Ervin Skela takon të paraburgosurit në Vlorë
VLORE - Një bisedë e ngrohtë lidhur me jetën e tij sportive dhe rezultatet e ekipit kombëtar të futbollit dhe në fund dhurimi i dy kompleteve sportive të ekipit tonë përfaqësues, bënë që për më shumë se dy orë të paradites së djeshme, të paraburgosurit e Vlorës të harrojnë brengat dhe dramat që i kanë çuar në qeli.Iniciator i këtij aktiviteti interesant ishte Saimir Haxhiu, titullar i institucionit të paraburgimit të Vlorës. Ai është shprehur se, "e prita me kënaqësi këtë festë, me synimin për të dhënë një ndihmesë sado modeste e për t'i larguar për pak kohë nga efektet e izolimit të përditshëm dhe për të ndikuar në rehabilitimin e tyre". Më pas, Skela ka zbritur në fushën e sportit të institucionit, ku ka dhuruar 2 komplete uniformash të Kombëtares, njëri në ngjyrë të kuqe dhe tjetri në ngjyrë të bardhë për dy grupe të paraburgosurish, të cilët zhvilluan një ndeshje me njëri-tjetrin. Përpara ndeshjes, ashtu si dhe në ndeshjet e Kombëtares është dëgjuar e nderuar himni kombëtar. Sipas Skelës, kjo ishte hera e parë që vizitonte një institucion riedukimi dhe mbresat që i la vizita ishin prekëse dhe të veçanta. Të paraburgosurit falenderuan futbollistin dhe organizatorët, duke shprehur dëshirën që aktivitete të tilla të bëhen sa më shpesh.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)