E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surprizat televizive të “Top”-it

 

Ermira Shpetimi

Nëse ankohemi përditë se zhvillimi tek ne po bëhet shumë ngadalë, në fakt masmedia është ajo që po tregon, se këtu mund të ecet edhe shpejt, madje edhe mirë. Uria e shqiptarëve për të lexuar sa më shumë gazeta dhe për të parë sa më shumë televizion, ka gjetur shpëtim në kaq shumë tituj dhe kanale televizive. Le të ndalemi kësaj here tek televizioni. Luciano De Crescenzo, një shkrimtar italian dhe njeri i medias ka thënë: “Jeta e njeriut ndahet në tre faza: Revolucioni, Refleksioni dhe Televizioni. Fillohet me dëshirën për të ndryshuar botën dhe përfundohet me dëshirën e vetme për të ndryshuar kanalet e televizionit”. Ndërsa tek ne revolucionarët dhe reflektuesit janë aq të paktë, ndërsa njerëzit me telekomandë në dorë janë ata me të cilët ne identifikohemi më së shumti. Prandaj dhe drejtuesit e mediave kanë menduar se të investosh për më shumë zhvillim dhe perfeksion në televizionet e tyre, është një mundë që nuk të shkon kot. “Top Channel” mbetet në avangardë të këtij zhvillimi dhe pikërisht, atëherë kur ne mund të themi se ky televizion ka krijuar aq shumë programe sa të kënaqë të gjitha dëshirat tona televizive, vjen lajmi se në shtator Top-i pret të bëjë boom-in e radhës.
 
Televizioni si një mjet zbavitës
Janë disa programe të reja që do të startojnë në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit. Dy prej tyre, formate tashmë të njohura në botë, të cilat janë blerë nga kompania “Endemol”, ajo që solli edhe “Big Brother” në Shqipëri. “Ti vlen” është një program argëtues, i cili ka në qendër të tij individin e zakonshëm i cili di të bëjë diçka të pazakontë, diçka të veçantë që të na çudisë të gjithëve. Konkurrentët do të performojnë në muzikë, në një instrument muzikor, në balet, në cirk, në fushën e iluzionizmit, por mund të bëjnë edhe një veprim fare të zakonshëm i cili për nga mënyra dhe shpejtësia e realizimit, e bën këtë individ të pazakontë. Ky show do të zgjasë për 13 të premte me radhë dhe do të ketë një juri prej katër vetash, të cilët jo vetëm do gjykojnë konkurrentët, por shpesh do të bëhen edhe ndihmës në realizimin e performancave të tyre të çuditshme. Në fund të 13 puntatave, ai që ka grumbulluar më shumë pikë, fituesi pra, do të shpërblehet me një shumë prej 20 mijë eurosh. Sipas drejtoreshës së programacionit në Top Channel, zonjës Vjollca Dedei, audicioni ka filluar dhe interesimi për të qenë pjesëmarrës në këtë spektakël është i jashtëzakonshëm. Madje, ajo shprehet se falë këtij programi ne mund të zbulojmë talente të fushave të ndryshme, të cilët më pas mund të bëhen pjesë e programeve të ndryshme të këtij televizioni. Ky format ka njohur suksesin e tij në Spanjë, Rumani etj. Programi tjetër i ri, edhe ky me një format të blerë nga “Endemol” titullohet “7 për 7 mijë”. Është një program i ndërtuar në formën e një kuizi, por gjetja është tejet e veçantë. Katër konkurrentë të rritur, mundësisht të njohur me njëri-tjetrin, do t’u përgjigjen pyetjeve të kuizit, i cili është i ndërtuar në mënyrë të tillë që konkurrenti të tregojë njohuritë e tij nga disa fusha të jetës. Më pas konkurrentët do të përballen me shtatë fëmijë gjeni dhe do të konkurrojnë me ta. Nëse fëmijët dalin fitues, 7 mijë eurot nuk mund të fitohen nga të rriturit, nëse jo, atëherë katër konkurruesit fitojnë 7 mijë eurot. Ky program do të transmetohet çdo të shtunë, ndërkohë që ka filluar puna për të përzgjedhur fëmijët, të cilët me njohuritë e tyre dhe me sfidën që do iu bëjnë të rriturve, do të na sigurojnë edhe një show të paparë. Gjithçka fillon më 27 shtator, ndërkohë që suksesi i këtij formati tashmë është një realitet për vende si Anglia, Italia, Kroacia, Afrika e Jugut etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›