E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ersekë, 8-vjeçarja duke luftuar me vdekjen

Një ditë pas tragjedisë së Ersekës, dy të mbijetuarit, vëllezërit Altin dhe Elis Shkoza, kanë dalë nga gjendja kritike për jetën. Mjekët e spitalit rajonal të Korçës, ku ata u transportuan me urgjencë pas nxjerrjes nga rrënojat e magazinës së shembur, pohojnë se gjendja e tyre është stabilizuar. Ndërkohë që 8-vjeçarja, Klodiana Shkoza, vazhdon të mbahet në reanimacion në gjendje të rëndë dhe nuk ka shpresa për jetën.

Ndërkohë dy të mbijetuarit Altini, 21-vjeçar, dhe Elisi 12 vjeç, tregojnë për "Shqip" çastet e tmerrit nën rrënoja. Ata thonë se qenë me fat që shpëtuan gjallë nga kjo tragjedi, ndërsa kanë parë me sytë e tyre dy viktimat, kushërinj të parë, që janë nxjerrë të pajetë nga gërmadhat. Dy të plagosurit tregojnë se sapo janë futur brenda, ndërtesa është shembur papritur. Altin Shkoza 21 vjeç ka pësuar dëmtime në pjesën e kokës dhe në gjymtyrë si pasojë e rrëzimit të soletës. Ai nuk do ta pranojë arsyen se përse ndodheshin brenda në magazinën e vjetër të grumbullimit të drithit në periferi të qytetit të Ersekës dhe thotë se nuk mban mend se çfarë ka ndodhur me saktësi. "Shkuam te magazina. Unë hyra vetëm brenda dhe nuk e dija se kishte dhe të tjerë persona. Jam plagosur keq në kokë. Ra soleta e betonit dhe pastaj u shemb e gjithë ndërtesa. Nuk mbaj mend asgjë pas kësaj", thotë ai. Ndërsa 12-vjeçari Elis Shkoza pohon se ata kishin shkuar te magazina për të mbledhur hekura, kur papritur ndërtesa e vjetër është rrëzuar, duke rënë mbi trupat e tyre. "Shkuam për të marrë hekura nga magazina, për t‘i shitur se nuk kemi me çfarë të jetojmë. Ishim brenda dhe kur hoqëm një shufër, ra tavani dhe pastaj u shemb magazina nga anash e u shkatërrua e gjitha. Jam më mirë, por kam shumë dhembje në kokë dhe në kurriz se më zuri poshtë betoni. Mbaj mend që erdhi policia dhe zjarrfikësit për të na nxjerrë. Ne jemi të varfër dhe prandaj shkuam për hekura se nuk kemi me çfarë të jetojmë", mundohet të justifikohet 12-vjeçari. Familja Shkoza pak kohë më parë ishte shpërngulur nga një banesë për të pastrehët. Kushtet e këqija të banesës i kishin detyruar ta braktisnin dhe ishte në kërkim të një vendstrehimi të ri. Familjarët tregojnë se fëmijët kishin zbuluar magazinën e vjetër, ku mendonin që më pas ta përshtatnin për t‘u strehuar përkohësisht dhe për të kaluar natën brenda një ndërtese. Shkozët pohojnë se mezi nxjerrin bukën e gojës, janë të gjithë të papunë dhe të pastrehë. Ata thonë se shkaku i tragjedisë në fakt është varfëria ekstreme në të cilën jetojnë. Sipas tyre fëmijët që kishin gjetur magazinën nuk kanë treguar se do të merrnin shufra hekuri, por thjesht se do ta shikonin me qëllim që të futeshin brenda gjatë natës. Një nga të afërmit e dy të mbijetuarve thotë se fisi i madh mezi siguronte jetesën dhe shpesh ishin fëmijët që punonin për të mbledhur kanoçe ose hekura, të cilat i shisnin për një copë bukë.

Shkozët pohojnë se nuk e dinin se fëmijët ishin nisur për skrap në periferi të qytetit, ndërkohë që pas alarmit të dhënë në qytet për shembjen e një magazine dhe transportimin e disa fëmijëve drejt spitalit, kanë filluar të interesohen pasi fëmijët e tyre nuk ndodheshin bashkë me prindërit. Kur shkuan në spital mësuan kobin që kishte rënë mbi ta. Nëna e 12-vjeçarit, Shpëtim Shkoza, nuk ka qenë në dijeni të faktit se djali i saj kishte ndërruar jetë dhe lajmin e hidhur e ka mësuar në spital. Nga kjo tragjedi gjetën vdekjen dy persona, Fatjon Shkoza dhe Shpëtim Shkoza, ndërsa vetëm dy kanë kaluar tashmë gjendjen e rrezikut për jetën me plagë më të lehta. Sipas bluzave të bardha, në gjendje të rëndë shëndetësore në reanimacion është 8-vjeçarja Shkoza, për të cilën po bëhen të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›