Francë, socialistët fitojnë zgjedhjet lokale
Të majtët fitojnë raundin e parë në Francë. Franca zhvilloi ditën e diel zgjedhjet lokale, të cilat u konsideruan si referendum për Presidentin Nicolas Sarkosy. Sarkosy, i cili ka dy vjet e gjysmë në pushtet hodhi votën në Paris bashkë me bashkëshorten e tij Carla Bruni. Të majtët u paraqitën mirë në këto zgjedhje, duke i shkaktuar një disfatë konservatorëve të Presidentit Sarkosy, të cilët fajësohen nga shumë votues se nuk mbrojtën vendet e punës gjatë periudhës së krizës ekonomike. Presidenti Nicolas Sarkosy pësoi një disfatë në shkallë vendi nga ana e votuesve, të cilët me zhgënjimin e tyre për shkak të problemeve ekonomike favorizuan të majtët e opozitës në zgjedhjet lokale. Rezultatet zyrtare thuajse të plota tregojnë se kandidatët socialistë dhe të tjerë të së majtës dominuan në zgjedhjet lokale, që përbënin raundin e parë të votimeve në 26 rajonet e Francës. Raundi i dytë vendimtar mbahet më 21 mars. Kandidatët e majtë morën 53.6 për qind të të gjitha votave, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme. Partia konservatore UMP e Sarkosy-së ka marrë 39.8 për qind. Partia e gjelbër “Europe Ecologie” doli e treta dhe Fronti Kombëtar, i katërti. Shumë francezë fajësojnë Presidentin Sarkosy se nuk mbrojti vendet e punës në kushtet e krizës ekonomike, më e rënda në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore. Socialistët, të cilët kanë qenë të përçarë për një kohë të gjatë, po përfitojnë nga ky zemërim. Megjithëse fushata u përqendrua te problemet rajonale si rrugët dhe vendet e punës, shumë francezë i panë këto zgjedhje si referendum për zotin Sarkosy. Anketat tregojnë se në raundin e dytë socialistët dhe aleatët e tyre do të fitojnë shumicën dërrmuese në zgjedhjet lokale.