Ermela: Dyshoj për një fejesë me Ervinin

Në shtëpinë e BB më në fund çifti Neda-Ogreni vendos të bëjnë paqe. Si shenjë e marrëveshjes së tyre, ata puthen në buzë. Ermela diskuton me Ergysin për fejesën
Pasi zgjohen vonë në mëngjes, banorët dalin në oborr për të pirë kafe e cigare. Ndërkohë, Ermela dhe Ergysi qëndrojnë në dhomë duke biseduar. Ermela i tregon për jetën e saj. Ajo shprehet se ka pasur probleme financiare në familje e ka punuar që t’i përballojë shpenzimet e saj e të ndihmojë familjen. Ergysi e këshillon se Ermela është në kohë për t’u fejuar e duhet të gjejë një djalë që të kenë harmoni, besim e qetësi mes tyre. Vetëm dy javë pasi i dashuri i saj, Ervini, ka lënë shtëpinë e Big Brother, biondja Ermelë i përgjigjet Ergysit se nuk është kundër këshillës së tij, por duhet të gjejë një person të përshtatshëm më parë. Si për ironi, vetëm pak ditë më parë, Ervini është shprehur në media se do të dëshironte të krijonte një të ardhme me Ermelën, pse jo të martoheshin. Ergysi shprehet se ajo duhet ta marrë edhe Ervinin në konsideratë, pasi ai e ka dashur shumë sa kohë ishte në shtëpi. Ermela përgjigjet se do ta shohë si do të shkojë lidhja e tyre kur të dalin, por është pak skeptike pasi Ervini ka jetuar jashtë dhe ka parime të ndryshme prej të sajave. Ai thotë se djali mjafton të jetë i edukuar, të sillet mirë me të e Ermela përgjigjet se nuk kërkon më tepër. Ajo shton se Ervini i ka hedhur nja dy fjalë për këtë temë, por ajo nuk mund të mendojë një përgjigje definitive që tani. Neda e thërret Ermelën e i thotë me shaka se Algeni ka hedhur mendimin që të pestë banorët që janë në nominim, të flenë bashkë. Ermela nuk reagon shumë e Ergysit i thotë se Neda është si fëmijë. Ergysi shprehet se Neda është si “Liza në botën e çudirave”. Në anën tjetër të shtëpisë, Shkëlqimi qëndron në kuzhinë i vetëm dhe këndon një këngë që dëgjon në sfond. Ai fton Marielin të kërcejnë dhe me një fshesë në dorë përshkojnë gjithë oborrin duke kërcyer rock. Ata kalojnë disa momente gazmore duke dëgjuar këngën në sfond dhe e vazhdojnë kërcimin edhe brenda shtëpisë. Më pas, Marieli, Shkëlqimi dhe Ergysi qëndrojnë në kuzhinë dhe mendojnë se çfarë do të hanë për mëngjes. Shkëlqimi përgatit një kakao edhe për Klodin, e cila qëndron në oborr duke marrë rreze dielli. Marieli llogarit se sa ditë qëndrimi u janë bërë në shtëpinë e Big Brother dhe thotë se kjo është dita e dyzet e nëntë e së bashku me Ergysin shprehen se koha ka kaluar shumë shpejt pasi ditët kanë qenë të mbushura me aktivitet dhe hare. Ata flasin dhe për ndjenjën e Petritit ndaj Klodit e Shkëlqimi tregon se Petriti i ka thënë se ka hequr dorë nga Klodi pasi ka marrë konfirmimin që ajo nuk e do. Fill pas kësaj, banorët bisedojnë për një mbrëmje më parë, që e kanë kaluar në karaoke. Ata shprehen se u ka pëlqyer shumë ajo surprizë dhe sidomos videoja me miqtë e banorëve që kanë pasur ditëlindjen, pra Shkëlqimi, Klodi dhe Ogreni. Banorët u tregojnë njëri-tjetrin për ëndrrat që kanë parë, e kryesisht kanë parë familjarët, ndërsa Alma thotë se ka parë Alkenën dhe është çmallur me të. Ndërkohë, Algeni, Jonela dhe Shkëlqimi qëndrojnë në kuzhinë dhe Jonela komplimenton Shkëlqimin për motrën e tij, të cilën e ka parë në videon e shfaqur një natë më parë. Më pas të gjithë banorët mblidhen në oborr dhe komentojnë provën e djeshme të lojës së futbollit. Ergysi shprehet se Ogreni vetëm u ka prishur punë gjatë lojës, ndërsa Klaudja është nervozuar pasi është rrëzuar dy herë.