E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prandeli pro Balotelit

Stresi ishte i madh përpara pengesës finale në grupe, por gjithsesi edhe shtresa e përvojës në ndërgjegje ishte gjithashtu shumë e madhe. Tradita ndihmoi, ndërsa trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, në radhë të parë dëshiron të merret sërish me Mario Balotelin, autor goli ndaj Irlandës.
“Kur ai shënoi, isha i lumtur për të sepse ishte vendim kurajoz që të hynte në fushë. Gjithsesi, ishte një kurajo e llogaritur mirë sepse ne e dimë se mund ta shfrytëzojmë potencialin e tij, veçse ai duhet ta kalojë këtë moment. Gjithçka varet nga humori i tij, por përfundimisht është një djalosh i artë. Shpesh ndodhet në situata të vështira, por duhet të piqet. Po ashtu, duhet të rritet cilësisht dhe të bëhet një kampion i vërtetë”.

Trajneri e di se çfarë skuadre me potencial ka në dorë, edhe pse shqetësohet për dëmtimin e Kielinit.

“Sa për Xhorxhon, ne do të kemi analizat përfundimtare, por shenjat nuk duken të mira. Gjithsesi, vullneti i tij është i jashtëzakonshëm. Terapistët tanë po punojnë, le të presim. Kjo Itali tregoi se është një skuadër e madhe. Nuk mund të mos e dashurosh këtë skuadër kur luan futboll”.

Kjo skuadër është e veçantë sepse i përgjigjet nivelit të sfidave. Ndoshta jo gjithnjë ia del të jetë e suksesshme, por kur ia arrin është e frikshme dhe fituese. Çezare Prandeli e di se askush nuk mund ta nënvleftësojë Italinë e tij që nga çerekfinalet e më tej.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›