Inter, shpërthen sërish polemika Murinjo-Baloteli
Autori i Lajmit: Redaksia
Milano - Interi fitoi 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Fiorentinës, por kjo sfidë ka rindezur edhe një herë polemikat në shtëpinë zikaltër mes Murinjos e Balotelit. Vendimtar në këtë takim ishte argjentinasi Diego Milito me golin në minutën e 34-t, që i jep një avantazh të madh Interit për të kaluar në finale. Por, në fund Murinjo ka qenë i pakënaqur nga paraqitja e Balotelit, duke e kritikuar publikisht për sjelljen e tij në fushë dhe në momentin e zëvendësimit. “Mario në fushën e lojës ka edhe detyra mbrojtëse, ai e di mirë këtë, - deklaroi Murinjo”. Por, nuk ishte vetëm ky shkaku i inatosjes së trajnerit të Interit. Gjatë ndeshjes ai i bëri thirrje disa herë futbollistit të kthehej në mbrojtje gjatë aksioneve të Fiorentinës, por ai nuk i është bindur, madje ka lëshuar edhe ndonjë fjalë nëpër dhëmbë. Murinjo më pas e ka zëvendësuar me Tiago Motën, por Baloteli në momentin e daljes ka bërë një gjest të papranueshëm dhe nuk ka qëndruar fare në pankinë. “Në skemat e mia, çdo futbollist duhet të mbrojë”, - ka deklaruar Murinjo. “Zëvendësimet i vendos unë jo Baloteli, dhe nëse ai është zemëruar, ky është problem i tij. Në fushë kisha nevojë për më shumë vazhdimësi dhe Milito e Pandev janë më të zgjuar për të mbajtur topin”, - shtoi trajneri portugez. Pas kësaj, për Balotelin masa e parë pritet të jetë përjashtimi nga skuadra për takimin e së dielës kundër Kaljarit.
“Më mirë pa Ibrën”
Tekniku zikaltër beson se ekipi i tij është përmirësuar me largimin e sulmuesit suedez, Zllatan Ibrahimoviç, te Barcelona.
Interi u kritikua shumë nga mediat italiane sezonin e kaluar për faktin se e gjithë strategjia e lojës mbështetej te Ibra dhe e gjithë skuadra punonte për të. Në një intervistë për faqen e klubit në internet “inter.it”, trajneri portugez theksoi se me largimin e suedezit skuadra luan më mirë nga krahët në krahasim me sezonin e kaluar. Më tej “I veçanti” shtoi se ishte i kënaqur me reagimin e klubit pas shitjes së sulmuesit, edhe pse pranoi se fillimisht ishte disi i shqetësuar për mënyrën se si do të sillej skuadra me largimin e futbollistit kryesor të ekipit. “Është normale që klubi në fillim pati dyshime. Por është pozitiv fakti që e menaxhuam mirë largimin e tij dhe me paratë e fituara morëm lojtarët që na duheshin”,- nënvizoi Hoze Murinjo. Ëndrra e madhe e teknikut portugez të Interit është mesfushori i Liverpulit, Stiven Zherrard. “Special One” nuk synon të bëjë lëshime ndaj presidentit Masimo Morati, të cilit i kërkon kapitenin e “The Reds” me çdo kusht. Por nga ana tjetër, nëse Inter kërkon të bëjë një goditje kaq të madhe në merkato, është i detyruar të lejojë shitjen e ndonjë elementi të vlefshëm. Bëhet fjalë për mbrojtësin brazilian Maikon, i cili është një nga pikat kyçe të kësaj skuadre. Mbrojtësi Dagllas Maikon kërkohet prej kohësh nga Mançester Siti dhe merkatoja verore mund të jetë periudha e duhur për largimin e tij drejt një tjetër kampionati.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2010