Mami ka punë, në shtëpi është gjyshja...
ANI JAUPAJ
Dreka pune, kinema me mikeshat, orare të zgjatura, plane të paparashikuara, e në mos pastë edhe ndonjë ‘angazhim’ tjetër, në vija të trasha ky është itinerari i ditës së një gruaje në karrierë… Po e lemë mënjanë kohën e palestrës, baltrave, fizioterapive, thonjve, flokëve e gjithë ç’i duhet gjithësecilës për t’u ndjerë mirë me veten. Rikthimi, në orët e mbrëmjes, në shtëpi, është i mjaftueshëm vetëm për të qetësuar lodhjen e gjithë ditës. E gjithë koha pra është në dispozicion të një turi aktivitetesh. Pyetja e parë që lind vetiu pas konsumimit të axhendës është ‘kush kujdeset për fëmijët në shtëpi?!” Nuk janë të pakta rastet kur i kemi parë të shfaqen nënat e reja, në ambjentet e punës a rrethet shoqërore, menjëherë dy ditë pas lindjes. Rasti më i fundit është ai i Monica Bellucit që pushtoi sakaq, vetëm pak orë pasi e bija erdhi në jetë, kronikat kulturore, të lajmeve. Natyrisht që askush nuk pret që të nesërmen e lindjes, aktorja, t’i rikthehet një jete shtëpiake në shërbim të të vegjëlve, megjithatë pyetja lidhur me fëmijët ngelet njësoj e vlefshme. Një ditë pas saj, një tjetër lindje, e një djali këtë herë, prej një nëne po kaq në karrierë edhe pse në drejtime të skajshme me të sipërpërmendurën. U shpërnda sakaq lajmi i shumëpritur i ardhjes në jetë të një djali, Artit, prej së bijës së kryeministrit, Argita Berishës. Në ditët e para të jetës, Arti do ta ketë padyshim gjithë vëmendjen e kohën e prindërve, por shumë shpejt, edhe ai do ta humbasë nga sytë vështrimin në çdo orë të ditës prej së ëmës për shkak të të gjitha angazhimeve që ka dita e saj. Në të gjitha këto raste e në të tjera, duhet medoemos të qëndrojë njëri (edhe më shumë nëse numri i fëmijëve e kalon 2-shin) nga familjarët në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët. E kush më mirë se gjyshja do ta bënte këtë?! Nëse bëni automatikisht një lidhje me emrin e të bijës së kryeministrit, nuk është rasti i saj, ai që i referohemi. Jo se Liri Berisha nuk ka në dispozicion kohën e mjaftueshme për nipërit e mbesat e saj, por nuk është rasti i një kujdestarie me kohë të plotë. Nënat dhe gjyshet, pavarësisht keqkuptimeve në rast se janë nënat e partnerit ato që kujdesen, e kanë gjetur gjuhën (edhe për shkak të nevojave) kur në mes janë fëmijët. Ka mundësi që jo në të gjitha rastet gjithçka të shkojë vaj, sepse ndodh që njërës prej palëve t’i duhet të heq dorë nga gjërat e preferuara në ndihmë të tjetrit, sidoqoftë, bashkëpunimi funksionon. Luiza Papës, për shembull, i është dashur sa herë të niset në udhëtim për t’u kujdesur për Antonin, djalin e të birit, Pirro çakos dhe Inva Mulës. Këtë herë, vlen të përmendet karriera e të dyja palëve, për të cilën sfumuan veten gjyshet. Mes Francës dhe dy gjysheve, herë të të atit e herë të së ëmës, Antoni është rritur pak te të gjithë. Sepse nuk ka qenë vetëm gjyshja e të atit që është kudjesur për të. Jo më pak e pranishme ka qenë edhe Nina Mula në rritjen e të voglit. Kështu, qoftë babi, qoftë mami, nuk e kanë patur ndonjëherë kokën mbrapa për të birin. Po ka edhe gjyshër të tjerë që nuk iu është dashur të lënë skenën e Teatrit të Operas, apo angazhime të tjera artistike për t’u marrë me fëmijët e fëmijëve. Kemi pyetur disa prej tyre, nëna e gjyshe, se si i kanë ndarë ‘punët e shtëpisë’ mes tyre. Luiza Papa, Manjola Hasani, Kledi Kadiu...
Luiza Papa Cako Antoni mes koncerteve të të gjithëve
Ndodh gjithmonë në fakt që mes dy partnerësh, njërit i duhet të distancohet, të mbetet në hije për t’i lënë hapësirë tjetrit. Ky mund të jetë një pakt mes çiftit, ashtu sikurse mund të jetë tërheqje e natyrshme, graduale e njërës palë. Luiza Papa, siç ka preferuar të thirret e shoqja e Gaqo Cakos, me mbiemrin e vajzërisë, është mësuar gjithëherët që të ketë pasur largësi të herëpashershme nga i shoqi për shkak të angazhimeve të tij profesionale në skenat e huaja. është mësuar pra me vajtje-ardhjet nëpër koncerte, me largimet e përgjegjësitë e punës, edhe pse ajo vetë ka qenë pjesë e atyre skenave. I është dashur të tërhiqet herët, e marrë rrugët edhe vetë nëpër botë, por jo sepse kishte koncerte njëra pas tjetrës, por sepse duhet të ishte e pranishme për djalin që ishte i rrethuar vetëm nga prindër e gjyshër në karrierë. Nuk ishte e as është e lehtë që të gjendej Inva Mula për disa ditë me radhë në të njëjtin vend. Asokohe, ndoshta as Pirro po sidoqoftë nuk do t’ia dilte krejt i vetëm me djalin. Deri sa Antoni mbushi 11 vjeç, Luiza bënte vajtje- ardhje në Francë, thuajse u nda nga Tirana, ashtu si dikur nga Teatri Operas. Sot, djaloshi është thuajse i rritur, nuk ka më nevojë për një njeri të gjithin për vete. Tani është ai që bën vajtje-ardhjet mes Tiranës dhe vendeve, ku jeton e ëma për të ndenjur me të gjithë nga pak. Gjithsesi i ati nuk lëviz më sa më parë, kur i duhej të qëndronte edhe me ish-bashkëshorten, prandaj është arritur stabiliteti.
Kledi Kadiu - Gjyshja e bëri balerin
Ajo jo vetëm e rriti, por edhe qe e para që dalloi talentin tek ai. Kur vjen fjala tek gjyshet, Kledi Kadiu përmallet. Për të, ajo ishte e veçantë dhe tani që nuk është më e ndien pa masë mungesën e saj. Qysh kur hapi sytë, ishte gjyshe Kimetja që do të merrej me rritjen e nipit. Dinte çdo orar kopshti e shkolle. Ishte ajo që vuri re e para talentin e tij, teksa e mbante për dore rrugës për në kopsht. Ndonëse asgjë nuk i shpëtonte syrit, të saj, ajo nuk mundi ta ndalte ’91-shin. Në atë kohë, ai, një adoleshent kokëshkretë, nuk e pyeti, por u nis drejt Italisë. Aso kohe në shtëpi nuk kishte vetëm një shqetësim. Nuk mjaftonte ankthi i pritjes të ndonjë lajmi nga Kledi, por duhej qetësuar edhe gjyshja, e cila nuk gjente paqe. E ndërsa prindërit, deri diku u qetësuan me telefonatën e të birit, gjyshja nuk mund të mjaftohej me kaq, por bëri ç’ishte e mundur të nisej në Itali. Ky ishte vetëm fillimi, sepse më pas, kur Kledi u bë një nga figurat më të dashura të ekranit italian, rrugëtimet drejt Italisë u bënë edhe më të shpeshta. Aq më shumë pas ftesës në spektaklin e famshëm të maria De Filippit, “C’e posta per te”, gjyshe Kimetja u bë një personazh i njohur. Deri sa gjendja shëndetësore ia lejonte, ajo vente e shkonte në Itali, për të “kontrolluar” nga afër jetën e të nipit, i cili i kishte kaluar të ’30-at. Deri sa mbylli sytë u mjaftua me spektaklet e regjistruara të të nipit dhe vizitat e tij në Tiranë, që kohëve të fundit u bënë më të shpeshta.
Manjola Hasani Manjola, turni i parë…
Në ato ditët e para kur Olesia sapo kishte ardhur në jetë, Manjola Hasanit, edhe sikur t’i vinte një ekip i tërë në shërbim të Olesias disaditëshe, do t’i dukej përsëri sikur gjërat nuk shkonin ashtu siç duhet. Do ishte medomosdo ajo që t’i kishte të gjitha gjërat nën kontroll. Vajza mund të qante papritmas, t’i merrej fryma, gjithfarë shqetësimesh hipotetike, fundja fare të zakonshme që mund të ketë cilado nënë e re, me fëmijën vetëm 3 ditësh ndër duar. Por si të gjitha femrat me angazhime artisitke jo pak të vogla, i duhej edhe asaj të rikthehej në vendin e punës. Sidomos nëse bëhet fjalë për baletin, kur kujdesi për veten, trupin, rikthimin në linjat e mëparshme, është më i domosdoshëm se në cilindo profesion tjetër. Në ato ditët e para, Manjolës nuk i mjaftonte të kishte vetëm të ëmën rreth krevatit të së voglës. E motra kishte udhëtuar që nga Gjermania për të qenë e pranishme në ato ditë të para. Por siç duket, tani që e pyetëm pak muaj më vonë, kur për rastësi Olesia sapo ka mbushur 4 muajshe, ankthi i atyre ditëve nuk është më në të njëjtat nivele. Manjola e ka ndarë ditën me të ëmën në mënyrë të barabartë, në pjesën e parë të ditës është ajo që kujdeset për të voglën, ndërsa pasdite, ‘turnin’ e ka e ëma. Kur e pyetëm në është më e shqetësuar sa në fillim, nëse ju vjen fundi porosive përpara se të lërë pragun e shtëpisë, u ndje buzëqeshja e saj qysh prej telefonit “Jo, jo, i kemi sqaruar detyrat që në fillim nuk ka më nevojë që të lë porosi sa herë që largohem’. Fundja, e ëma, nuk e ka përvojën e parë…