Pasaportat biometrike, ndryshojnë rregullat
Autori i Lajmit: Redaksia
Ministria e Brendshme ka vendosur të aplikojë një procedurë të re për marrjen e pasaportave biometrike, pas ankesave të shumë qytetarëve, kryesisht emigrantë për vonesa shqetësuese për përftimin e dokumentit ndërkombëtar të identifikimit.
Fatmir Konja, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, në një dalje të posaçme u shpreh se, procesi i pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike, kryhet mbi rregulla të forta sigurie që nga momenti i aplikimit deri në marrjen në dorëzim të pasaportës nga shtetasi.
Rregullat e reja
Ministria e Brendshme lajmëron qytetarët se për të marrë në dorëzim pasaportën biometrike për të cilën kanë aplikuar duhet të paraqiten më parë tek punonjësi i policisë, i cili ndodhet në të njëjtin ambient me zyrat e “Aleat” që shpërndajnë pasaportat biometrike.
Konkretisht, do të veprohet në këtë mënyrë:
- Në rast se shtetasi disponon pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i policisë e bën atë të pavlefshme, duke i shpuar dy vrima në kapak pa dëmtuar vizën, lejen e qëndrimit apo shënime të tjera që mund të ndodhen në pasaportë dhe më pas ia dorëzon shtetasit.
-Në rast se shtetasi nuk ka qenë i pajisur me pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i policisë pas verifikimit në sistem, i lëshon vërtetimin përkatës.
-Në rast se shtetasi rezulton në sistem i pajisur me pasaportë të tipit të vjetër dhe sqaron se nuk e ka pasaportën, për arsye se i ka humbur, i është vjedhur apo dëmtuar, shtetasi drejtohet për të deklaruar këtë tek komisariati i policisë që e ka lëshuar atë pasaportë. Aty pajiset me vërtetimin përkatës nga specialistët e policimit në komunitet pasi lëshon një deklaratë me shkrim lidhur me çfarë i ka ndodhur me pasaportën e tipit të vjetër. Në këtë mënyrë shtetasi do të mundet të tërheqë pasaportën biometrike pranë zyrës së “Aleat” vetëm duke paraqitur ose pasaportën e vjetër të bërë të pavlefshme nga punonjësi i policisë, ose vërtetimin që nuk ka qenë i pajisur më parë me pasaportë, ose vërtetimin se pasaporta i ka humbur, i është vjedhur apo dëmtuar. Nëpunësi i “Aleat” verifikon pasaportën e bërë të pavlefshme dhe ia dorëzon përsëri shtetasit ose administron vërtetimin sipas të dy rasteve të sipërpërmendura, dhe më tej vijon me procedurën e dhënies së pasaportës së re biometrike për shtetasin.
Personeli
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka caktuar tashmë personat përkatës për kryerjen e kësaj procedure dhe ka dhënë udhëzimet e nevojshme për një shërbim sa më të shpejtë e profesional ndaj qytetarëve. Ministria e Brendshme gjeti rastin tu bëjë përsëri thirrje qytetarëve të paraqiten pranë zyrave të “Aleat” për të aplikuar dhe për tu pajisur me pasaporta biometrike. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme vërtetojnë se deri më datë 05.02.2010, sipas të dhënave nga kompania “Aleat”, numërohen rreth 475 mijë aplikime për pasaporta biometrike.
Policitë në rrethe
“Vonesa për pasaportat biometrike”
Pavarësisht se prej më se një muaji radhët e gjata nëpër Drejtoritë e Policive në rrethe kanë ngritur shqetësimin e mos pajisjes në kohë me pasaportën biometrike, askush nuk i ka njoftuar shqiptarët se afati për tërheqjen e këtij dokumenti nga 15 ditë që ishte është shtyrë në gati një muaj. Drejtoritë e Policive në qarqe, të cilat nuk mund të japin një version zyrtar, konfirmojnë se po vërejnë vonesa të dërgimit të këtij dokumenti në zyrat e tyre, ndërsa qytetarët janë të painformuar për ndryshimin e afateve. Konkretisht koha për të marrë pasaportën e re është me katër javë vonesë dhe ka raste që shkon edhe në më shumë se një muaj. Jo zyrtarisht kjo vonesë në prodhimin e pasaportës biometrike nga kompania franceze Sagem është lidhur me fluksin e emigrantëve që aplikuan gjatë festave të fund vitit për dokumentin e identifikimit. Por, ndërsa qytetarët ankohen për radhët e gjata, madje në rrethin e Korçës dhe të Vlorës ata kanë protestuar për këtë anomali, nuk ka asnjë version zyrtar apo një njoftim për të vënë në dijeni shtetasit se kush është pragu kohor brenda të cilit ata duhet të paraqiten në polici për të tërhequr pasaportën.
Ky lajm është publikuar: 06/02/2010