Të gjithë presin Ariun e Artë!

Postdamer Platz është një nga zonat e Berlinit që falë rinovimit arkitektonik të viteve ‘90 i ka dhuruar këtij qyteti skenografinë moderne të një rilindjeje urbane kaq të pritshme pas shembjes së murit. Çdo vit në muajin shkurt, jeta e këtij qyteti zhvendoset në këtë zonë mes turistëve të shumtë, fotografëve, gazetarëve e një tapeti të kuq i cili shtron rrugën para Berlinale Palast (Pallati Berlinal) ku bën sfond e shkruara “Internationale Filmestspiele Berlin 10–20.2.2011”. Është Festivali i 61-të Ndërkombëtar i Filmit në Berlin, i njohur nga profesionistët shkurt “Berlinale”, një nga takimet më të rëndësishme të industrisë kinematografike evropiane e botërore, i organizuar çdo vit me profesionalizëm e mbi të gjitha me dashurinë pasionale për kinemanë.
Postdamer Platz është një nga zonat e Berlinit që falë rinovimit arkitektonik të viteve ‘90 i ka dhuruar këtij qyteti skenografinë moderne të një rilindjeje urbane kaq të pritshme pas shembjes së murit. Çdo vit në muajin shkurt, jeta e këtij qyteti zhvendoset në këtë zonë mes turistëve të shumtë, fotografëve, gazetarëve e një tapeti të kuq, i cili shtron rrugën para Berlinale Palast (Pallati Berlinal) ku bën sfond e shkruara “Internationale Filmestspiele Berlin 10–20.2.2011”.
Është Festivali i 61-të Ndërkombëtar i Filmit në Berlin, i njohur nga profesionistët shkurt “Berlinale”, një nga takimet më të rëndësishme të industrisë kinematografike evropiane e botërore, i organizuar çdo vit me profesionalizëm e mbi të gjitha me dashurinë pasionale për kinemanë.
Më shumë se 19 000 profesionistë të kinemasë të ardhur nga 128 shtete të botës, 4 000 gazetarë e fotografë, 400 filma të projektuar, 300 000 bileta të shitura, takime, diskutime, ekspozita, art, glamour e festime është atmosfera e ditëve të tij. Edicioni i sivjetshëm u hap me një apel të fortë në mbrojtje e respekt të të drejtave të njeriut. Gjatë konferencës për shtyp të jurisë së festivalit kryesuar nga Isabella Rosellini e me anëtarë aktoren Nina Hoss, produktorin Jan Chapman, aktorin, regjisorin e produktorin Aamir Khan, kostumisten Sandy Powell e regjisorin Guy Maddin gjendej dhe një karrige bosh. “Është vendi i rezervuar për regjisorin iranian Jafar Panahi, - pohon drejtori i Festivalit të Berlinit Dietter Kosslick, - e kishim ftuar atë për të qenë anëtar i jurisë internacionale të 2011. Por, në dhjetor të 2010-s u arrestua, u dënua me gjashtë vjet burg e me heqjen për 20 vjet të së drejtës për të ushtruar artin e kinemasë. Do të përdorim çdo mjet tonin për të kundërshtuar këtë urdhër drastik”. “Ne nuk i humbim shpresat, - u shpreh dhe kryetarja e kësaj jurie aktorja Isabella Rosellini, - e duam të kujtojmë rëndësinë e lirisë së fjalës, mendimit e të realizmit të veprave. Jafar është një ambasador i kulturës së vendit të tij e një njeri me mjaft dinjitet. Ne e duam të jetë këtu”.
Më 11 shkurt, në ditën e përvjetorit të revolucionit iranian e në nderim të regjisorit të burgosur nga regjimi i Ahmadinejadit, në sallat e Festivalit të Berlinit do të transmetohet filmi i tij “Offside”, fitues i “Ariut të argjendtë” në festivalin e vitit 2006. Ndërsa më 17 shkurt “Berlinale Talent Campus” e “Cinema Film Fund” do të organizojnë një panel diskutimi nën titullin “Kinemaja e censuruar” me prezencën e artistëve iranian Rafi Pitts e Ali Samadi Ahadi, pjesëmarrës në edicionin 2010, Sepideh Persiano më 2009, si dhe me shkrimtaren e aktivisten Mehrangiz Kar.
Festivali i parë i filmit në Berlin u mbajt më 6 qershor të viti 1951 në sallat e kinemasë “Titania-Palast”, u themelua e u drejtua nga Alfred Baure nën iniciativën e ushtarëve gjermanë që pushtuan pjesën perëndimore të qytetit pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Filmi i parë i projektuar në Berlinale qe “Rebbecca, gruaja e parë” e regjisorit Alfred Hitchcock. Ariu është simboli i qytetit të Berlinit e bëhet njëkohësisht simboli i çmimit të këtij festivali: “Der Golden Bar”- “Ariu i Artë” e “Ariu i argjendtë”. Që nga krijimi i tij më 1951 e deri më sot së bashku me Festivalin e Venecias e të Kanës është një nga eventet kinematografike më të rëndësishme në Evropë. Festivali i Berlinit është një platformë shërbimi i artit kinematografik e i industrisë së filmit. Objektivi i tij është promovimi i bashkëpunimit të kulturave duke prezantuar filma inovativë e më cilësi të lartë. Festivali i Berlinit është i përbërë nga disa sektorë: Konkursi - ku marrin pjesë filmat e realizuar nga producentët më të mirë kinematografikë; Panorama - filmat e pavarur e arthouse; Generation - filma dedikuar një publiku të ri; Perspektive Deutsches Kino - një fokus i kinemasë bashkëkohore vendase; Forum - një peizazh kinematografik i vendeve të largëta; Berlinale Shorts - dedikuar filmave me metrazh të shkurtër; Berlinale Special - një retrospektivë kushtuar sivjet Ingmar Bergman e Armin Mueller-Stahl. E për të pestin vit radhazi prezantohet në këtë film seksioni Culinary Cinema - ku pas projektimit prezantohen pjata të shijshme të gatuara nën frymëzimin e tematikës së filmit të sapo shikuar. Një event tradicional i pritshëm i ditëve të Festivalit të Berlinit është dhe ekspozita fotografike e artistit Gerhard Kassner, që prej disa vitesh fokuson me aparatin e tij të gjithë yjet e kinematografisë botërore të pranishëm në Berlinale.
Festivali i 61-të Ndërkombëtar i filmit në Berlin ka sivjet në garë 16 filma, 13 prej të cilëve projektohen për herë të parë, prej të cilëve do të dalin dhe fituesit e “Ariut të Artë”, “Ariut të argjendtë”. Në ditën e parë të tij u transmetua filmi i regjisorëve, vëllezërve Coen, shumë të adhuruar nga kritika. Filmi i tyre uestern “Thirrja”, që është në garë për fitimin e “Oscar” 2011 me njëmbëdhjetë nomination, është një remake i filmit me të njëjtin emër të vitit 1969 me një protagonist të paharruar si John Wayne e me një interpretues aktual aktorin Jeff Bridges. Duke mbetur në zonën “Oscar” gjatë ditëve të këtij festivali do të projektohet dhe një nga filmat më favorizues për fitimin e këtij çmimi “Fjalimi i mbretit” i Tom Hooper me 12 kandidatura “Oscar” e me të mrekullueshmin Colin Firth. Historia e monarkisë angleze në vitin kur Eduardi VIII abdikon nga froni për të martuar amerikanen e divorcuar Wallis Simpson është tema e filmit “W.E.” sjellë në këtë festival nga popstari Madona e cila prezantohet për herë të dytë në Berlinale (pë herë të parë më 2007). Një debutim në regji shënon për këtë vit dhe aktori Ralph Fiennes (The Constant Gardener; The Hurt Locker) që prezanton “Coriolanus”, një triller politik bazuar në dramën me të njëjtin emër të William Shakespeare, ndërsa “Margin Call”, me Kevin Spacey, Paul Bettany, Demi Moore, Jeremy Irons, vepër e J. C. Chandor për krizën financiare të 2008-s është filmi që do të sjellë në ekran numrin më të madh të yjeve të kinematografisë. Gjithashtu, në garë janë filmat “Come Rain Come Shine”, “Unknown – Pa indentitet”, me Liam Neeson e Diane Kruger, e “The Turin horse”, vepër e mjeshtrit hungarez Bela Tarr që tregon episodin dramatik të jetës së filozofit të madh gjerman Friederich Nietzsche në Torino në fund të ‘800. Regjisori Wim Wenders do të sjellë në këtë festival dokumentarin e tij për koreografen e madhe Pina Bausch, ndërsa Werner Herzog me “Cave of Forgotten Dreams” do të marrë pjesë me një dokumentar fantastik kushtuar pikturave prehistorike në Grotta Chauvet në Francë.
Presidentja e jurisë, aktorja dhe modelja Isabella Roselini, do të prezantojë në Festivalin e Berlinit e jashtë konkurrimit filmin e saj të fundit si interpretuese “Late Bloomers” i Julie Gavras e me William Hurt.
Artistë nga të gjithë bota janë të impresionuar nga Berlini e konsiderojë kryeqytetin e kinemasë gjermane e vendit e takimit të kinemasë së lindjes me perëndimin, me një shoqëri të larmishme e një publik shumë kërkues.
“Think film - think Berlin is bound to spring to mind” - “Të mendosh film e të mendosh Berlin përcakton të njëjtën gjë në memorie” është një nga shprehjet më të njohura në ambientet botërore kinematografike.
“Kinemaja është mbi të gjitha një tregim, - u shpreh në konferencë për shtyp anëtari i jurisë Aamir Khan, - kërkoj diçka që të më përfshijë, që të reflektojë mbi jetën e njerëzit e mbi të gjitha të më njoh me diçka nga bota”.
“Unë shpresoj mbi të gjitha të shoh filma të mëdhenj, - vazhdon mendimin anëtari tjetër Guy Maddin, - nuk do limitohem në gjykimin estetik, pasi çdo film ka një përmbajtje politike e mungesa e Jafar Panahi demonstron forcën që ka përmbajtja e një vepre”.
Letra e hapur e Jafar Panahi me rastin e hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin
Regjisori i njohur iranian Jafar Panahi mjaft i vlerësuar artistikisht në botë e fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, si “Luani i Artë” në Kanë, “Ariu i argjendtë” në Berlin etj., u arrestua më 2 mars të vitit 2010 si pjesëmarrës i manifestimeve kundër regjimit diktatorial të Ahmadinejadit. Nën presionin e organizatave ndërkombëtare në mbrojtje të lirisë së njeriut e nën mobilizimin e artit të kinematografisë botërore qeveria iraniane e lë të lirë më 24 maj. Më 20 dhjetor 2010, ai arrestohet përsëri e dënohet me gjashtë vjet burg e me pamundësinë për të shkruar, drejtuar e prodhuar film, për të dhënë intervista brenda e jashtë Iranit për 20 vjet. Kjo letër prekëse e regjisorit iranian Janafi Panahi për Festivalin e 61-të Ndërkombëtar të Filmit në Berlin ku ishte ftuar të merrte pjesë si anëtar i jurisë së tij, tingëllon si himn i një revolucioni të realizuar nga arti i shtatë, kinematografia.
Bota e një filmbërësi është një gërshetim midis realitetit e ëndrrës. Filmbërësi përdor realitetin si një burim frymëzimi, e pikturon me ngjyrat e imagjinatës së tij e realizon filma që janë një projektim i shpresave e i ëndrrave të tij
Realiteti është se në pesë vjetët e fundit më është ndalur të bëjë filma e aktualisht jam dënuar zyrtarisht të privohem nga kjo me drejtë për 20 vjet të tjera. Por di se me imagjinatën time do të vazhdojë të shndërroj ëndrrat e mia në film. Si një filmbërës socialisht i vetëdijshëm rinjoh se nuk do jem më në gjendje të përfaqësojë preokupimet e problemet e përditshme të popullit tim, por nuk do mohojë mundësinë të ëndërrojë se pas 20 vitesh të gjitha këto probleme do të shuhen e unë do të bëj filma mbi paqen e begatinë e vendit tim, kur ta kem mundësinë ta bëjë përsëri.
Realisht është se më kanë ndaluar nga mundësia për të menduar e shkruar për 20 vitet e ardhshme, por nuk do ja dalin të më ndalojnë të ëndërroj se pas 20 vitesh inkuizicioni e frika do t’i kenë lënë vendin lirisë e mendimit të lirë.
Më kanë ndaluar nga mundësia për të parë botën për 20 vitet e ardhshme. Shpresoj se kur të jem i lirë mund të udhëtoj në një botë pa barrikada gjeografike, etnike e ideologjike, ku njerëzit jetojnë së bashku në liri e paqe, pavarësisht besimeve e bindjeve të tyre.
Më kanë dënuar me 20 vjet heshtje. E megjithatë, në ëndrrat e mia ulëras që të vijë një ditë ku të tolerojmë e të respektojmë opinionet reciproke, të jetojmë njëri për tjetrin.
E vërteta e dënimit tim në fund të fundit është se do bëj gjashtë vjet burg. Për gjashtë vitet e ardhshme do jetojë me shpresën se ëndrrat e mia do të bëhen realitet. Uroj që filmbërësit në çdo cep të botës të realizojnë filma kaq të bukur që kur të dalë nga burgu do të më bëjnë të dëshiroj të vazhdoj të jetoj në botën që ata kanë imagjinuar me veprat e tyre.
Pra nga ky moment e në vazhdim për 20 vjet më radhë do të jem i detyruar të hesht. Do të jem i detyruar të mos shoh, do të jem i detyruar të mos mendoj e do të jem i detyruar të mos realizoj filma.
I nënshtrohem realitetit të burgut e atyre që më mbajnë të burgosur. Do të kërkoj në filmat tuaj shfaqjen e ëndrrave të mia, duke shpresuar të gjej në to atë nga e cila jam privuar.
Jafar Panahi