E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ervin Skela, "Lojtari i vitit" për ekipin e Energi Kotbus

Mesfushori i përfaqësueses shqiptare, Ervin Skela, është cilësuar thuajse nga të gjitha mediat gjermane si futbollisti i vitit për skuadrën e Energi Kotbusit, e cila fitoi 2-0 ndaj Hamburgut në ndeshjen e të shtunës, duke siguruar qëndrimin në Bundesligën 1. Fantazisti ishte protagonist i tri fitoreve radhazi në javët e fundit të Kotbusit, ku shënoi 4 gola vendimtarë, të cilët e larguan ekipin nga zona e ftohtë e renditjes. Ndaj mediat gjermane nuk kanë kursyer elozhet ndaj shqiptarit, duke vlerësuar edhe faktin se ka qenë një prej lojtarëve më konstantë gjatë gjithë këtij edicioni. Vetë Skela nuk e ka fshehur dot gëzimin pas fitores me Hamburgun, e cila vulosi një ngritje sensacionale të skuadrës ku bën pjesë. "Është sensacionale ajo që kemi arritur ne sot. Ekipi ka dhënë 1000% për të siguruar qëndrimin", u shpreh lojtari që ka festuar gjatë me tifozët e skuadrës, e cila ka kaluar pjesën më të madhe të sezonit në vendet e fundit të klasifikimit.

Skela është aktivizuar në të 33 ndeshjet e zhvilluara në Bundesligë në këtë sezon, në të gjitha rastet si titullar, gjë që tregon më së miri edhe vlerat e tij dhe besimin që kishte trajneri ndaj mesfushorit shqiptar. Bohumi, Hansa, Herta, Duisburgu dhe Arminia ishin skuadra ndaj të cilave ai shënoi në këtë sezon të dytë me Kotbusin, ku është vlerësuar disa herë me nota të larta nga mediat gjermane dhe është përfshirë edhe në formacionin e javës nga revista prestigjioze "Kicker". Ndonëse shumë kritikë mendonin në fillimin e sezonit se ai nuk kishte çfarë të jepte më shumë në Gjermani, mesfushori u ka provuar të gjithëve të kundërtën, duke qenë deçizivë, sidomos me golat e shënuar në tri javë radhazi. Jo rastësisht ai është golashënuesi më i mirë i skuadrës me 7 golat e shënuar deri tani, duke lënë pas dy sulmuesit Rangelov dhe Sorensen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›