PDK-ja fiton Gjilanin
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa ka fituar zgjedhjet e së dielës në Gjilan me 58% të votave, kundrejt kandidatit të Lidhjes Demokratike, Fatmir Rexhepi që mori 42% të votave. Pak kohë pas mbylljes së kutive të votimit, simpatizantët e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan dolën për të festuar në rrugë fitoren e kandidatit të kësaj partie, ende pa u shpallur zyrtarisht rezultatet. Lidhja Demokratike ndërkaq ka pranuar humbjen, por kandidati i saj, Rexhepi e ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve të dëmshëm për demokracinë. Në zgjedhjet e së dielës në komunën e Gjilanit, zgjedhjet që u mbajtën për të tretën herë brenda një harku kohor prej pesë muajsh, morën pjesë mbi 41% e votuesve. Zgjedhjet u përsëritën pas parregullsive të konstatuara në dy raundet e para të votimeve dhe mosnjohjes së rezultateve nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Rezultatet paraprake u shpallën rreth mesnatës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.