Përmbushet amaneti i Eqrem Çabejit
Në gjallje, Eqrem Çabej do t‘i ishte gëzuar shumë këtij çasti: të shihte teksa "Meshari" i Buzukut, i përgatitur prej tij, do të vendosej në vitrinat e librarive. I kushtoi 10 vjet punë veprës monument të gjuhës shqipe. Punoi i vetëm. Por, atëkohë, teksa porosia ishte bërë nga qeveria, nuk e kishte besuar se gjithë mundi i tij do të strukej në bodrumet e Institutit të Gjuhësisë. Jemi në vitin 1968 dhe arsyet, ndonëse të pathëna, mund të hamendësohen. "Meshari" nuk u hodh kurrë në qarkullim. Sot, pas 41 vjetësh përçapjet e së bijës po tentojnë ta nxjerrin në dritë. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka akorduar prej disa muajsh një fond për ribotimin e librit të Buzukut. Ky veprim është përligjur jo vetëm me rëndësinë e kësaj vepre për themelet e gjuhës shqipe, por edhe me dy përvjetorët që i takuan vitit 2008. Ishte 100-vjetori i lindjes së profesor Çabejit, por edhe 100-vjetori i Kongresit të Manastirit. "Në bashkëpunim me Brikena Çabejin, e cila është e bija e profesorit të nderuar dhe njëkohësisht trashëgimtarja e veprës së tij, Ministria e Kulturës, krahas veprimtarive të tjera që organizoi në 2008-ën, mendoi që botimi do të ishte një nga gjërat më themeltare për një studiues e autor. Në punën e tij shumëvjeçare u panë veprat që ishin botuar, por më së shumti ato që kishin nevojë të njiheshin nga publiku. Meqenëse kishim rastin e dy 100-vjetorëve, ishte me interes shumë të madh që të botohej vepra themeltare e gjuhës dhe kulturës, siç është ‘Meshari‘ i Gjon Buzukut, i përgatitur nga prof. Çabej në vitet ‘60 dhe i botuar nga Instituti i Gjuhësisë", shprehet Ermir Nika, shef i sektorit të letrave në MTKRS. Kopjet me fat të botimit të ‘68-ës përfunduan në duart e disa studiuesve, të tjera u mykën në bodrume e të tjera akoma pas ‘90-ës u panë të shiteshin në bordura rrugësh të Tiranës. Libri është në proces botimi. Ka qenë Brikena Çabej ajo që është përkujdesur për këtë ribotim. I është dashur të punojë sërish mbi dorëshkrimin që gjendet në Bibliotekën Kombëtare, por edhe në arkivat e familjes. Ajo i ka të afërta kujtimet e kohës kur i ati ishte "zhytur me kokë" për përgatitjen e "Mesharit". Në shtëpi flitej vetëm për të. Ndërkohë që gjithçka matej e diskutohej deri në imtësitë që arsyeja nuk i rrok dot, qeveria kishte hedhur fond për një botim luksoz. Madje nuk u shtyp në vend, por në Rumani. Kopertina bojëkafe e zgjedhur në shtëpinë e Çabejit përmbylli një 10-vjeçar të ngjeshur pune. Por entuziazmi do të shuhej shpejt. Asnjë kopje nuk doli në qarkullim. Asnjë shpjegim më shumë. "Meshari", një përkthim i teksteve të njohura liturgjike dhe pjesëve të Dhiatës së Vjetër dhe Dhiatës së Re u botua në një kohë kur feja ishte mohuar. Prej asaj kohe deri më sot, historia e Buzukut dhe Çabejit ka heshtur. "Të gjitha këto ndodhën për arsye që ndoshta nuk janë në kontekstin e kohës së sotme. Në këtë kontekst mendoj që shteti nuk mund të dalë jashtë përgjegjësive. Meqenëse ishte parashikuar një fond botimi, u pa e arsyeshme që të mbështetej pikërisht ky botim", shprehet Ermir Nika. Botimi që do të realizohet nga shtëpia botuese "Çabej" do të jetë sërish i një cilësie të lartë. "Meshari" i shtohet korpusit të veprave të studiuesit që e bija po përpiqet t‘i bëjë të njohura për një publik më të gjerë. E ndërmori këtë nismë vitin e shkuar, i cili u pagëzua edhe si "Viti Çabej". Leksionet mbi gjuhën që profesori kishte mbajtur në Universitetin e Prishtinës dhe "Sonetet", janë hedhur tashmë në treg. Por fati i "Mesharit" ishte një dhimbje që e shoqëroi deri në ditët e fundit të jetës. Historive të tilla, Brikena Çabej u rreshton edhe përndjekje të tjera që i janë bërë Eqrem Çabejit dhe punës së tij. Pasi kishte mbaruar punën kolosale të "Mesharit", në drejtim të tij do të vinin një sërë fletërrufesh. Pas ‘90-ës, Brikena iu rikthye historisë së "burgosjes" së librit të parë shqip. Kishte kërkuar që të merrte disa nga kopjet e mbyllura në Institutin e Gjuhësisë për t‘i hedhur në treg, por kërkesa nuk u pranua. Më vonë, "Mesharin", të parin libër të gjuhës shqipe, do ta shihte mes rreshtave të librave që shiteshin në trotuare. Aty gjeti edhe libra të tjerë të të atit. U përpoq të merrte çfarë të mundte. Ndërkohë që tashmë po përmbush atë që ngeli si një amanet nga i ati. Sipas Ermir Nikës, libri nuk do të dalë në një tirazh të madh kopjesh, për vetë specifikën e këtij botimi. "Në bashkëpunim me të bijën e profesorit, ne po risjellim një vepër që i mungonte lexuesve dhe studiuesve të letërsisë", thekson Nika.
"Meshari"
Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare, shqipëruesi i një libri kishtar, që është quajtur "Meshari" (1555), vepra letrare më e vjetër shqipe e botuar, që është ruajtur deri më sot. Ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit. Meshari përbëhej nga 110 fletë (220 faqe). Kopja e librit që ka arritur është e cunguar, përbëhet nga 94 fletë (188 faqe). Kësaj kopjeje i mungojnë 16 faqet e para, ndër to edhe kopertina me faqen kryesore. "Meshari" u gjet në Bibliotekën Vatikane në vitin 1909
"Meshari"
Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare, shqipëruesi i një libri kishtar, që është quajtur "Meshari" (1555), vepra letrare më e vjetër shqipe e botuar, që është ruajtur deri më sot. Ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit. Meshari përbëhej nga 110 fletë (220 faqe). Kopja e librit që ka arritur është e cunguar, përbëhet nga 94 fletë (188 faqe). Kësaj kopjeje i mungojnë 16 faqet e para, ndër to edhe kopertina me faqen kryesore. "Meshari" u gjet në Bibliotekën Vatikane në vitin 1909