Kujtim Prodani: “Pushime sekrete dhe një album në tetor”
Kujtim Prodani po jeton një moment pauze, ndërsa premton një album të ri të përfunduar vetëm në mesin e tetorit. Pasi lançoi klipin e ri rock’ n roll, me titull “Theva kokën si padashur”, ai ka nisur ca pushime sekrete dhe shumë relaksuese nëpër Shqipëri. “Jam duke punuar për një album të mirë, dhe normalisht më duhet kohë”, pohon Prodani. Klipin e fundit ai e prezantoi pak muaj më parë, një klip për afër 4 minuta e 30 sekonda, me tekst të Arben Dukës. “I kushtoj shumë rëndësi fabulës”, thotë Prodani, pasi sipas tij, “për momentin, ka pseudoartistë që marrin rrugën e Maqedonisë, ku sigurisht teknika është e avancuar dhe kthehen në Tiranë me vieoklipe, që kur i shfaqin para teleshikuesve të kultivuar e kuptojnë shumë mirë se si do mbyllet ai videoklip. 95 për qind e videoklipeve nuk kanë fabul, dhe që pas dy tre vitesh nuk do të lënë asnjë gjurmë në ekranet shqiptare. Duke qenë i përgjegjshëm për atë që sjell në tregun muzikor, jam përpjekur që këngët e mia duke lënë mënjanë modestinë, të kenë një fabul, të japin një mesazh. Le të presim atëherë mesazhet e albumit të ri të Kujtim Prodanit!