E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet 130 kg hashash në Lazarat



GJIROKASTER - Rreth 130 kg marijuanë e kultivuar në Lazarat u sekuestrua dje nga policia e Gjirokastrës, ndërsa poseduesi i saj arriti t'u shpëtojë prangave. Sipas policisë, lënda narkotike u zbulua në një automjet që u braktis nga shoferi, pas përplasjes me një mur rrethues në Lazarat, në përpjekje për t'u shmangur nga ndjekja e uniformave blu. Mësohet se mjeti BMW me targa të falsifikuara ishte nisur nga Lazarati në drejtim të Gjirokastrës. Por rreth orës 01:15, makina është konstatuar nga policia në lagjen Kordhocë. Në tentativë për t'iu shmangur policisë, e cila kishte formuar edhe një postbllok, drejtuesi i makinës ka rritur shpejtësinë. Por shpejtësia e madhe dhe rrugët e ngushta të fshatit në brendësi të tij, shkaktoi përplasjen e mjetit të ngarkuar me 130 kg marijuanë me një mur rrethues shtëpie. Drejtuesi i saj doli me të shpejtë dhe u zhduk, duke përfituar edhe nga errësira, ndërsa po hetohet për arrestimin e tij. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›