E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ervin Hatibi, me fermanë në Stamboll

• Në një kthinë të labirinteve të lagjes “Bejogllu” në Stamboll, në librarinë “Mavi Kum” (“Rëra e Kaltër”), e konceptuar edhe si qendër evenimentesh artistike ekskluzivisht mbi Mesdheun, është hapur një ekspozitë e poetit dhe artistit Ervin Hatibi.Kjo nuk është e para ekspozitë ndërkombëtare e Hatibit, i cili më parë është prezantuar me punimet e tij në ekspozita në Paris, Ferrara dhe Shkup, po me ciklin pop-ferman, të njohur për publikun shqiptar. Hapja e saj u prit me interes dhe pjesëmarrje të konsiderueshme nga artdashësit turq. Punimet e Hatibit do të presin vizitorë gjatë një muaji, deri më 21 mars, ndërsa më 4 mars autori ka organizuar një bisedë me të ftuar, ku u lexuan edhe një sërë përmbledhjesh me poezi. Në Turqi, fjala ferman ka gati një shekull që nuk i përgjigjet më realitetit politik dhe si titull ekspozite ngjall po aq huti sa kudo tjetër, por nga ana tjetër natyrshëm i madh e i vogël e dinë ç‘është. Në atdheun e fermanit, ai qëndron mes së njohurës dhe së panjohurës, së dëgjuarës dhe së harruarës. Ndaj dhe hapja e një ekspozite të tillë në Stamboll ka një domethënie të veçantë. Me ekspozitën e Stambollit, Ervin Hatibi e rikthen fermanin në vendin e origjinës prej nga ka ardhur për shekuj, bashkë me historinë dhe transformimin njëqindvjeçar të tij, që nëse nga njëra anë është shuarje e funksionit të tij politik, nga ana tjetër është universalizim si nocion ekzistencial. Njëkohësisht autori kthen artin në pikën e tij më intime, që po ashtu është një ferman, gjegjësisht teksti dhe logosi, të mbrujtur me të bukurën. Dhe bukuria a nuk është thjesht kthim në origjinë?Ervin Hatibi dhe pse-të e këtij arti“Gjatë fëmijërisë sime, nga mesi sipërm i viteve ‘70 gjer në atë të poshtmin e viteve ‘80, bota ime sekrete në Tiranën e paranojave provinciale të izolimit stalinist, ishin labirintet e alfabeteve. Në sëndukun e drunjtë të bodrumit ngjetheshin dokumentet e vjetra të gjyshit, me nënshkrimin e tij elegant në arabisht, lapsat dhe lodrat e mija ishin të milimetruara me hieroglifë kinezë, ndërsa ciriliku rus shfaqej nëpër kutitë e veglave të punës së tim ati apo në shpinat e librave të fëminisë së tij”, shprehet autori. Për të arabishtja ishte shenja e gjyshit (lindur nën strehën e Portës së Lartë), rusishtja e babait (pionier i Sovjetit Global) dhe kinezçja e tij që ishte fëmija i paplanifikuar i Maos. “Të tre ishim jetimë të tre perandorive të stërmëdha të divorcuara, të cilat kishin lënë në shpinën e vendit tim alfabetet e tyre, si tre tatuazhe në shpatullën e një autostopisteje të pirë që nuk plaket”, shton Hatibi. Borges-i shkruan se përfytyrimi i tij për parajsën ishte një bibliotekë. I përhumbur përpara mangallit me tym të verbërisë, lidhja e tij me librat në momentin kur shkruante këtë krahasim, brenda të cilit jetonte, ishte tingullore. “Kurse parajsa ime sekrete ishin alfabetet e heshtur, të ndaluar, ishin shëtitjet kaleidoskopike nëpër çuditë e shkronjave, të cilave mund t‘u jepje gjithë kuptimet që doje pa të fajësuar askush. (Parajsa a nuk është mungesa e fajit? A nuk është parajsa një shkronjë e një alfabeti personal së cilës mund t‘i mveshësh çfarë imazhi të do qejfi?)”.Hyn në skenë tugra!“Kjo shenjë erotike prej buzëkuqi të zi! E vetme nusëronte m‘u në ballë të dokumenteve të gjyshit, m‘u si ajo pika jeshile në ballin aromësandal të një valltareje Bollywood-i, e vetme sundonte në një matriarkat të maskuar burokratik, m‘u si ajo papesha legjendare që shtirej si papë. Po të më kishte thënë dikush atëherë se ajo ishte shenja e sulltanit, ma do mendja se do kisha dyshuar, duke përfytyruar sesi sulltani rënkonte i lidhur pas ndonjë shtylle, ndërsa tugran e ekzekutonte mbi kartë pikërisht sulltanesha, nën të qeshurat prej koncerti të gjithë haremit”, tregon poeti. Sipas tij, gjithë odaliskat e 1800 ishin brenda një tugre, me nishane false kënaje, duke u krekosur këmbëkryq me dimiq voluptuozë të gërshetuar me gjarpërinjtë gojëmbël të një nargjileje argjendi. “Tugra përsëritej mbi ballin e të gjitha shkresave otomane të gjyshit, shkresa që dokumentonin toka dhe ullishte që kufizoheshin me të tjerë dokumente me tugra, që po ashtu si dokumentet e gjyshit tim, dergjeshin klandestine në sëndukë bodrumesh të tjera, që vetëm një mur i ndante me shtëpinë time si dokumentet në një dosje të madhe. Flinin mbi njëra-tjetrën e hapeshin e mbulonin gjithë Ballkanin, fshehtas, dhe po fshehtas kaptonin e arrinin Anadollin, Shamin, Egjiptin, Jemenin e kushedi sa dhera e rërëra të tjera, po fshehtas. Nuk m‘u desh shumë kohë të zbuloj se e njëjta tugër e dokumenteve sekrete të gjyshit, që dokumentonte pronësira të shpronësuara nga reforma agrare komuniste, ishte e njëjta shenjë që përsëritej nëpër monedha të nxira argjendi e bakri mbi kostumet popullore të grave të emisioneve folklorike apo në dasma fshati”, vazhdon të shpjegoj Hatibi, sipas të cilit kjo ishte arsyeja pse gati përherë këto monedha të holluara i gjente të shpuara me vrimë në cep: të shpuara me plumba të vegjël si kafka të zhvarrosura nga një varr kolektiv gjenocidi ballkanik.(Marrë me shkurtime nga albaniamail)Pse të mos pikturoj fermanë“Dikur vendosa të mos pikturoj më fermanë. U bënë shumë, mendova. Pastaj m‘u kujtua se dera e osmanëve nuk u mërzit 600 e sa vjet duke shpërndarë në mënyrë maniakale koreografitë e kaligrafisë së vet nëpër botë, e unë po mërzitesha vetëm me 5 vjet. Zbulova pak nga pak se nuk mund ta lë këtë botë pa fermanë - ajo mbase ishte afeksionuar me to. Dhe unë mbase nuk e frenoj dot rrotullimin zen të dorës brenda tugrave, që më tepër se art, është artizanat, më tepër se artizanat, është yoga, më tepër se yoga është jogging. Po vazhdoj të hedh edhe ca fermanë. Mos vallë brenda fytit tim biond skuq klandestine molla që ëndërroi Osman Gaziu?”, rrëfen Hatibi.Të pikturosh fermanë“Dashuria për osmanët dhe amerikanët, absurde dhe estetike, kontroversiale dhe onirike, politike dhe megalomane është ajo që më bën t‘u përkulem edhe sot e kësaj dite çantave të supermarketeve, ku si një “Jack the Dripper” mysliman derdh fermanët e mi për të mbajtur gjallë jo vetëm fëmijërinë time, por edhe me sa kam mundësi, kujtesën e një vendi që ka vendosur të harrojë fëmijërinë e vet osmane. Të pikturosh fermanë në Shqipëri, e mbase jo vetëm aty, është sigurisht një akt politik. Po unë në fakt thjesht po gërvisht një fasadë, dhe nuk është faji im nëse nga poshtë saj nxjerrin brirët kërmijtë e tugrave. Tugra, tugra, tugra pafund të një duzine me nipër të Osmanit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›