Restaurohet thesari i amfiteatrit të Durrësit
Gërmimet arkeologjike të verës që shkoi zbuluan një sasi monedhash që i janë nënshtruar restaurimit. Veç monedhave bizantine, për herë të parë janë zbuluar edhe monedha turke, për të cilat restauruesi Frederik Stamati shprehet se do të jenë shumë të rëndësishme për një studim të mëvonshëm
Për shekuj nën tokë, dy thesare monedhash të amfiteatrit antik të Durrësit i janë nënshtruar restaurimit. Monedhat u zbuluan gjatë ekspeditës së verës së 2009-ës nga ekspedita e përbashkët italo-shqiptare, që i rikthehet për të disatën herë amfiteatrit antik. Ndonëse jo të shumta në numër, këto thesare u përkasin dy periudhave të ndryshme kohore, me një diferencë prej 6 shekujsh nga njëri-tjetri. Pas një pune disamujore, Frederik Stamati, shefi i Laboratorit të Arkeometrisë dhe Restaurimit, shprehet se zbulimi dhe restaurimi i këtyre monedhave do të ndihmojë në studimin mbi qarkullimin e tyre në kohë të ndryshme në territorin shqiptar. Sipas tij, thesari i parë përbëhet nga 8 copë monedha të periudhës së Bizantit.
Ato janë prej bronzi. Bëjnë pjesë në të ashtuquajturat monedha anonime, të përdorura në një shtrirje kohore rreth dy shekullore. “Mund të datojnë rreth shekullit XIII, megjithatë do të jetë studimi arkeologjik ai që do të përcaktojë saktësisht gjithçka. Monedhat u gjetën të bashkuara me njëra-tjetrën, gjë që dëshmon se këto kanë qenë të futura në një qese të vogël. Ato ishin salduar bashkërisht nga produktet e korrozionit. Restaurimi u paraqit i vështirë, por u krye me sukses. Tashmë është i mundshëm studimi i tyre”, shprehet Stamati. Ndërsa thesari i dytë përbëhet nga 23 monedha turke. Ato janë prej argjendi, me përzierje bakri. Natyrisht kanë vlerë këmbyese më të madhe në krahasim me monedhat e tjera.
Nga vëzhgimet paraprake mendohet se datojnë nga viti 1804, deri në vitin 1839. “Më e rëndësishmja në këtë grup është ajo e dyta për nga madhësia dhe i takon vitit 1808. Tugra, e cila është simbol i secilit sulltan, përmban shkrimin: “Mahmuti, i biri i Abdyl Hamitit. Gjithmonë fitimtar”. është një tip monedhe shumë e njohur dhe me shumë vlerë, e prerë në Stamboll”, thekson specialisti. Sipas tij, i takon kohës kur në Ballkan filluan marrëdhëniet kapitaliste. Zhvillimi i madh, veçanërisht në tregti, solli edhe qarkullimin e një sasie më të madhe monedhash. Monedha turke për të cilën po flasim është një nga më të qarkulluarat në tregun shqiptar.
Ashtu si monedhat bizantine, edhe këto turke janë gjetur të vendosura njëra mbi tjetrën, gjë që i bën specialistët të besojnë se edhe ato kanë qenë vendosur në qese, e ndoshta i kanë takuar ndonjë fajdexhiu që mbante monedha të ndryshme. Pas restaurimit, pjesa më e madhe e tyre u bënë të lexueshme. Sipas Stamatit, këto monedha mund të jenë përdorur edhe për zbukurime në veshjet e grave, nisur nga një brimë e dallueshme në secilën prej tyre. Kjo ishte hera e parë e gjetjes së një thesari me monedha turke.
“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse do të bëjë të mundur të realizohet një studim përkatës për një kategori monedhash të pavlerësuara më parë. Thesaret janë të rëndësishëm, edhe kur janë të vegjël. Ata japin dëshmi të vyera për qarkullimin monetar dhe kohën. Mbas gjetjes së këtyre dy thesareve, shkon të paktën në katër numri i thesareve të zbuluara në amfiteatrin e Durrësit, ku me sa duket banonte një pjesë e pasur e popullsisë së qytetit”, thekson Stamati. Më parë, Stamati, shef i të vetmit laborator restaurimi në Shqipëri, ka bërë thirrje për monedha të shumta që po prishen si pasojë e mungesës së restaurimit.
Mes tyre ka edhe dëshmi të rëndësishme historike, të cilat me kalimin e kohës edhe mund të rrezikojnë të zhduken. Restaurimi i thesareve të Durrësit, të zbuluara në kuadër të bashkëpunimit shkencor midis Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Universitetit të Parmës, u bë në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë pranë QSA-së dhe kjo i hap rrugën studimit të tyre.
#