Erkand Qerimaj, “sinjale” helene
Sikurse një vit më parë, peshëngritësi i kombëtares shqiptare Erkand Qerimaj ka zgjedhur qendrën stërvitore të Athinës në prag të kampionatit evropian që do të zhvillohet në 2-14 prill në Minsk të Bjellorusisë. është dashur një ftesë e dytë brenda një viti e Piro Dhimës, himarjotit të “pagëzuar” president i Federatës Greke të Peshëngritjes që medalisti i artë në stilin e shtytjes i kontinentit në peshën 77 kg, Erkand Qerimaj të udhëtojë përsëri drejt kryeqytetit helen së bashku me trajnerin e tij Zef Kovaçi. Kushtet e mira e ofruara nga shteti fqinj kanë detyruar shqiptarin të vijojë përgatitjet në shtetin fqinj deri më 31 mars për të bërë një tjetër përfaqësim dinjitoz në kontinent sikurse herët e fundit. Por miqësia mes Piro Dhimës, gjeneralit të ushtrisë greke dhe talentit të shtangës shqiptare Erkand Qerimaj mund të mos mjaftohet vetëm me ftesa. Burime konfidenciale pohuan për “Panorama” se nuk përjashtohet mundësia që Piro Dhima t’i bëjë një ofertë Qerimajt për të përfaqësuar shtetin grek në të ardhmen, në arenën ndërkombëtare. Sipas të njëjti burim, karriera e pasur e peshëngritësit shqiptar mund të tundojë zyrtarin më të lartë të shtangës bardheblu ta ketë nën urdhrat e tij. Tashmë fjala e fundit pritet nga Qerimaj…
Edhe në 2009-ën Erkand Qerimaj zgjodhi Athinën përpara se të konkurronte në kampionatin evropian të Bukureshtit që u zhvillua po në muajin prill. Në peshën 77 kg, asokohe Qerimaj u nderua me medalje argjendi në stilin e shkëputjes me 152 kg, ari në shtytje me 190 kg dhe argjendi në dy garësh me 342 kg të ngritura në total. Në Bjellorusi, Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të përfaqësohet me Romela Begajn në peshën 58 kg, Erkand Qerimaj në peshën 77 kg, si dhe dyshen e peshës 94 kg Endri Karina dhe Ervis Tabaku.