Tani në “Top Channel” e diela në drekë vjen ndryshe
Nuk kemi pse të shohim më “Buona Domenica” apo “Domenica in” në kanalet italiane, pasi në atë orë të drekës në kanalet tona kishte zbrazëti të plotë. Tani çdo të diel nga ora 2 deri në 19 e 30 minuta do të mund të ndiqni një nga prurjet më të reja “E diell në Top Channel”. Do të jetë një maratonë e vërtetë televizive me po ato elemente mbi të cilat realizohet një program i tillë edhe në perëndim. Muzikë, balet, humor, intervista, forume dhe gjithçka tjetër që ndiqet me nge pas xhiros së paradites dhe drekës së shijshme në familje. Tashmë janë zbuluar edhe tre emrat që do të jenë drejtuesit e këtij programi. Ata janë Adi Krasta, i cili natyrisht do të jetë edhe shtylla kryesore që do të moderojë programin. Por do të ketë në krah të tij dy vajza, të cilat kanë treguar me eksperiencat e tyre që në ekran dinë të jenë shumë më tepër sesa të bukura. Arbana Osmani dhe Xhemi Shehu do të jenë gjithashtu vajzat që do të mbushin të dielat tona dimërore. Organizatorët sigurojnë që ky program do të kënaqë shijet e të gjithë atyre që duan një të dielë argëtuese në ekran.