Ervin Skela të hënën fillon stërvitjet me skuadrën

Më në fund ka ardhur lajmi i mirë për tifozët e Energie Cottbus por edhe të kombëtares shqiptare pasi fantazisti Ervin Skela ka marrë lejen nga stafi mjekësor i Cottbus për të filluar stërvitjet me skuadrën. Lajmin e ka bërë të ditur vetë futbollisti i cili për shkak të një sëmundje të gjakut nuk ka arritur që të stërvisë me skuadrën.
"Analizat e fundit kanë dalë shumë pozitive", ka thënë ai për të përditshmen gjermane "Lausitzer Rundschau". "Kam marrë dritën jeshile nga doktorët dhe prej të hënës do të filloj stërvitjet me skuadrën".
Muajt e fundit padyshim mund të konsiderohen si më të vështirët në karrierën e 30-vjecarit shqptar i cili më 10 janar të këtij viti ishte diagnostifikuar se kishte "vlera të larta albuminash në gjak" dhe kishte lënë përgatitjet që po zhvillonte me skuadrën në Antalia të Turqisë për tu shtruar në një klinikë në Essen të Gjermanisë.
"Sigurisht që ishte një ‘shok' i vërtetë për mua. Ndihesha për mrekulli dhe isha shumë i motivuar për të zhvilluar përgatitjet me skuadrën. Dhe pastaj kjo".
Pas dhjetë ditësh të kaluara në klinikën e Essenit ai kishte vazhduar kurimin në shtëpi madje duke u afruar edhe te skuadra. Shqiptari është treguar kritik ndaj mediave që kanë spekuluar shumë për sëmundjen e tij. "Është e vërtetë se unë jan një futbollist profesionist, por sëmundja ka qenë një gjë private. Do të doja që njerëzit ta respektojnë këtë. Nuk ishte një sëmundje e rrezikshme dhe asnjëherë nuk ishte vënë në rrezik karriera ime".
Dhe karriera e tij është e lidhur me Energie Cottbus deri më 30 qershor të vitit 2009. tashmë ai angazhohet që sa më shpejtë të jetë i gatshëm që të debutojë për skuadrën e tij.