Asnjë kryetar bashkie, nuk është asgjë para figurës së Çajupit...
• Gjirokastra ka jo pak figura të mëdha. Çajupi, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri apo Bajo e Çerçiz Topulli, përmasat e të cilëve nuk flasin vetëm për një qytet, për një rreth apo për një qark sikurse është Gjirokastra.Eshtë një problem i madh kombëtar, për të sotmen dhe të ardhmen trajtimi me seriozitet e përgjegjësi, sikurse e kanë merituar, figura të tilla që kanë kontribuar, me jetën e tyre, në të mirën dhe ardhmërinë e vendit. Nga e gjithë sakrifica kanë marrë vetëm nga një varr, ndërtuar ku me çimento e ku me gurë. Një emër i shkruar mbi kryet e atyre varreve, një pamje ku sytë e brezave të mund t’u kujtojnë veprat nëpërmjet përjetësimit të emrave të tyre, nuk është dëshirë por përgjegjësi qytetare e cilitdo shqiptari. Eshtë detyrë morale dhe përgjegjësi shtetërore e cilitdo shtetari në qeveritë vendore. Tek ambiente të tilla duhet të venë çdo vit fëmijë e nxënës shkollash, sepse ashtu historia e ndritur e vendit tonë të vogël, mësohet se është e tillë në sajë të atyre burrave të mëdhenj. Ashtu ajo mishërohet e transmentohet në breza. Mirëpo si duhet menduar e si duhet folur për rastin e “qeverisësve” të Gjirokastrës, kur obelisku i ndërtuar në nderim të atyre burrave është dhunuar prej vitesh. I gjithë mjedisi rreth tij, ku emrat e atyre burrave shkruhen dukshëm, infekton edhe bacilet e kolerës...! Ka ndodhur kjo ndonjë herë në tërë historinë e ndritur të këtij qyteti të lashtë? Ca më shumë që figura të tilla, koha dhe lufta e tyre nuk ja u dha mundësinë të kishin trashëgimtarë. Heronjtë, trashëgimi lënë veprën e tyre. Ndaj kujtohen e respektohen prej popujve me kulturë, prej kuadrove me përgjegjësi dhe dinjitet, prej strukturave shtetërore që drejtohen nga vizionarë. Nëse të rastësishmit e zgjedhur, tregohen të papërgjegjshëm si në rastin e Gjirokastrës, do të duhej të ishin shefat e tyre më lartë për të mos katandisur dinjitetin e qytetarëve në këtë farë feje. Figura të dimensioneve të tilla, një i zgjedhur vendor apo cilido funksionar i këtij shteti, do të krenohej nëse vendoste një buqetë me lule. Mirëpo nuk na e merr mëndja se si nuk turpërohen kur simbolet e lavdisë së kombit, para syve të tyre, njollosen, përdhosen e masakrohen si në Gjirokastër. Populli gjirokastrit në 1934 me kontributin e vet ngriti për të përjetësuar veprën dhe figurën e Çerçiz Topullit, në të vetmin dhe më të bukurin shesh të qytetit, ngriti statujën e Çeços. Në vitet tetëdhjetë u vendos edhe në “Mashkullorë” basoreliefi i gjithë çetës famëmadhe. Nxënësit dhe mësuesit për vit bënin pelegrinazhe e mësimi tregues historie, në këto pika të historisë. Sot, nxënës e mësues nuk u dinë as veprën as famën e as nga ishin e përse mund të kishin rrëmbyer pushkën trimat e tillë të kësaj toke. Mjafton të kalosh në Gjirokastër, tek varret e këtyre burrave për t’u bindur se ku është katandisur vetë historia. Kur në të shkuarën historia e këtij populli gjithmonë ka gjëmuar. Gjëmon akoma .... për ata që kanë gjak e cipë.Ky peticion është shkruar nga një grup intelektualësh gjirokastritë Tomorr Dosti, Faik Islami, Baftjar Dobi, Maliq Sulo, Luan Pogaçe, Qani Bizhga, Ylli Shehu, Hysen Burba, Çerçiz Loloçi, Besnik Bijo, Zini Loloçi.