Pekin, Beqir Balluku kërcënon sovjetikët dhe SHBA-në
Autori i Lajmit: Androkli DraloPekin-Moskë, 29 janar 1967 – Bashkimi Sovjetik bëri një protestë të fuqishme ndaj Kinës Komuniste ditën e sotme kundër protestave masive që vazhdojnë të zhvillohen përpara ambasadës sovjetike në Pekin. “Sovjetikët kanë të drejtën të marrin masat e nevojshme nëse autoritetet kineze dështojnë të sigurojnë kushtet elementare të sigurisë për aktivitetin e përfaqësimit sovjetik në këtë vend”, - kështu thuhej në letrën dërguar ambasadës kineze në Moskë. Ky lajm i shkurtër i agjencisë sovjetike të lajmeve “TASS” ku citohej letra e Moskës nuk fliste për masat që Bashkimi Sovjetik parashikonte të merrte. Ajo thoshte se protestat nxiteshin haptazi nga zyrtarët kinezë dhe këmbëngulnin për kompensimin e dëmit të shkaktuar. Ndërsa në Pekin qindra dhe mijëra kinezë marshuan edhe një herë tjetër ditën e sotme përpara ambasadës sovjetike për të katërtën ditë radhazi. Analistët këtu në kryeqytetin kinez thonë se kjo është shndërruar në një nga protestat më të mëdha që mund të jetë mbajtur ndonjëherë kundër një ambasade të huaj këtu në Pekin, ndërkohë që nuk kishte asnjë shenjë se kur mund të përfundojë. Slogane, që bënin thirrje që udhëheqësit sovjetikë të digjeshin dhe vareshin, u vendosën përpara ambasadës në kinezçe, anglisht, frëngjisht dhe rusisht. Protesta antisovjetike u nxit nga një incident në Sheshin e Kuq të Moskës ditën e mërkurë, nga ku Pekini akuzon se studentët kinezë ishin rrahur nga policia sovjetike. Por sovjetikët thonë se ishin kinezët që kishin provokuar incidentin ndërsa nuk ishin rrahur, por vetëm ishin shpërndarë nga qytetarët sovjetikë.
Tito është shënjestër gjithashtu
Turma me kinezë u mblodhën përpara ambasadës jugosllave në një protestë tjetër. Ata hodhën parulla të ashpra kundër presidentit jugosllav Tito dhe dogjën një portret të udhëheqësit jugosllav përpara portave të ambasadës. Muret e hyrjes së ambasadës jugosllave, të pozicionuara në një zonë diplomatike të ndërtuar së fundmi vetëm dy milje nga ambasada sovjetike, u mbushën me slogane dhe postera antititistë. Një makinë altoparlant denoncoi udhëheqësit jugosllavë jashtë ambasadës më herët këtë pasdite, madje mund të dëgjoheshin ende në zonën përreth, - (përfshin një sërë ambasadash të tjera dhe rezidenca të huaja diplomatike) - pasi ra muzgu, ndërsa protestues të rinj marshuan në drejtim të ambasadës. Makina altoparlant tha se populli jugosllav do të ngrihej dhe rrëzonte grupin e Titos.
Protestë dhe në Beograd
Demonstratat erdhën si protestë kundër një letre kineze dërguar Jugosllavisë që u botua këtu në Pekin ditën e sotme. Ajo u përshkrua si “një bashkëpunim i hapur i autoriteteve jugosllave me rrufjanët”, të cilët thyen në mënyrë demonstrative disa portrete të Mao Ce Dunit jashtë ambasadës kineze në kryeqytetin jugosllav. Burime nga ky vend bënë me dije se Ministria e Jashtme në Beograd kishte kërkuar ndjesë disa ditë më parë për shkatërrimin e kornizës prej xhami përpara ambasadës kineze ku gjendeshin portretet e udhëheqësit kinez. Burime diplomatike thanë se numri i protestuesve jashtë ambasadës jugosllave nuk i kalonte të 200 vetët në asnjë moment, por ata kujdeseshin të zëvendësonin vazhdimisht njëri-tjetrin, duke mos u larguar në asnjë moment nga ambasada. Agjencitë e lajmeve i raportuan këto zhvillime nga Tokio dhe Hong-Kongu. Ndër publikimet e qeverisë së Pekinit, ishte dhe një fjalim i mbajtur nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, zoti Beqir Balluku, i cili drejtonte delegacionin shqiptar që ndodhej për një vizitë në aleatin e saj, Kinën e Kuqe. Ai tha se e gjithë Kina do të ngrihej dhe bashkohej nëse Bashkimi Sovjetik apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tentonin të ndërhynin në trazirat e fundit që kishin mbërthyer Kinën. Njoftimet nga korrespondentët japonezë në Pekin thanë se në provincën e Sinkiangut, e cila kufizohet me Bashkimin Sovjetik, përleshjet kishin degjeneruar në përdorimin e armëve. Luftimet e reja u mësuan nga posterat e vendosura në rrugët e kryeqytetit. Kjo luftë, thuhet se nisi pas bisedimeve të pasuksesshme për paqe të mbajtura të premten mes fraksioneve opozitare. Një transmetim i Radio Pekinit tha se të gjitha pushimet e Vitit të Ri kinez (më 9 shkurt) për punëtorët ishin anuluar. Radioja tha se Maoja ishte përpjekur të nxiste punëtorët dhe fshatarët që të udhëtonin në qytetet kryesore të vendit gjatë ditëve të pushimit dhe të shkaktonin kaos në trafik.
Thirrje për të qëndruar në shtëpi
“Një apel urgjent iu lëshua qytetarëve për të qëndruar në shtëpi dhe studentët u urdhëruan të ktheheshin në shkollë prej 9 shkurtit”, - tha radioja shtetërore. Në një tjetër transmetim, Radio Pekini tha se 33 “rebelë revolucionarë” të Mao Ce Dunit apo organizatave të tjera në Shangai, lëshuan një urdhër për fshatarët, të cilit kishin qenë në qytet për disa ditë që të ktheheshin sërish në fshatrat e tyre. Mesazhi akuzonte kundërshtarët e maoizmit për sabotim të “politikës që fshatarët duhet të ktheheshin në shtëpi... dhe tani po përpiqen të përdorin ekonomizimin për të blerë njerëzit”. Kjo në pamje të parë ishte një akuzë se fshatarëve po u ofroheshin bonuse dhe po u premtohej se do të shpërbleheshin ekonomikisht nëse ata do të vazhdonin të protestonin në Shangai, qytetin më të madhe të Kinës Komuniste.
Ky lajm është publikuar: 06/02/2010