E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elektra, e vetme në skenën e Kombëtarit



alma mile

Sa herë që flitet për vënien në skenë të një vepre nga antikiteti, pritshmëria është gjithnjë e lartë. Kjo sepse në teatrin tonë, rrallë janë vendosur vepra të tilla dhe rimarrja e një krijimi të mijëvjeçarëve më parë shkakton gjithnjë grishje. E tillë ishte edhe atmosfera pritëse e tragjedisë “Elektra” të Sofokliut, e cila po shfaqet në sallën, që mban emrin e të nderuarit “Kadri Roshi”, nën regjinë e Adonis Filipit. Ky i fundit premtoi një shfaqje plot emocion dhe jo pa qëllim zgjodhi aktorë të tillë, si Luiza Xhuvani, Roza Anagnosti, apo Laert Vasili, ardhja nga Greqia, e të cilit u lakua gjatë. Pritej një vepër tronditëse, ku përcillet një dramë të fortë, ajo e dhunës, pushtetit, hakmarrjes, drejtësisë, por duket se nga të gjitha këto, pak u përcollën në shfaqjen që ofroi regjisori Filipi. Publikut, i cili në asnjë rast nuk duhet nënvlerësuar, nuk iu skuqën duart nga duartrokitjet në fund të veprës. Duket se si ato duartrokitje, i vakët kishte qenë edhe emocioni i përcjellë prej saj. Ndoshta sepse të shumtë ishin ata që dolën nga salla e teatrit me pikëpyetjen e madhe se çfarë donte të kumtonte kjo vepër. ç’reflektim e pason atë? ç’përfaqëson Elektra? është ajo thjesht dhe vetëm një bijë e një motër hakmarrëse, që do të lajë gjakun e të atit e më pas të të vëllait, duke vrarë të ëmën për të njëjtat motive që edhe ajo (Klitemnestra) vrau të shoqin? Një femër nuk e bën të fuqishme një hakmarrje. Shumëkush i pyetur pas shfaqjes, do të thoshte se emocioni nuk shkoi tek ai. Shumë profesionistë, nuk duan të prononcohen me emra, sepse është kaq e vogël kjo bota artistike shqiptare, saqë nuk mund t’i shpëtosh dot hatërmbetjeve, edhe nëse kritikat janë konstruktive. Regjisori Mevlan Shanaj, ndër të paktët që pranon të flasë hapur, vlerëson përpjekjen serioze të regjisorit, për të sjellë këtë vepër në skenën e TK-së, por nuk mund ta mohojë që emocioni nuk kishte mbërritur tek ai. “Pavarësisht energjive të mëdha, asaj pune, në dukje serioze i mungoi ardhja e emocionit. Do të doja të evidentoja paraqitjen shumë potente dhe të admirueshme të aktores Luiza Xhuvani, me të dhëna të lakmueshme për një aktore. është bërë një punë e përbindshme nga ana e saj, por pikërisht këtu, nuk janë bërë disa llogari, seleksionime nga ana e regjisorit dhe aktores e që duhen korrigjuar në shfaqjet e ardhshme. Nuk duhet tentuar vetëm në deklamim, por edhe në komunikim”, thotë Shanaj. Sipas tij, regjistri me nota shumë të larta i aktores ka nevojë të ulet. Ndërkohë që pjesa tjetër e trupës kishte mangësi në komunikim. Për regjisorin Arben Kumbaro, i cili gati një vit më parë ka vënë në skenën amerikane tragjedinë “Gratë e Trojës”, thotë se të vësh një antikitet në skenë, është shumë e vështirë. “Antikiteti ka ca kode, të cilat ishin të njohura për publikun e atëhershëm, tani spektatori nuk është i familjarizuar me to, dhe nuk mund t’i “shesësh” në të njëjtën mënyrë. Ato kanë nevojë për një përkthim që e lidh me kohën. Pavarësisht se janë shkruar dy mijë vjet më parë, ato gjejnë shumë të përbashkëta me ditët e sotshme. Ky përkthim i mungoi shfaqjes”, thotë ai. E duke munguar ky përkthim, atëherë puna e aktorëve nuk është aspak e thjeshtë, ata e kanë të vështirë ta motivojnë lojën e tyre, ashtu sikundër nuk i vjen në ndihmë publikut. Me gjithë përpjekjet e regjisorit, vepra çalon në unitetin e brendshëm. Elementët e shfaqjes, duke filluar që nga skenografia, kostumografia, e cila tentonte të gërshetonte antiken me bashkëkohoren (fustanellë dhe xhaketë lëkure), loja e protagonistes dhe e ansamblit tjetër të aktorëve, duke përfshirë edhe korin, nuk komunikonin lirshëm me njëri-tjetrin. E ndërsa nga ana regjisoriale nuk ishte gjetur ky ngërç, gjithë barra u binte aktorëve, sidomos asaj kryesore. E nëse publiku ka arritur të marrë prej kësaj vepre, është më së shumti meritë e tyre. Duke lënë mënjanë realizimin e veprës, regjisori Robert Budina e quan “Elektrën” një vepër të denjë për skenën e Teatrit Kombëtar, duke iu referuar sidomos lojës së aktorëve. “Do veçoja Luiza Xhuvanin, e cila kishte shpenzuar një energji të jashtëzakonshme për të realizuar rolin dhe arrin kulmin e saj në monologun që ajo ka me vazon që gjoja mban hirin e të vëllait, Monika Lubonjën e cila e freskoi mjaft situatën, sa herë që futej në skenë dhe Vasjan Lamin me monologun ditirambik (kur sjell faktin që Oresti është vrarë), i cili ishte shumë i gjetur dhe po aq i realizuar”, thotë ai. Pak flitet për Orestin e ardhur nga Greqia, i cili ndonëse në fund të veprës ka një peshë jo të vogël, nuk arrin të dalë mbi ansamblin e aktorëve që e rrethon. Pozitivja e kësaj vënie është përpjekja për t’ju qasur veprave serioze e duke iu larguar krijimeve mediokre, nga të cilat skena e Teatrit Kombëtar ka parë jo pak gjatë historisë së tij të demokracisë.

Timo Flloko:Vepër me vlera
Për aktorin dhe pedagogun Timo Flloko, “Elektra” është një arritje. “Ishte një vepër e trajtuar me stil në karakterin e vet, me një aktore të jashtëzakonshme me potencë si Luiza Xhuvani dhe një ansambël të mirë, si Roza Anagnosti, për të cilën publiku ndjen mall, Vasjan Lami, Monika Lubonja, studenti im Laert Vasili, të cilin e shihja për herë të parë në skenë, kori i vajzave, etj. Përgëzoj regjisorin Adonis Filipi dhe koreografen. është një shfaqje serioze, me kërkesa, me synime të qarta për të mbërritur një kuotë në stil dhe vlerë. Jo domosdoshmërisht vepra duhet të trajtojë një temë të ditës, apo drama bulevardeske, që perëndojnë sipas flukseve të fitimit. Teatri duhet t’i kthehet repertorit dhe drejtori Kristaq Skrami, po e bën këtë përpjekje, të cilën e quaj pozitive. Nuk duhet që të humbasin shfaqje me vlera, pasi plotësojnë një numër shfaqjesh”, thotë Flloko. Duke e vlerësuar veprën si aktor, por dhe si dashamirës i teatrit ai thotë se “mund të ketë opinione të kundërta, por këto janë gjithnjë pozitive. Nuk dua të futem në detaje, sa i përket interpretimit, nga shfaqja në shfaqje, ai do të arrijë natyralitetin e vet”.

Mevlan Shanaj:Mungon komunikimi
“Në përgjithësi ishte një punë serioze me mangësira të korrigjueshme. Tek unë kjo vepër erdhi e papërfunduar”, thotë regjisori Mevlan Shanaj, teksa shton se do të kishte dashur ta shihte sërish veprën, për të qenë më i drejtë. Ndërsa vlerëson punën e “përbindshme” të aktores Luiza Xhuvani, e cila gjithsesi ka nevojë të “ulë regjistrat”, regjisori Shanaj thotë se “trupa tjetër e aktorëve ka mangësi në komunikim, në dialog me partnerët dhe një profesionist duhet ta korrigjojë një gjë të tillë”. Sa i përket shfrytëzimit të koreografisë, ai thotë se ndonjëherë ajo kalonte në formale. “Do të thosha fjalë shumë të mira për një aktor të Teatrit Kombëtar, që sa vjen dhe po konsolidohet, Vasjan Lami. Por në logjikën time, në monologun ku tregon mënyrën se si vdiq Oresti, e tejkalon masën. është e ekzagjeruar dhe nga ana e regjisorit duhet të zgjidhej në masën e duhur. Do kishte qenë më mirë, megjithatë, arriti ta përballojë”. Sa i përket rolit të Orestit, të luajtur nga Laert Vasili, të cilin ai e shihte për herë të parë në skenën shqiptare, thotë se ishte brenda ansamblit të aktorëve. “Teatri Kombëtar ka pasur talente më të fuqishme, që dinë të gjejnë akordin me veshin e publikut”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›