrierë shumë të suksesshme, ku mban disa medalje europiane dhe tituj nënkampionë bote për moshat mbi supe, përfaqësohet për herë të parë në një eveniment kaq të rëndësishëm, sic janë Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Ai konsiderohet në qytetin e tij të lindjes, Shkodër, krenaria e sportit.
Krenaria është pa dyshim e madhe si për të, trajnerin Barkici, familjen, shokët e shoqërinë. Mbi të gjitha, edhe për klubin "Vllaznia", pasi Erkand Qerimaj është i vetmi përfaqësues i këtij klubi të vjetër që përfaqësohet në Lojërat Olimpike. Të tjerët, edhe pse shumica e tyre vijnë nga Shkodra, e kanë braktisur ekipin mëmë dhe kanë shkuar me të tjera ekipe. Erkandi, sic shprehet vetë, është përjetësisht i ekipit Vllaznia. Por gjërat nuk po shkojnë aq mbarë në disa aspekte të tjera për të. Shumë premtime të bëra për mbështetje financiare nuk janë mbajtur, ndërkohë që cdo vit i duhet të thotë të njëjtat kërkesa para mediave sa herë që i jepet mundësia.
Familja, pjesë e suksesit të tij
Në familjen Qerimaj, Erkandi është kryefjala. Ndoshta ngaqë prindërit, Mehdija dhe Fatbardha, vetëm për të kanë për të kujdesur por për më tepër se në shtëpi kanë jo pak, por një nënkampion bote, medalist dhe olimpist. Por prej dy vjetësh Erkandi në fakt duket se bën një jetë pak si të pavarur. Ai është shpërngulur në Tiranë, pasi ndjek studimet e larta. Por dy prindërit gjithë përkujdesin e tyre në shtëpi e kanë kthyer në përkujdes online.
Ata cdo moment janë në linjë telefonike me të birin për ta pyetur: A ka fjetur Erkandi, a ka ngrënë Erkandi etj. Janë këto ato pyetjet e përditshme që shoqërojnë burrë e grua. Për të tjerat pyetet më pak, pasi babai i Erkandit në fakt nuk e lë asnjë moment vetëm. Ai është prezent aq shpesh kudo ku është i biri, në stërvitje, në shkollë apo dhe kur Erkandi është me shokët apo shoqet. Ai vinte shpesh dhe në Linzë, aty ku Erkandi ishte grumbulluar me ekipin olimpik para nisjes për në Lojërat e Pekinit. Në njëfarë mënyre, kjo mund të duket një përkujdesje e tepruar. Por ata sytë vetëm tek ai i kanë.
I vetmi peshëngritës i familjes
Ai është djali i fundit i familjes. Mehdija dhe Fatbardha kanë dhe dy djem të tjerë më të mëdhenj, që janë në emigrim, Ergysi në Itali dhe Elidoni në Kanada. Dy vëllezërit kanë qenë një ndihmë e madhe për Erkandin në hapat e para të karrierës së tij. Janë ata që kanë menduar, por edhe mendojmë për Erkandin për t'i plotësuar të gjitha kushtet financiare, edhe pse tani Erkand Qerimaj me sukseset e tij ka arritur ta përballojë vetë sportin e vështirë të peshëngritjes. Në shtëpinë Qerimaj ushqimi bëhej enkas për djalin kampion. Të paktën 10 kg kotoleta të përgatitura nga një kasap i njohur i qytetit vinin cdo muaj në familjen Qerimaj për Erkandin, pa harruar kosin e frutave dhe shumë produkte të tjera ushqimore, që i duhen trupit të tij, gjatë kohës ku ai qëndronte në shtëpinë e tij në Shkodër. Por shpenzimet për një sportist janë më shumë se një menu speciale, po t'u shtosh atyre edhe lekët për vitamina e gjëra të tjera të nevojshme. Por për prindërit gjithë kjo sakrificë ia ka vlejtur, pasi Erkandi është një sportist i nivelit të lartë, që me sukseset e tij nderon jo vetëm klubin "Vllaznia" dhe kombëtaren shqiptare, por mbi të gjitha familjen Qerimaj.
Student i kalibrit olimpik
"Antipodi" i ecurisë së sportistit që përfaqësohet për herë të parë në një olimpiadë është pa dyshim shkolla. Erkandi është student i universitetit "Marin Barleti" në kryeqytet. Ishte ky universitet që i hapi dyer e kampionit të peshëngritjes. Sigurisht, në universitet frekuentimi nuk është si në shkollë të mesme, por fakti që ai aktivizohet në shumë aktivitete sportive i sjell pak probleme me mungesat. "Është pak e vështirë, sepse të dyja shumë mirë nuk bëhen. Njërën do ta bësh më mirë dhe tjetrën pak më mirë,"- thotë Erkandi, ku vë në peshore impenjimin që ka në sport dhe impenjimin në shkollë. Por nëse në sport është shumë mirë, në shkollë është sërish mirë. "Dua të marr një diplomë për të siguruar jetën time. Mendoj që të kem një profesion pasi të lë sportin. Sepse ndryshe nga fushat e tjera sporti ka një limit moshe. Unë kam menduar që të kem një profesion krahas sportit,"- thotë Erkandi, që ka zgjedhur degën juridike në universitet. Kështu që, përvec sportit, ai në të ardhmen aspiron të jetë edhe një jurist i kualifikuar. "Ka raste që e teproj me mungesat, por në universitet nuk është si në shkollë të mesme. Por në provime jam i rregullt dhe madje shkoj i përgatitur." Kuptohet, të dyja, dhe sporti dhe shkolla, nuk mund të bëhen për një sportist të cilësisë së lartë. Orët e shumta në stërvitje e udhëtimet e herëpashershme kanë bërë që studenti i vitit të dytë të mbahet herë pas here edhe me "me hatër".
I thjeshti nënkampion bote
Erkandi përpiqet që me shokët dhe shoqërinë të jetë sa më i thjeshtë. Nuk i pëlqen të mburret me gjithë titujt që ka, por e konsideron veten të njëjtë me të tjerët, duke parapëlqyer qënien sa më i thjeshtë mes shokëve dhe shoqeve. Madje ai është djali që mban gjallë bisedën në tavolinë me atë humorin tipik shkodran.
Ndërsa për sa u përket dashurive, aktualisht ai shprehet se vetë shtanga është "dashuria" më e madhe e jetës së tij. Këtë e tregon edhe një ditë e zakonshme e dy herë kampionit të Evropës për moshën e vet dhe nënkampioni i botës për të rinj. Në mëngjes ai zgjohet për të shkuar në shkollë, diku nga mesi i paradrekes shkëputet për të shkuar në palestër, ku zhvillon stërvitjen e paradites, më pas ndonjë kafe me shokët e shoqet, vjen dreka e më pas stërvitja e pasdites. Dita e tij është pjesën më të madhe të kohës vetëm në palestër. Sidomos këto kohë, kur ai përgatitej për t'u përfaqësuar në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". "Nuk jam pishman se jam kaq shumë i ngarkuar. Ndihem krenar për këtë që kam arritur deri tani dhe do të bëj c'është e mundur t'i coj më tej këto rezultate edhe në përfaqësimin tim në Lojërat Olimpike "Pekin 2008," thotë sportisti i talentuar shkodran.
Në Olimpiadë do të japë maksimumin
Përfaqësimi në Lojërat Olimpike "Pekin 2008" erdhi pas përfaqësimit të ekipit kombëtar të meshkujve në Kampionatin Europian që u zhvillua këtë vit në Itali. Erkand Qerimaj nuk arriti dot në këtë europian të hynte në zonën medaljeve vetëm sepse peshonte disa gramë më shumë se rivali i tij, që u rendit në vendin e tretë me medalje bronzi. Qerimaj në Olimpiadë, ashtu si dhe në Kampionatin Europian, konkurron në peshën 77 kg. Në kampionatin europian ai u klasifikua në vendin e 4-t në dygarësh, një sukses që synon ta përsëritë edhe në Lojërat Olimpike, ku konkurrenca është shumë më e madhe. Në peshën e tij konkurrojnë shumë peshëngritës dhe hapi i tij i parë është që të mund të hyjë në grupin A të peshëngritësve. Ai është shumë mirë dhe për herë të parë përfaqësohet në një olimpiadë. "Do të jetë një garë e fortë, ku marrin pjesë kampionë bote dhe kampionë olimpikë, si rusi Oleg Perepecenov, turku Sagir Taner dhe bullgari Ivan Stoicov, pa përmendur peshëngritjen kineze, që këto vitet e fundit po arrin majat e këtij sporti. Për më tepër që unë atje bashkë me Gerti Trashën jemi ndër peshëngritësit më të rinj në moshë. Nëse arrijmë të konkurrojmë në baterinë A (është bateria kryesore nga tri bateritë që ka kjo peshë) do të jetë një sukses."
Peshëngritësi synon që edhe në Lojërat Olimpike të shkojë në shifrat 155-160 kg në shkëputje dhe 190-196 kg në shtytje, me shpresën se do të mund të hyjë tek më të mirët e peshës 77 kg në Lojërat Olimpike "Pekin 2008".
Erkand Qerimaj
Datëlindja 10.08.1988
Vendlindja Shkodër
Sporti Peshëngritje
Gjatësia 165cm
Pesha 77kg
Rëezultatet: 2005 - Kampionati Europian U17 Bullgari/ nënkampion, medalje argjendi
2006 - Kampionati Europian të rinj Sllovaki/ medalje argjendi
2007 - Kampionati Botëror të rinj Ceki/ medalje argjendi
2008 - Kampionati europian të rritur Itali
Pjesëmarrja në "Pekin 2008": Me kualifikim ekipor nga Kampionati Europian Itali 2008
Objektivi në "Pekin 2008": Klasifikimi në 8-shen më të mirë të peshës 77 kg

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›