E Diel, 1 Nëntor 2026

Ervin Bushati: “Pas Bjornit sjell klipin humoristik”

 

Bjorni sapo i ka mbushur 3 muaj, dhe është djali i dytë që i ka ardhur në jetë këngëtarit shkodran Ervin Bushati. Por ka qenë dhe një frymëzim i mirë për artistin, për ta parë jetën krejt me sy tjetër. Ai sapo ka përfunduar klipin e tij të ri me titull humoristik “Merimanga”.  Klipi do të lançohet në ditët e para të shtatorit, vetëm pasi të kthehet nga pushimet që po kalon në Velipojë, se bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, djalin 3 vjeçar, dhe Bjornin e vogël vetëm 3 muaj. “Është një këngë, që ka fabul maninë e të rinjve pas telefonatave mes tyre, dhe ku sekretaria telefonike njofton gjithmonë për kreditin që nuk mjafton”. Autori i tekstit është Gjergj Jorgaqi, ndërsa kompozitor Gramoz Kozeli, në një produksion të “ Max Production”. Ky klip i ri vjen pas bashkëpunimit të fundit me Anjeza Brankën. Por mesa duket ky sens humori që është prezent në këngët e tij, i ka dhënë sukses, që pas bashkëpunimit me këngëtaren Irini Qiriako, në klipin “Lidhe qenin”. “Nuk mund të them që këngëtarët e tjerë kopjuan stilin tonë, por nëse kënga pranon aktorin e humorit apo qoftë çdo element tjetër do të ishte shumë bukur, por gjithmonë nëse vjen natyrshëm”, pohon Ervini. Ai ka dalë në konkluzionin se këngët ritmike kapen shumë shpejt nga dëgjuesi, arsye kjo që ai sapo vjen dhe po del me këngë sa më humoristike. Pas ndarjes nga grupi “Mister”, Ervin Bushati po ashtu provoi të këndonte baladë siç ishte kënga “S’ka më natë”, hera e parë që ai mori pjesë në një festival me këtë baladë të kompozuar nga vetë. Por kjo eksperiencë unike e tij me këngën baladë, i ka lënë të kuptojë që baladat duhet të transmetohen shumë herë deri sa të perceptohen nga publiku, ndërsa këngët ritmike godasin që në fillim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›