E Diel, 1 Nëntor 2026

Ernesto Garcia sjell poezinë amerikano-latine



Për herë të parë, një përfaqësues i poezisë amerikano- latine viziton Shqipërinë. Ai ka lindur më 1960, në Santa Tecla, në El-Salvador dhe që prej vitit 1980 punon dhe jeton në Barcelonë të Spanjës. Emri i tij është Carlos Ernesto Garcia dhe vepra me të cilën i prezantohet publikut shqiptar është vëllimi poetik “Unë nuk kam shtëpi”. Ky vëllim është sjellë për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese “Dita 2000” dhe përfaqëson një përmbledhje të poezive të tij të përzgjedhura tri vëllimet “Derisa kolera të kalbet” (Barcelonë, 1994), “Një pikënisje për dashurinë” (Barcelonë, 1996) dhe “Valixhja në papafingo”(Jaen, 2009).
Antologjia me titullin “Unë nuk kam shtëpi” është botuar në El Salvador në vitin 2009. Gjithashtu, Carlos Ernesto Garcia ka botuar një libër me novela, të titulluar “ëndrra e dragoit”, në të cilën rrëfen për udhëtimin e tij përgjatë lumit Jance, në Kinë. Mbështetur mbi librin e tij, “Nën hijen e Sandinos”, bazuar në intervistat e marra nga ish-komandantët e Frontit të Sandinëve për çlirimin kombëtar të Nikaraguas, është duke u realizuar një film dokumentar, i cili do të shfaqet këtë vit. Vepra poetike e Garcias është përkthyer në gjuhe të ndryshme, si angleze, kineze, arabe, italiane, holandeze. Carlos Ernesto Garcia është poet, intelektual dhe aktivist shoqëror, që jep kontribut të madh për fëmijët në vendet e varfra, në ndihmë të edukimit të tyre, duke bashkëpunuar me UNICEF-in. Vepra e Garcias është njohur e vlerësuar nga kritika në shumë vende të botës. Në një koment të bërë prej kritikes dhe pedagoges së Letërsisë në Universitetin e Granadës, Ana Gallega Cuinas, thuhet: “Carlos Ernesto Garcia shkruan për të kujtuar, për të fiksuar (si një imazh, si një fotografi) një ndjesi, në një mënyrë të atillë që arrin të transformojë poezinë e çasteve të eksperiencës, në çaste të absolutes. Vazhdimësia e poetikës të këtij poeti, bëjnë thirrje me transparencën e formës, ashpërsisë gjuhësore, shkurtësinë, densitetin e gjuhës dhe paralelizmin si për të thënë amen dhe fiksimin me saktësi të imazhit që do të shkëpusë”. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, poeti do të marrë pjesë në takime me lexues dhe të rinj të disa qyteteve të vendit, si në Pogradec, Elbasan, Shkodër, Durrës e Tiranë, ku do të mbyllet edhe vizita e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›