E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfrytëzon të shoqen si prostitutë, prangoset 31-vjeçari

Një 24-vjeçare nga Fieri ka denoncuar burrin me të cilin bashkëjetonte prej katër vitesh, si tutor të saj. Pas kallëzimit policia ka prangosur një 31-vjeçar, i cili do të përballet me akuzën e "shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese". Burimet zyrtare të Komisariatit të Fierit bëjnë të ditur se është prangosur Shpëtim Muharremi, 31 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Fier. Mësohet se ai ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të plagosjes. Të njëjtat burime thonë se 31-vjeçari prej një muaji e gjysmë detyronte bashkëshorten, Dafinën, të ushtronte prostitucion. 31-vjeçari kishte lidhur martesë me 24-vjeçaren edhe pse jo në mënyrë ligjore. Ata bashkëjetonin prej katër vjetësh dhe rreth tre muaj më parë mësohet që të ketë nisur dhe kërkesa e tij për një "profesion" të tillë. Fillimisht ai është përpjekur ta bindë vajzën të ndërmarrë një hap të tillë, duke i kujtuar ekonominë e tyre të vështirë. Por kjo nuk e ka bindur 24-vjeçaren e cila refuzuar të prostituojë. Pas kërkesave dhe fjalëve "të buta", 31-vjeçari kishte nisur kërcënimet dhe dhunën fizike dhe psikologjike, të cilat vazhduan për gati një muaj. Më pas ka nisur t‘i gjente vetë klientë bashkëshortes dhe për afro një muaj e gjysmë ajo ka ushtruar e detyruar "profesionin" e prostitutës në rrugët e Qarkut të Fierit. Mësohet se pazari të ketë qenë 10-15 mijë lekë të vjetra. Nuk dihet sesi ajo ka mundur të shpëtojë nga duart e bashkëshortit, por mësohet që denoncimi është bërë në mënyrë vullnetare nga vetë e dëmtuara.

Ndërkohë e ëma e 31-vjeçarit të arrestuar, Deko Muharremi, pretendon se denoncimi i nuses është bërë në shenjë hakmarrjeje, pas debateve të gjata që kishin çifti i ri. E moshuara, rreth të 70-ave ka treguar se Dafina, e cila e kishte denoncuar djalin e saj, është nusja e dytë e Shpëtimit. "Im bir ka qenë i martuar një herë më parë me Donika Muharremin, me të cilën ka edhe katër fëmijë. Duke pasur mosmarrëveshje me të, vendos që të ndahet, por jo ligjërisht. Katër vjet më parë, Shpëtimi lidhet me Dafina Rakipin, banore të Elbasanit. Me ç‘më kanë thënë im bir kishte vendosur të rikthehej te gruaja e parë. Mesa duket ky shkak e ka çuar Dafinën që të denoncojë atë me të cilin ndau katër vitet e fundit".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›