Rikthimi i bujshëm i Ricky Martin

Këngëtari latin, baba i dy djemve binjakë, që nga deklarimi i homoseksualitetit të tij, pauza artistike, marrja e çmimit për meshkujt gej, si dhe roli i Che Guevarra-s në Brodway
Ai u shfaq pak kohë më parë si një mashkull homoseksual, shkroi një biografi bestseller dhe pas një pauze 6-vjeçare, sapo ka nxjerrë në tregun muzikor albumin më të ri të titulluar “Musica+Alma+Sexos”. Të mos përmendim pastaj faktin që prej dy vitesh po kryen rolin e babait të përkushtuar ndaj binjakëve Valentino dhe Matteo. Në një intervistë të dhënë në fundmi, 39-vjeçari ka folur rreth atësisë, albumit të ri dhe faktit që mezi pret të ngjitet në skenë.
Çfarë ka rezervuar 2011-a për Ricky Martin
Së pari, një axhendë super të ngjeshur me turne. “Mezi pres të ngjitem në skenë. Por, kjo do të jetë gjithashtu një periudhë relaksi, besojeni ose jo, sepse pasi kam shkruar librin dhe kam përgatitur albumin e ri, jam mbyllur për vite në studio dhe tani kam mundësinë për të parë reagimin e audiencës. Për rreth 2 vite kam prodhuar, ndaj tani është koha të shijoj mrekullinë e skenës dhe të lëviz anembanë botës në vendet ku do performoj.
Çfarë presin fansat nga “Musica+Alma+Sexos”?
Ky album nuk i kushtohet vetëm një grupi njerëzish. Ai është për jetën në përgjithësi dhe për rrugën shpirtërore që kalon çdokush. Ka momente në jetë ku gjithçka duhet lënë të kalojë, ka të tjera kur jeta duhet shijuar, por nuk mungojnë momentet depresive kur gjithsecili duhet të përballet me situata dhe emocione që dëshiron t’i evitojë. Për këtë flet muzika. “Unë mendoj se çdokush mund ta gjejë veten tek ajo që unë dua të them, pasi ky album i jep rëndësinë vetërespektit dhe dinjitetit.
Gjëja më e mirë e Ricky-t?
Cila është kjo?! Janë fëmijët e mi. Shumë njerëz më thonë: Uau, ti, një baba beqar me dy binjakë, kjo është çmenduri! Fëmijët mund të jenë të papërmbajtshëm, por unë nuk do ta ndërroja këtë ndjesi me asgjë tjetër në botë. Çdo ditë ata më mësojnë mua gjëra nga më të ndryshmet. Dashuria është këtu, me ata. Kur ata të thonë: “Babi, të dua”, nuk mund të ketë diçka më të bukur.
Por, çfarë i ka mësuar Ricky-t atësia?
Natyrisht, mësime të panumërta për thjeshtësinë dhe dashurinë e pakushtëzuar. Nuk dua të tingëllojë kjo gjë si një klishe, por ja që është kështu. Ne e dëgjojmë këtë gjë çdo ditë, por ja që kur e përjeton këtë dashuri kaq të fortë, është thjesht e mrekullueshme.
Fëmijët janë muzikantë të vërtetë...
Kjo është e çuditshme dhe nuk është se unë i kam shtyrë drejt kësaj gjëje. Një ditë, unë i çova në një dyqan lodrash dhe ata shkuan direkt te një piano e vogël. Që të dy.
Seks-simboli, çfarë kujton nga “stuhia” në SHBA gjatë viteve ’90?
Shumë punë dhe një adrenalinë të çmendur. E lashë veten të joshesha nga egoja. Doja thjesht të isha në majë të botës dhe të pëlqehesha nga gjithkush. Por, nuk më vjen keq për asnjë moment që ka kaluar. Qe e mrekullueshme të shikoje reagimin e Amerikës, që të pranonin atë te e cila unë kisha investuar gjithçka. Një ditë, unë po shkoja me biçikletë nga shtëpia, në shkollë, e pastaj në kishë. Bëra një audicion për një bandë muzikore që ishte shumë e famshme në Amerikën Latine, Menuda. Që atëherë u shndërrova nga thjesht një fëmijë, në një seks-simbol. Por, kur je 12 vjeç, ti pyet veten: Çfarë është seksi? Sepse unë nuk e kisha fare idenë... A isha gati unë për të qenë një seks-simbol dhe a e dija se çfarë do të thoshte kjo?! Gjithçka që unë dija, ishte fakti se kudo dhe kurdo që tundja prapanicat në skenë, vajzat çmendeshin pas meje. Këtë ma solli muzika, por seks-simbol mund të bëhesh edhe përmes filmit. Tani që e mendoj, ka edhe disa politikanë që mbajnë statusin e seks-simbolit. Por, a është kjo diçka për të cilën njerëzit duhet të luftojnë që ta kenë?! Jo, të qenit seksi është shumë natyrale, ndërsa kulturalisht ne tërhiqemi në mënyrë seksuale edhe ndaj muzikës, kërcimit, mënyrës se si flirtojmë me muzikën etj. Pra, kjo gjë është këtu, mos luftoni për ta pasur. Thjesht lëreni veten të lirë dhe kënaquni me vetveten.
Dashuria universale për fansat
Kur vjen puna te koncertet dhe turmat, ne jemi të gjithë njëlloj, pasi sillemi njëlloj. Kur dal në skenë, unë them: Zonja dhe zotërinj, jemi këtu për t’u kënaqur, guxoni të bëheni edhe qesharakë po deshët. Është njëlloj sikur unë t’i çoja ata në ishujt Karaibe dhe ata të ndihen sikur janë me pushime. Unë kam performuar në Kinë, Francë, Nju Delhi, Indianapolis dhe çdo njeri e ka lënë veten krejt të lirshëm për t’u kënaqur. Mendoj se kjo është ajo që unë po bëj përmes muzikës. Mendoni sa keq do të ishte sikur një koncert të ishte vetëm kaq: “Unë jam filani, nga x vend, ndërsa ju jeni nga ky vend ku unë po performoj sonte”. Kjo do të ishte shumë shëmtuar. Në fakt, ideja ime është ajo e unitetit!
Si e përballon presionin e famës?
Jam shumë me fat, pasi rrethohem nga njerëz të mrekullueshëm. Kam përreth persona që një ditë të bukur më thonë: Ej, nuk qenke mirë, diçka s’po të ecën mbarë. Shikoni, unë kam pasur pranë gjithmonë nënën time, ndërkohë që miqtë e mi aktualisht, janë të njëjtët që kam pasur që në moshën 12-vjeçare. Ata më thonë: Ej, çfarë pate dje? U tregove budalla fare. Kjo gjë më pëlqen, pasi janë të vërtetë.
Mesazhi i Ricky Martin për ata që luftojnë me identitetin...
Të gjithë kalojmë nëpër procese të ndryshme shpirtërore. Kjo gjë shpesh është shumë e vështirë. Disa njerëz përleshen në këtë proces kur janë adoleshentë, ndërsa ca të tjerë janë te të 50-at dhe ende luftojnë. Disa njerëz kalojnë gjithë jetën e tyre, madje vdesin pa qenë dot në gjendje të pranojnë vetveten. Por, kjo gjë është shumë personale mendoj dhe ka të bëjë me autostimën e çdo personi.
Zëri i komunitetit gej!
Nuk kam asnjë lloj presioni. Ndjehem shumë mirë me atë që kam bërë dhe po bëj. Kam qenë aktivist për të drejtat e njeriut për shumë vite me radhë. Sot jam ai që jam dhe kam mundësinë të jem para kamerave duke u folur miliona njerëzve që më shohin. Pasi shkrova librin dhe shkova në show-n e Oprah Winfrey, shumë njerëz që më afroheshin, më thoshin: “Ricky, faleminderit, pasi sot unë sot pranohem ndryshe falë teje! Faleminderit sepse ndihem ndryshe!” Kështu që unë ndihem mirë sepse kam një familje të mrekullueshme dhe fjalët “familje jofunksionale” nuk ekzistojnë në jetën time. Një ditë, ndodhesha në një dyqan dhe një 13-vjeçar më tha: “Ricky, ne të dy jemi njëlloj. Ti pëlqen djemtë, edhe unë i pëlqej ata. E di çfarë, - vijoi ai, - kjo është mami im dhe është e lumtur për mua”. Më erdhi ta përqafoja atë dhe mamanë e tij, sepse për shkak të shoqërisë sonë ose fesë, shpesh prindërit ushtrojnë mjaft presion mbi fëmijët e tyre. Në fakt, dy ditë më parë, shoqata e quajtur GLAAD, organizëm i homoseksualëve dhe lesbikeve amerikane, nderoi me çmimin “Vito Russo” Ricky Martin, me motivacionin se është një homoseksual që lufton publikisht për të drejtat e barabarta. “Pranimi i homoseksualitetit nga Ricky ishte një lajm inkurajues për shumë homoseksualë dhe transeksualë të rinj me origjinë latine”, shkruhej në deklaratën e GLAAD. Martin do të marrë çmimin prestigjioz në një ceremoni që do të zhvillohet në Nju Jork muajin e ardhshëm. Aktorja fituese e çmimit “Emmy”, Kristin Chenoweth, gjithashtu do të nderohet, pasi kritikoi një artikull të “Newsweek”, ku shkruhej se aktorët gej nuk mund të luajnë bindshëm në rolin e njerëzve heteroseksualë.
Ricky shndërrohet në Che Guevara
Brodway është mjaft i ashpër dhe kritik, megjithatë unë mendoj se jam gati ta përballoj këtë gjë. Për këtë qëllim, unë do të luaj në një shfaqje që titullohet “Evita” rolin e Che Guevarra-s, ndërsa Evitën do ta interpretojë Elena Roger. Ej, do të punoj me Andrew Lloyd Weber. Nuk do të jetë e lehtë, sidomos në një vend si Brodway, ku ka shumë talente, por ne do të përpiqemi të japim më të mirën nga vetja jonë. Mezi pres ta bëj këtë gjë!