“Shqip” kësaj here me personazhe të rinj
Ajo ka bashkuar pasionin me profesionin e saj dhe na ka dhënë “Shqip”, natyrisht mbas disa eksperiencave në media. Rudina Xhunga me siguri mbetet e veçantë jo vetëm sepse është nga të paktat femra që ka ndërtuar një program shumë impenjativ, por edhe nga të paktët njerëz që mezi pret t’i rikthehet punës edhe pse pushimet e kanë shpërblyer duke e relaksuar dhe kënaqur pafund. “Mua më mungon ekrani, prandaj edhe kur jam me pushime mendoj se çfarë të rejash do sjell aty”, tregon Rudina. Dikur bënte programe politike, ndërsa tani ka mundësi që të bëjë edhe programe historike, një fushë që asaj i pëlqen shumë. “Emisionet politike nuk të lejojnë që të jesh ekskluziv pasi politikanët shkojnë kudo ku i ftojnë, ndërkohë me programe ku trajtohet një temë e caktuar historike, kam mundësi që të krijoj diçka krejtësisht ekskluzive dhe jam e kënaqur pasi kam zbuluar se edhe teleshikuesve iu pëlqejnë shumë këto tema. Unë komunikoj shumë në forumin on line për programin ‘Shqip” dhe anëtarët e forumit nuk mjaftohen vetëm me komplimente (mund të ketë edhe ndonjë vërejtje) por më sugjerojnë edhe tema të ndryshme” - tregon gazetarja e njohur. Nga ana tjetër edhe unë kam një mundësoi t’i pyes ata: “A iu pëlqen?”
Por çfarë do sjellë të re “Shqip” në këtë sezon të ri televiziv? “Do ta filloj aty ku e kam lënë. Herën e fundit trajtova “Pushimet në Atdhe”, meqë ishte edhe fillimi i sezonit turistik. Tani që kamerat por edhe unë vetë shëtitëm në të gjitha plazhet shqiptare, krijuam një ide tonën por edhe mblodhëm opinione, mund të dalim në konkluzionin nëse ia vlen t’i bëjmë pushimet në Shqipëri apo jo. Dhe nëse herën e fundit unë thashë “Ejani në atdhe”, kësaj here na duhet të themi se ne kemi të bukur vetëm detin, asgjë tjetër”. Nga dëshmitë e pushuesve çmimet dhe shërbimet janë ato që lënë shumë për të dëshiruar, por nga ana tjetër ata duan edhe t’i harrojnë këto mangësi, duke u ngushëlluar me shprehjen “në fund të fundit ky është vendi im”. Ky program i parë do të dalë nga studiot e “Shqip” dhe do të realizohet në ambient e “Rogner”. Emisioni i dytë është historik dhe ka si temë “Operacionet anglo-amerikane që sollën diversantët në Shqipëri”. Këtu do të hidhet dritë mbi atë pjesë të historisë tonë, e cila na është rrëfyer në mënyra të ndryshme, por kësaj radhe garanci për të vërtetën do të jetë dëshmia David Smily, koloneli që trajnoi në atë kohë shqiptarët në Maltë së bashku me gruan e tij, ndërkohë që sot ai është 92 vjeç. Për më shumë dëshmi janë përdorur edhe arkivat e Londrës, pasi këto materiale tashmë janë të deklasifikuara. Ndërsa në emisionin e tretë do të jetë një intervistë ekskluzive me gruan e ish-diktatorit, Nexhmie Hoxhën. Është një rrëfim i gjatë ku Hoxha iu përgjigjet pyetjeve, hamendësive por edhe akuzave që shpesh janë ngritur në adresë të saj dhe të bashkëshortit. Për herë të parë dhe të fundit Nexhmie Hoxha ka folur në një program të Xhungës “Dritare”, por për çudi ajo intervistë u ndërpre nga reklamat, lajmet dhe një film dhe pjesa tjetër nuk u dha më, duke mos u dhënë asnjë shpjegim për arsyet e ndërprerjes. E pyetur për panelin e të ftuarve, Rudina tregon se e ka menduar edhe këtë pjesë shumë të rëndësishme të programit të saj. “Kam bindjen se ka plot njerëz të shkolluar e të ditur, të cilët mund të japin mendime të vyera për shumë aspekte të jetës dhe disa prej tyre kam vendosur t’i bëj pjesë të emisionit tim”, tregon Xhunga. Ndërkohë, politika do të jetë pjesë e rëndësishme e “Shqip”, aq më tepër tani që po futemi në një vit elektoral, ku debatet politike do të jenë të shumta dhe natyrisht do të gjejnë strehë edhe te ky program.