Ervin Skela, nga "i papunë" te shefi i mesfushës së Mynih 1860?
Udhëtimi për të parë Ervin Skelën duket se ia ka vlejtur. Trajneri i Mynih 1860, Evald Linen dhe drejtori sportiv, Miki Steviç, ishin të shtunën në Fyrth për të vëzhguar Skelën pa skuadër teksa do të luante në miqësoren Greurther Furth-Shqipëri 1-2. Shqiptari mund të marrë rolin e shefit të mesfushës së Mynih 1860. Aty u pa që Skela është një lojtar me cilësi udhëheqëse dhe determinant në lojë. "Skela e ka konfirmuar atë që dija për të. Forca e tij është, se ai dëshiron ta ketë gjithmonë topin. Kjo e ka një bazë: në Bundesligë ai ka qenë gjithmonë lojtar titullar", tha trajneri Linen për 32-vjeçarin. Skela pati mbi 50 kontakte me topin deri në momentin e zëvendësimit për shkak të një dëmtimi. Ai dha asistin e golit të Bogdanit. "Ajo që ai bën, është e dobishme për skuadrën". Munih 1860 dhe Skela po flirtojnë?. "Unë jam gati për 1860, tha shqiptari për ‘Allgemeine Zeitung‘, por duhet të mbyllet shpejt marrëveshja. Ishte mjaft e hidhur të jesh i detyruar të shikosh në TV ndeshjet e Bundesligës 1 dhe 2". Gjithsesi, Skela e ka mbajtur veten në formë duke u stërvitur me amatorët e Bajer Leverkusen: "Kontrata që unë do të nënshkruaj, do të jetë e fundit", pohon shqiptari. Ai nuk nënshkruan për një gjysmë viti. "Dëshiroj të luaj patjetër edhe për dy vjet. Mendoj për një afat të gjatë, pasi jam familjar dhe nuk dua të ndryshoj çdo vit. Do të shkoja me qejf te 1860. Jam interesuar 100% për skuadrën. Është klub me traditë, shumë tifozë dhe një stadium të mrekullueshëm". Por trajneri Linen heziton. "Akoma nuk kam marrë një ofertë zyrtare nga klubi", thotë Shqiptari. Këtë e shpjegon Linen: "Nëse e marrim Skelën, ai duhet edhe të luajë. Por te ne ka një diskutim: si duam të luajmë. A kërkojmë një numër 6 të fortë në lojë, apo një numër 10". Mesfushori thekson: "Mora së fundmi dhe një ofertë nga Këlni". Edhe Koblenz interesohet për fantazistin. Megjithatë, të mërkurën Skela do të jetë sërish nën lupë në ndeshjen ndaj Suedisë.
A. Manallari
A. Manallari