E Diel, 1 Nëntor 2026

Eshli Kol rekordi qe nisi nga Tirana

Te përballja e Anglisë me Ukrainën, vëmendja e të gjithëve ishte përqendruar te rikthimi në fushë i Uejn Runit, megjithatë prozhektoret ishtin drejtuar edhe te Eshli Kol. Në fakt, mbrojtësi i krahut të majtë ka shkruar historinë në Donjeck me “Tre Luanët”.

Në sfidën e së martës, lojtari i Çelsit është bërë futbollisti me numrin më të madh të ndeshjeve të luajtura në një turne madhor për Anglinë. Kjo ishte ndeshja e 21-të për 31-vjeçarin në fazën finale të një Botërori ose Kampionati Europian dhe në këtë mënyrë Kol ka lënë mbrapa dy legjenda si Piter Shilton dhe devid Bekham.

Një statistikë mjaft domethënëse tregon se që prej ndeshjes së parë në fazën finale të një evenimenti madhor kundër Suedisë në Saitama në vitin 2002, Eshli Kol ka humbur vetëm 16 minuta lojë në turnetë ku Anglia ka marrë pjesë.

Në total, ai ka qenë në fushë 1844 minuta, afro 31 orë lojë, ose e thënë ndryshe 15 ndeshje të plota radhazi, duke dhënë kontributin për përfaqësuesen.

Kjo ishte ndeshja e 97-të për majtoshin e Çelsit me ekipin Kombëtar, ndërsa aventura e tij e jashtëzakonshme ka nisur në Tiranë. Pikërisht kështu, Eshli Kol ka debutuar me Anglinë në ndeshjen e 28 mars të vitit 2001 të luajtur në “Qemal Stafa” kundër Shqipërisë, ku “Tre Luanët” fituan me shifrat 3-1.

Në ndeshjen e tretë të grupit kualifikues, trajneri Sven Goran Erikson i çuditi të gjithë me zgjedhjen që Kol, në atë kohë vetëm 20-vjeçar të luante prej minutës së parë.

Mbrojtësi do të arrinte numrin e 100 ndeshjeve në Kombëtare nëse Anglia kualifikohet në finalen e 1 korrikut në Kiev, ndërsa është e sigurt që këtë shifër ai do ta arrijë në muajin tetor, gjatë kualifikueseve të Botërorit 2014.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›