E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia mrekullia ka shpjegim

Greqia është një vend i vogël, një vend që thuajse kurrë nuk ka prodhuar një futboll të madh. Nuk mund të flasim për një shkollë greke futbolli, siç kemi thënë me të drejtë për një shkollë gjermane, italiane, franceze, spanjolle, por edhe jugosllave dhe rumune.
Në listën e artë të fituesve të kupave të Europës nuk ka asnjë emër skuadre greke, por megjithatë kjo skuadër kombëtare me ngjyrat bardhë e kaltër po habit jo pak njerëz.
Në 2004 doli kampione e Europës, ndërsa tani është në çerekfinale, përkundër çdo parashikimi. U përsërit finalja e Ligës së Kampionëve ku Çelsi fitoi pas penalltive ndaj një Bajerni superior, madje një Bajerni që kaloi në avantazh.
Por, siç duket qartë, për të fituar duhet të dish të kalosh çdo pengesë. Është meritë e grekëve dhe e trajnerit të tyre që ia dolën me sukses, ata u treguan të saktë, ndonëse aspak të bukur. Ata nuk i lanë pas dore në asnjë moment detyrat e tyre. Si nxënës të mirë, e kishin mësuar mirë mësimin.
Skuadra bardhekaltër tregoi forcë karakteri dhe përqëndrim në momentin më të vështirë dhe kjo nuk është e lehtë që të bëhet. Greqia luajti si në fushë kundërshtare, me një shumicë tifozësh rusë dhe fare pak grekë, ndërsa tronditi edhe Poloninë në ndeshjen e parë në Varshavë.
Pak a shumë si në kohën e Oto Rehagelit kur dolën kampionë të Europës më 2004. Santos e kishte seriozisht kur thoshte para ndeshjes se besonte tërësisht tek skuadra e tij. “Besoj siç besoja para ndeshjes së fundit në eleminatore ndaj Kroacisë kur na duhej fitorja dhe ia arritëm”, - shprehej ai.
Greqia doli e para në grupin eleminator, duke lënë Kroacinë të dytën. Disa vjet më parë, në një grup eleminator bashkë me Shqipërinë, Greqia u mund thellë në Athinë nga Turqia, 4-1. Dukej e shkatërruar, por i mbajti nervat dhe shkoi e fitoi 1-0 brenda në Stamboll. Një provë karakteri.
Duket se ish-presidenti i Federatës Greke të Futbollit Vasilis Gagacis, dhe ky i tanishmi, Sofoklis Pilavios, kanë ditur të bëjnë zgjedhjet e duhura në kombëtare. Për Rehagelin u shprenzuan 800 000 euro në një kontratë 18 mujore, por duket se ky shpenzim ndihmoi për të krijuar themele të forta.
Tani, Greqia do të luajë në çerekfinale, por historia e saj nuk fillon më 2004. Kjo, sepse më 1980, kombëtarja greke arriti në fazën finale të Europianit ndërsa më 1994 arriti në fazën finale të Botërorit. Në të dy rastet, nën drejtimin e një trajneri grek, Alketas Panaguliasit, që mbetet legjendë.
Por, të mos harrojmë se Panathinaikos ka qenë në finalen e kupës së kampionëve më 1971 dhe në gjysmëfinale më 1996. Dhe të kujtojmë se Panathinaikos dhe Olimpiakos janë thuajse çdo vit në fazën e grupeve në Champions, pra në tryezën e Perëndive.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›