E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranvera artistike udhëton nëpër Shqipëri



“Në Pranë Verë” titullohet ngjarja më e re artistike e Art Kontakt-it, e quajtur ndryshe edhe një festë, ku sipas organizatorëve është menduar të ketë veç punëve me ndjeshmëri të mirë profesionale, një larmi teknikash në fushën e artit pamor, me pjesëmarrje artistësh shqiptarë dhe të huaj, ku do të realizohen edhe biseda debatuese rreth gjendjes së sotme të artit pamor në Shqipëri. “Mënyra më e mirë për të hyrë në marrëdhënie me botën është arti, mënyra më e mirë për t’ju shmangur botës është arti”, me këto fjalë të Gëtes, Art Kontakt, prej disa vitesh po jep kontributin e vet në fushën e artit, duke rrëfyer dhe ndarë emocione, mendime, opinione për artin pamor dhe duke e vendosur atë në një përballje me rrymat më të reja kontemporane, që zhvillohen sot në botë. Mund të thuhet se një grup artistësh me ide dhe energji ëndërruan dhe bënë konkrete një utopi, falë aktiviteteve të shumta që ata kanë zhvilluar një botë të pasur dhe të ndryshme... Ku jemi dhe çfarë po ndodh në artin pamor, do të jenë boshti i tryezave të rrumbullakëta ku do të zhvillohen analiza artistike dhe psikofilozofike të veprave të paraqitura. Sipas agjencisë NOA, ekspozita do të udhëtojë në Shijak, Shkodër, Berat, Fier dhe Korçë. Kështu do të ketë një histori të gjatë udhëtimesh e diskutimesh të vlefshme, për pikturën e artin. Art Kontakt mbërriti për herë të parë në Shqipëri me Festivalin Ndërkombëtar të Artit më 10-13 Gusht 2007. Ky festival arti u realizua duke përdorur teknika të reja artistike, dvd video, performanca, instalacione, fotografi, balet modern, muzike eksperimentale etj. Ambienti i realizimit të aktivitetit u bë kalaja sugjestive e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo-(Qeparo) e cila u kthye në një laborator artistik dhe mirëpriti ide të reja. Artistë, poetë, performer nga Shqipëria dhe nga vendet përreth “ndërhynë” artistikisht duke iu referuar kontekstit historik/arkitekturor për të rehabilituar dhe përmirësuar imazhin turistik të kësaj zone të çmilitalizuar. Kjo ndërhyrje artistike u bë metaforë e mrekullueshme e shkëmbimit kulturor si mjet fitoreje për të thyer fortifikime si simbole të luftërave dhe konflikteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›