Mavraj, ndeshja e parë me Bohum
Mërgim Mavraj është aktivizuar të shtunën për herë të parë në Bundesligë, në takimin që Bohumi fitoi në transfertë 3-1 ndaj Karlsruhes së Edmond Kapllanit. Mbrojtësi që vazhdon të ndiqet me interes nga FSHF, është futur në lojë gjatë pjesës së dytë të ndeshjes, duke shënuar kështu edhe debutimin e tij në futbollin elitar. "Nëse debutimi im në Bundesligë ishte një vlerësim për punën që kam bërë këtë sezon, nuk di ta them ende. Gjithsesi, unë për vete e cilësoj si një vlerësim. Por kam mbetur pak i zhgënjyer nga goli që pësuam në fundin e takimit, pasi dëshiroja që në ndeshjen time të parë të mos pësonim gol. Normalisht që do të dëshiroja të luaja edhe në ndeshjen e fundit të sezonit, por e kuptoj që drejtuesit do të përpiqen të aktivizojnë edhe lojtarët e tjerë të rinj", deklaroi futbollisti për mediat gjermane.