E Diel, 1 Nëntor 2026

Esetë që tregojnë dramat e adoleshentëve, kërkojnë psikanalizë

Autori i Lajmit: Denisa Kona
denisakona@hotmail.com

Dhimbja e dashurisë, Vetmia pas një ndarjeje, Kujtimet e dashurisë së parë…
Hartuesit e progameve të shkollave tona apo mësuesit janë vërtet “bashkëkohorë”. Meqenëse në ditët e sotme, mosha e fillimit të marrëdhënieve seksuale, pra edhe e fillimit të marrëdhënieve të dashurisë është ulur, këta siç duket mendojnë se duhet t u përgjigjen këtyre zhvillimeve. Për këtë arsye, përfshijnë në programe, tema që u kërkojnë nxënësve të shprehin emocionet e tyre nga përvojat dashurore. Në këto punë me shkrim, mund të gjesh psherëtima, dhimbje, zhgënjime, natë të zezë, bashkëbisedim me yje që të kuptojnë, ikje nga jeta, paralajmërime ogurzeza vetëvrasjesh, mbyllje në vetvete, biseda konfuze me vetveten, dritare që rrinë hapur për të fluturuar nga dhoma “e mëkatit”, mashtrime e tradhti…rrëfime herë të sinqerta e herë të përfytyruara, e akoma më shpesh të kopjuara, që dora –dorës kthehen në shtampa. Këto punime shkojnë në duart e mësuesve të letërsisë të cilët shikojnë sa figura janë përdorur, sa i qartë apo i errët është mendimi, a ka apo jo dalje nga tema, si janë përdorur shenjat e pikësimit dhe… kaligrafinë padyshim. Pastaj finalizohet nota. Por, edhe dikush tjetër duhet t i shikojë këto rrëfime nxënësish, dikush që duhet t i analizojë në rrafshin psikanalitik.
Psikanaliza e munguar dhe kriza shpirtërore e rinisë
Nëpërmjet këtyre rrëfimeve në një analizë të zgjeruar mund të kuptosh optizimin ose pesimizmin e të rinjve për të ardhmen, besimin ose mosbesimin tek marrëdhëniet njerëzore, dramat dhe sinjalet urgjente të jetës së ndonjërit prej tyre. Por, për fat të keq, ato krijime “vdesin” në dollapët e sallave të mësuesve, shqetësime të mbivendosura një mbi një, të arshivuara si punë të kontrolluara, si punë model, si … Së paku, vetëm për një shqyrtim të tillë, këto tema do t ia vlenin të shtroheshin. Shkolla duhet t i përdorë këto punime apo “rrëfime” të nxënësve si pasqyrë të problematikës së tyre dhe si një mënyrë për të ndikuar mbi ta. Profilaksia fillon këtu: Këto ese janë pasqyra të gjendjes morale e psiqike të adoleshentëve, të problemeve të tyre, janë fletët e shpirtit rinor që kapërcehen, kur në to duhet ndalur; i pari mësuesi i letërsisë e më pas drejtoria e shkollës bashkë me psikologë e sociologë, si dhe struktura të tjera të edukimit.
Mësueset kureshtare për jetën intime të nxënësve
Ndonëse prej kohësh, sociologët i bien kambanave të alarmit se po ulet mosha e fillimit të marrëdhënieve seksuale dhe për pasojat komplekse të seksit në adoleshencë, disa mësuesve të letërsisë u ka mbetur “dashuria” fiksim…Njëra prej mësueseve të lëndës në shkollën e gjuhëve të huaja na thotë se ka nga ato mësuese që kanë kuriozitet të gërmojnë në jetën e nxënësve, argëtohen me historitë e tyre.
“Tema hartimesh ku të flitet për dashurinë? Nuk jam dakord,- thotë ajo. Maksimumi nxënësi mund të flasë për dashurinë si ndjenjë, si ideal njerëzor, por jam kundër rrëfimeve të historive të nxënësve nëpër punët me shkrim. Për mua, ato mësuese që japin tema të tilla, janë të prirura pas thashethemeve, kanë kuriozitet për jetën e tjetrit, për intimitetet e nxënësve, prandaj “u fryjnë” këtyre temave. Nuk jam për rrëfimet e historive private të nxënësve, kjo nuk më duhet mua si mësuese.” Nëse nxënësit i servir një temë me dashuri, atëherë mos kërko caqe: Atij pas kësaj i lind e drejta të rrëfejë situata erotike qofshin si qëllim në vetvete apo si funksion i emocioneve të tij.

Edhe në 9-vjeçare, motive idilike
Duhen apo jo temat idilike në klasat e fundit të 9-vjeçares?
“Tregoni kujtimet e dashurisë suaj të parë”. Pasi dëgjojmë për një temë të tillë hartimi, na vjen në mend pyetja: Po nxënësit e tjerë, ata që nuk kanë pasur përvoja të hershme dashurie, çfarë duhet të kujtojnë? …Kjo lloj “pedagogjie” të godet me gur në kokë, sidomos kur e konstaton tek temat e ciklit të 9-Vjeçares.
Mësuesit, një pjesë e tyre, nga ata që kanë një jetë që merren me këtë punë dhe irritohen të lexojnë për histori intime të nxënësve të tyre, por edhe të tjerë më të rinj, habiten se si nëpër shkollat tona nxënësve mund t u serviren tema dashurie. Dikush shprehet i skandalizuar, se kjo që po ndodh, është t i frysh zjarrit. Në vend të temave që do të kërkonin nga nxënësi të arsyetonte rreth pasojave negative të nisjes së një dashurie në moshë të papërshtatshme, atij i forcohet bindja se dashuria është normale të nisë tani, se ja ku e jep për temë hartimi edhe vetë mësuesja. Nëse në këtë temë, ai nuk ka se çfarë të rrëfejë, në punimin e ardhshëm do të ketë avancuar që tema me dashuri të mos i dalë huq, sepse “nuk mund të rrihet prapa shokëve”.
Një mësues i vjetër letërsie na thotë: “Ç e zgjat më shumë? Nxënësit të klasës së tetë, 13-vjeçar, i kërkohet të rrëfejë kujtimet e dashurisë së parë. Pra, ai duhet të ketë edhe dashuri të dytë e të tretë…!” Ndërsa drejtoresha e shkollës “Bajram Curri” na tregon se në klasën e gjashtë, në tekstin e leximit, gjen një paragraf të tillë në formë ushtrimi: “I shkon shoqes poshtë dritares dhe do të kuptojë nëse ajo është aty…” “Por ndoshta mund të jetë vajzë”,- themi ashtu kot. “Nëse është vajzë, nuk ka nevojë të rrijë e të ruajë nëse do të ndizet drita në dritare, por ngjitet sipër dhe e takon”,- thotë drejtoresha, me një pakënaqësi të dukshme për këtë mungesë përgjegjshmërie të hartuesve të teksteve.
Sidoqoftë, disa mësuese përpiqen të ndryshojnë kursin e kuptimit të këtyre temave. “Tema ka tekstin, ka edhe nëntekstin,- thotë njëra prej tyre.- Nuk është e thënë që kur pyetet për dashurinë e parë, me këtë duhet kuptuar doemos dashuria midis një djali dhe një vajze. Mund të jetë dashuri për atdheun, për një dhuratë apo një person”, shprehet zysha e “Edit h Durham”. Sidoqoftë, dhënia e një teme hartimi mund të mbartë mënyra të ndryshme të kuptimit, por me kusht që asnjëra prej tyre të mos tingëllojë si provokim… Por ka edhe këndshikime të tjera pro tolerancës ndaj shprehjeve të dashurisë së nxënësve apo të prezantimit të tyre me subjekte të tilla letrare. Një nga mësuesit e ciklit 9-vjeçar të “Edit h Durham”, na thotë: “Nuk është ndonjë gjë e keqe edhe nëse përfshin ndonjë lirikë dashurie në klasën e tetë apo të nëntë, pasi në këtë moshë edhe nxënësit mund të provojnë ndonjë ndjenjë të tillë”.

Një nga mësuesit e ciklit 9-vjeçar të “Edit h Durham”, na thotë: “Nuk është ndonjë gjë e keqe edhe nëse përfshin ndonjë lirikë dashurie në klasën e tetë apo të nëntë, pasi në këtë moshë edhe nxënësit mund të provojnë ndonjë ndjenjë të tillë”.

A dinë të bëjnë ese mësueset e gjuhë-letërsisë?
Ese në gjimnaze, ese edhe në shkolla 9-vjeçare. Nëpër trajnime me të huaj, mësuesve tanë u kanë thënë se ese duhet të bëjë edhe fëmija i vogël; të shprehë mendimin e tij me shkrim për një çështje. Nëse kjo është eseja, atëherë, të gjithë ne jemi eseistë. Shkolla shqiptare ka marrë përsipër t u mësojë nxënësve të saj të shkruajnë ese, por këtë nuk dinë ta bëjnë as vetë mësuesit, madje, po të shikosh kriteret mbi të cilat mendohet se ndërtohet një ese, del në konkluzionin se të shkruash një ese duke iu përmbajtur kombinimit të gjithë këtyre treguesve është e pamundur dhe se as ata që i kanë përpiluar vetë ato, zor se do të shkruanin dot vetë një të tillë.
Të nxisësh format e të arsyetuarit, të analizës, të refleksionit dhe të gjitha proceset e tjera mendore tek fëmija dhe t i kërkosh atij të shkruajë diçka sipas shkallës së vet të zhvillimit mendor, është tejet modeste për ta etiketuar “ese”. Kriteret mbi të cilat ajo kërkohet të ngrihet, janë po aq akademike Eseja është një formë shumë e lartë e sintetizimit dhe analizës së mendimit, një forcë argumenti të cilën nuk mund ta kenë as të gjithë njerëzit e rritur, që kanë arritur pjekurinë e mendimit. Shumë pak emra mund të përmenden si autorë esesh: Sociologë apo filozofë, gjenetistë apo studiues të shkencave politike…Si për ironi, sot çdo forme të shprehjes së mendimit, qoftë kjo edhe rudimentare, shkolla jonë i vë etiketimin ese . Megjithatë, në drejtorinë e ndonjë shkolle 9-vjeçare thonë se eseja duhet në shkollë, që nxënësi të mësojë të shprehë një mendim, ashtu siç mundet ai. Mirëpo këtë mendim ashtu siç mundet, nxënësi nuk mund ta realizojë përmes atyre kritereve të ngurta që përcaktojnë esenë. Dhe nga ana tjetër, jo çdo formë e shprehjes me shkrim të mendimit, e jo çdo strukturë është ese.

Mësuesja e gjuhë-letërsisë së liceut “Asim Vokshi”: Ne, mësuesit japin temat që shprehin ëndërrimet tona”

Ne- mësuesit, nxënësit tanë, Romeo dhe Don Kishoti

“Në vlerësimet e punëve të nxënësve ka subjektivitet. Nuk mund të ketë objektivitet për të vlerësuar një gjendje subjektive”

Dikur temat e hartimeve, tani punët me shkrim dhe esetë. Përveç temave të programit, një numër temash janë në kompetencën e mësuesve të gjuhë-letërsisë. Janë këta që ideojnë se rreth çfarë problematike do të vërtiten mendimet, përsiatjet, argumentet, qëndrimet e nxënësve. Po kush mund të dalë e të thotë se për çdo çështje të gjithë kemi të njëjtën njohje dhe ndjeshmëri? A duhet të matet pas kësaj aftësia e nxënësit për të formuluar një debat, një tezë, një pikëpamje, duke mbetur në subjektivitetin e një mësuesi apo të një tjetri?
Nxënës të ndryshëm që ne kemi kontaktuar gjatë këtyre ditëve, madje edhe duke debatuar mes tyre, kanë qenë të një mendjeje kur është fjala për temat alternativë. “Gjithnjë duhet të ketë jo një, madje as dy tema -alternativë. Duhet të na japen për të zgjedhur midis 5 temave”, shprehet një nxënëse e gjimnazit “Partizani”. Ndërsa një nxënës tjetër thotë: “Duhet të ketë edhe tema me zgjedhje, por edhe tema të përcaktuara, sepse kur jepet e njëjta temë, ka më shumë mundësi të krahasohen vlerat e nxënësve dhe nota mund të vihet më me objektivitet”. Ndërsa një shoqja e tij mendon se temat e eseve duhet të rifreskohen vazhdimisht, pasi ato po bëhen “copy paste”. “A ka mundësi që çdo nxënës të ketë temën e tij për të zhvilluar ?”, shprehet ajo.
Por, dyshimi më i madh i nxënësve buron prej subjektivitetit suprem të mësuesit, i cili beson se gjetja e tij është më e mira dhe se temën nxënësit duhet ta zhvillojnë sipas konceptit që ai ka në kokë. “Mësuesit të japin shumë pak liri për të menduar. Ata pretendojnë që ne të mendojmë dhe ndiejmë si ata”, shprehet Rovena. Këtë moment “konflikti” e pohon edhe mësuesja e gjuhës dhe letërsisë shqipe në liceun e gjuhëve të huaja, duke e perifrazuar me një nga situatat e parashtruara në trajnimet me specialistë vendas e të huaj: “Temën e esesë e jep mësuesja dhe kjo është një zgjedhje subjektive; esenë do ta trajtojë nxënësi, që është një subjekt dhe do të shprehë aty mendimet e tij që janë subjektive. Në fund, vlerësimi që do të bëjë mësuesja, kërkohet të jetë objektiv!...”
Më tej, mësuesja që preferoi të ishte gjysmë-anonime thotë: Në një rast, një nxënësja ime m u përgjigj: “Më duket se këtë temë, ti zysh e ke zgjedhur për ëndrrat e tua”. Dhe ishte fjala për trajtimin e personazhit Madam Bovari”. Mësuesja e “Asim Vokshit” shton se dhënia e temave nuk duhet të imponojë qëndrimin e nxënësve: “Përshembull: Në brezin tonë, figurat e Romeos dhe Zhulietës shihen si simbole të dashurisë që çon deri në flijim. Por për mentalitetin e më të rinjve, figura e Romeos dhe e Zhulietës dhe sjelljet e tyre nuk janë të përligjura, madje ata e dënojnë vetëvrasjen për një dashuri të papërfunduar në martesë. Për nxënësit e mi, më e pranueshme është sjellja e Don Kishotit se ajo e Romeos, sepse tek e fundit, Don Kishoti thurrte lavde për dashurinë e tij të idealizuar, por nuk vrau veten. Ne duhet t u lëmë më tepër liri mendimi nxënësve tanë, të jemi të hapur dhe të pranojmë të ndajmë mendime me ta duke u nxitur alternativa mendimi, por jo duke i kufizuar apo limituar në këndshikimet e tyre”. Ky rrëfim i sinqertë prej mësueseje është një provë se edhe ata kanë se çfarë të mësojnë nga nxënësit e tyre dhe kjo marrëdhënie e ndërsjelltë i ndihmon për të përsosur procesin mësimor.

Drejtoresha e Edit h Durham
Mësuesit nuk vlerësojnë të gjithë me ndershmëri
Mësuesit e paaftë nuk lënë liri mendimi, penalizojnë nxënësit me “ke dalë nga tema”

Ndërsa drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Edit u Durham” u shpreh se ka mësues të cilët nuk pranojnë mendimet ndryshe të nxënësve. “I thonë nxënësit: “Ke dalë nga tema” dhe e vlerësojnë me notë negative,- thotë ajo.-Kjo nuk është e drejtë. Mësuesi duhet të shikojë se me çfarë kompetence e ka zhvilluar nxënësi idenë e tij, sa i aftë ka qenë për ta trajtuar dhe si e ka trajtuar edhe nga pikëpamja gjuhësore”. Drejtoresha pranon se ka mësues që ngatërrojnë gjetjen e ndryshme të nxënësit me daljen nga tema, vetëm sepse atyre vetë nuk u kishte shkuar ndër mend një gjë e tillë. “Nxënësi duhet lënë i lirë në zgjedhjen dhe imagjinatën e tij”, thotë Luljeta Minarolli. Por ajo që e ka shqetësuar më tepër gjatë përvojës së saj të gjatë, është subjektiviteti i vlerësimit të disa mësuesve mbi bazën e njohjes. “Më e keqja nuk është gjykimi emocional i mësuesve, por mungesa e ndërgjegjes në vlerësimin e nxënësve. Kam njohur raste kur mësuesja vlerëson më mirë një nxënës që meriton më pak, ndërsa nxënësit që i takon më tepër nuk ia jepë hakën. Para se të flasim për aftësitë profesionale të mësuesve në vlerësimin e nxënësve, ne duhet të flasim për ndershmërinë e tyre në vlerësimin e nxënësve”. Kështu, një drejtoreshë ka pohuar publikisht se në shkollat tona ka subjektivitet të dukshëm të nxënësve, deri dhe në trajtime të pabarabarta dhe të pamerituara, gjë që ul figurën e mësuesve dhe fyen nxënësit.

Drejtoresha Lumturi Minarolli: Ja pse zëvendësimi i hartimit me esenë, ishte pozitiv
“Shkolla nuk të mëson në krijosh, por të mëson të mendosh”

U hoqën hartimet, jo thjesht si emërtim (pasi të hartosh me shkrim një ide, është diçka normale), por u hoqën hartimet më tepër si struktura të ndërtimit të mendimit, që më shpesh kërkonin të evokonin tek nxënësi shprehje emocionale sesa të nxisnin analizën, argumentin, krahasimin, lidhjen shkak-pasojë, etj. Këto forma të mendimit ishin nënvlerësuar dhe në vend të tyre shkolla jonë kishte ngritur kultin e emocionit, shprehjen e shtirur të emocioneve si me sustë, atëherë kur e kërkonte ora e hartimit. U pa se kjo ishte “një lajthitje” dhe duhej zhbërë. Kjo padyshim nuk do të thotë se ajo që nxënësi shkruan (në varësi të temës) nuk mund të përmbajë edhe emocion. Përderisa i kërkohet përmes eseve të mbajë qëndrim për një fenomen, natyrisht që ky qëndrim mund të bashkëshoqërohet me një emocion, por një emocion që përpiqet të përligjet nga nxënësi, të arsyetohet. Në këtë pikë, do të sillnim edhe opinionin e drejtoreshës së shkollës “Edit h Durham”, Luljeta Minarolli e cila thotë: “Hartimet u bë shumë mirë që u hoqën, sepse e detyronin nxënësin të shkruante në një mënyrë të vetme, kërkonte prej tij të bënte krijimtari artistike, kishte ose jo të prirje. Në një kohë që qëllimi i shkollës nuk është të nxjerrë shkrimtarë, por njerëz që janë në gjendje të artikulojnë mendimet e të mbrojnë ato”. Sipas saj, nuk është vetëm letërsia artistike mënyra e vetme e të shkruarit. Ka edhe mënyra të tjera që duhen kultivuar e ku nuk është e domosdoshme që nxënësi të përdorë figuracion. Tashmë po synohet që të mprihen tek nxënësit edhe stilet e tjera të të shkruarit, gjë që ka qenë edhe pjesë e udhëzimeve gjatë trajnimeve ndërkombëtare. Por sa u takon eseve, thotë se janë të dobishme dhe secili nxënës do ta realizojë për aq sa mundet, edhe pse pranon se shumë mësuese nuk dinë as vetë të shkruajnë një të tillë. Edhe një mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në liceun e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, thotë të njëjtën gjë: “Ka mësuese që nuk dinë të shkruajnë ese”, por shton se në shkollën e saj rreth 20% e nxënësve por jo më tepër, arrijnë të shkruajnë atë që quhet “ese”.

Ky lajm është publikuar: 20/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›